Banka Botërore

Banka Botërore jep shifra të zymta për ekonominë e Shqipërisë, rënie prej -8.4% në vitin 2020

7 Tetor 2020, 11:19| Përditesimi: 8 Tetor 2020, 08:26

  • Share

Pas 7 muaj në pandemi të dhënat për recesionin bëhen gjithnjë e më të zymta. Këtë herë është Banka Botërore që pret një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivelin e 8.4%. Fillimisht nga Banka Botërore u parashikua që recesioni ekonomik të ishte në nivelin e 5%. Por edhe ky parashikim mund të ndryshojë pasi pasiguria është tepër e madhe.

Një pandemi e vazhdueshme dhe një vaksinë e vonuar mund të kërkojë një periudhë më të gjatë të distancimit shoqëror dhe frenon rikuperimin e shërbimeve dhe prodhimit, duke shtyrë shumë biznese në falimentim dhe vonon edhe rimëkëmbjen e punësimit”, thuhet në raport.

I gjithë ky përkeqësim do të përkthehet në ulje të të ardhurave për qytetarët. Këtë vit pritet që niveli i varfërisë në vend të arrijë në 41.5%, nga 35.6% që ishte në vitin 2019.

Kriza po rrit varfërinë përmes rritjes së papunësisë. Varfëria ose përqindja e popullsisë që jeton me më pak sesa 5.5 dollarë amerikanë për person në ditë, pritet të rritet me rreth 5 pikë përqindjeje”, thuhet në raport.

Izolimi i ekonomisë për të mos lejuar përhapjen e COVID-19, ka dhënë ndikimin më të rëndë në përkeqësimin e situatës ekonomike, por nuk mbetet pas edhe turizmi.

Recesioni në BE, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, kufizimet në udhëtime dhe distancimi shoqëror, po shkaktojnë një dëm të rëndë në sektorët ekonomikë, përfshirë turizmin dhe sektorin prodhues. Ulja e prurjeve turistike, rënia e tekstilit urdhrat e përpunimit dhe çmimet e ulëta të naftës pritet të nxisin një rënie të eksporteve me 37 përqind”, vijon raporti. 

Sfidat kryesore që ka vendi përpara sipas raportit është ulja e borxhit publik që pritet të arrij në 81.4%, nxitja e konsumit dhe e investimeve private, rritja e mbledhshmërisë në të ardhura.

Ndërkohë rimëkëmbja e ekonomisë do të varet nga përfundimi i pandemisë, procesi i rindërtimit, konsumi, por edhe nga normalizimi i ekonomisë globale. Banka Botërore pret që ekonomia shqiptare të rimëkëmbet me 5 përqind në 2021.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?