Banka Botërore

Banka Botërore: Rritja ekonomike e Shqipërisë vlerësohet në 8.5% në 2021, varfëria ra nga 31.3% në 22%! Lufta në Ukrainë do të ngadalësojë rritjen ekonomike

4 Maj 2022, 11:14| Përditesimi: 4 Maj 2022, 12:13

  • Share

Banka Botërore ka publikuar sot Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, 2021, i titulluar Manovrim mes krizash. Sipas raportit rritja ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti në 7.4 për qind në vitin 2021, pas një tkurrjeje prej 3.2 për qind në vitin 2020. Ky rikthim në norma pozitive i rritjes ekonomike u shoqërua me një rritje të ndjeshme të vendeve të reja të punës, ku kërkesa për punësim solli ulje të varfërisë në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. 

Ndërsa ekonomia e Shqipërisë sipas bankës u rimëkëmb fuqishëm nga kriza e COVID-19 ne vitin 2021. Rritja vlerësohet në 8.5%, ndërsa shkalla e varfërisë ka rënë ndjeshëm nga 31.3% në 22%. Por rritja e inflacionit mund të zvogëlojë rritjen e të ardhurave në familjet e varfra dhe të cenueshme, duke ndikuar ritmin e uljes së varfërisë.

“Viti 2021 shënoi rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë. PBB-ja reale u rrit me 8.5 për qind, duke u rikuperuar plotësisht nga recesioni i shkaktuar nga pandemia. Shpenzimet publike dhe kërkesa e fortë private, të nxitura nga mbështetja e vazhdueshme e politikave monetare dhe fiskale, ishin faktorët kryesorë që udhëhoqën rritjen ekonomike. Kërkesa e brendshme kontribuoi me 9.4 pikë përqindje në rritjen ekonomike, 4.7 pikë përqindje e së cilës ishte kontribut i konsumit privat, i cili u rigjallërua si rezultat i përmirësimit të besimit të konsumatorit, uljes së pasigurisë në lidhje me pandeminë dhe rritjes së të ardhurave të disponueshme nëpërmjet rritjes së pagave dhe kredive bankare. Ndërkohë që eksportet u zgjeruan me 61.8 për qind në vitin 2021, kontributi i eksporteve neto në rritjen ekonomike ishte negativ për shkak të rritjes së lartë të importeve”, thuhet në raport.

Kreditimi për sektorin privat u rrit fuqishëm gjatë vitit 2021 si për bizneset ashtu edhe për individët. Po kështu, depozitat bankare vijuan të zgjerohen me 10.3 për qind, ku kursimet e individëve përbëjnë rreth dy të tretat e rritjes së totalit të depozitave në sistemin bankar. Investimet e huaja direkte u rritën në vitin 2021, duke arritur në 6.4 për qind të PBB-së si rezultat i investimeve në industrinë nxjerrëse, sektorin bankar dhe atë të telekomunikacioneve. Rritja e fortë e të ardhurave solli ngushtim të deficitit fiskal në 4.5 për qind të PBB-së.


Lajmi kryesor:

Nëse lufta zgjat, çmimet e larta do të ulin konsumin në Shqipëri! Banka Botërore: Inflacioni do jetë 5%, pritet shtrenjtim i drithërave dhe energjisë


M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?