Banka e Shqipërisë: Vendi mund të përballet me valë inflacioni! Shkak konfliktet rajonale dhe mungesa e punëtorëve

15 Shkurt, 17:27| Përditesimi: 15 Shkurt, 17:36

  • Share

Konfliktet rajonale por edhe mungesa e fuqisë punëtore, e cila po shtyn bizneset të rrisin pagat për të mbajtur punonjësit po shtojnë rrezikun e një raundi tjetër inflacioni të lartë.

Në raportin e parë të Politikës Monetare për këtë vit, Banka e Shqipërisë thotë pavarësisht se trendi i inflacionit është në rënie, rreziqet kundrejt tij po rriten.

“Presionet e reja për rritje të çmimeve të naftës dhe të ushqimeve në prani të konflikteve rajonale prezantojnë rreziqe të reja për një inflacion global më të lartë, por edhe për lindjen e efekteve të raundit të dytë në formën e rritjes së pritjeve inflacioniste. Paralelisht me to, presionet nga tregu i brendshëm i punës mund të rezultojnë më të forta dhe më të qëndrueshme, duke shtyrë për lart trajektoren e parashikuar të inflacionit”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Ekspertët e bankës vlerësojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, duke u bazuar në pritshmëritë për ngadalësim të kërkesës për mallra dhe normalizim të situatës në tregun e punës.

Përpos këtij parashikimi Banka shpreh gatishmërinë për të rritur normën bazë të interesit, nëse inflacioni nuk është në linjë me pritjet e tyre për të rënë në 3%.

Nga ana tjetër ngadalësimi i ekonomisë së Eurozonës, shtrëngimi i kushteve të financimit dhe mungesat në tregun e punës do të ndikojnë në rritjen ekonomike të Shqipërisë, që sipas bankës do të jetë më e ulët se në vitin e kaluar.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?