Banka e Shqipërisë: Rritja e çmimit të energjisë elektrike, sfida kryesore e ekonomisë së vendit

7 Shtator 2022, 15:51| Përditesimi: 7 Shtator 2022, 22:47

  • Share

TIRANË- Rritja e vazhdueshme e çmimeve të energjisë elektrike dhe pozicioni si importues i Shqipërisë është sfida kryesore që ka përpara ekonomia e vendit dhe që mund të frenojë rritjen e saj. Banka e Shqipërisë thotë se nëse ekonomia ngadalësohet, kjo mund të ndikojë në rënien e aftësisë paguese të bizneseve e të familjeve.

Për të dytin muaj radhazi besimi në ekonomi është në rënie duke reflektuar ndikimin negativ që po jep rritja e përgjithshme e çmimeve. Banka e Shqipërisë thotë se treguesi i ndjesisë ekonomike regjistroi rënie me 1.8 pikë në muajin gusht. Rënia e besimit reflektoi rënien e besimit në sektorët e industrisë, të shërbimeve dhe të tregtisë. Nga ana tjetër, besimi konsumator dhe besimi në sektorin e ndërtimit u përmirësuan në muajin gusht.

“Nëse ekonomia ngadalësohet, kjo mund të ndikojë në rënien e aftësisë paguese të bizneseve e të familjeve, dhe të përcillet në sektorin bankar nëpërmjet rënies së cilësisë së aktiveve, rënies së niveleve të fitimit të veprimtarisë apo krijimit të humbjeve financiare. Për të administruar këtë skenar, nevojitet që bankat të evidentojnë ekspozimet e tyre më të ndjeshme dhe të ndërmarrin në kohën e duhur veprimet e nevojshme për mbulimin e rreziqeve, duke përfshirë krijimin e rezervave financiare dhe fuqizimin e pozicioneve të kapitalit. Banka e Shqipërisë do të vijojë të monitorojë me kujdes zhvillimet në sektorin bankar dhe në treguesit makroekonomikë e financiarë. Ky proces siguron që vendimet e politikave të institucionit t’i përgjigjen zhvillimeve aktuale dhe pritjeve që ndërtohen mbi to, duke synuar gjithmonë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar,” thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të këtij viti. Banka vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme më të ulëta se në periudhat e mëparshme, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?