David Malpass

Banka Botërore paralajmëron: Lufta në Ukrainë është katastrofë ekonomike për të gjithë botën

4 Mars 2022, 14:06| Përditesimi: 4 Mars 2022, 14:08

  • Share

Lufta në Ukrainë është "një katastrofë" për botën që do të ngadalësojë rritjen ekonomike globale, tha presidenti i Bankës Botërore.

Sipas David Malpass, lufta në Ukrainë vjen në një kohë të keqe për botën, sepse inflacioni tashmë po rritej. Ai theksoi se shqetësimi i tij më i madh është "për humbjen e jetëve njerëzore" që po ndodh. Malpass u shpreh se ndikimi ekonomik i luftës shtrihet përtej kufijve të Ukrainës dhe rritja e çmimeve globale të energjisë në veçanti "do godasë më së shumti të varfrit, ashtu si edhe inflacioni".

Çmimet e ushqimeve janë rritur gjithashtu nga lufta dhe "janë një problem shumë real për njerëzit në vendet e varfra". Malpass thekson se Rusia dhe Ukraina janë prodhues të mëdhenj të ushqimit. Ukraina është prodhuesi më i madh në botë i vajit të lulediellit, me Rusinë numrin dy, sipas S&P Global Platts. Ato përbëjnë 60% të prodhimit global.

Të dy vendet përbëjnë gjithashtu 28.9% të eksporteve globale të grurit sipas. Çmimet e grurit në bursën e Çikagos janë tregtuar në nivelet më të larta të 14 viteve. Furnizimet ruse të këtyre mallrave janë duke u kufizuar për shkak të sanksioneve. Furnizimet ukrainase janë ndalur sepse luftimet kanë mbyllur portet e vendit.

"Nuk ka asnjë mënyrë për t'u përshtatur mjaft shpejt me humbjen e furnizimit nga Ukraina dhe nga Rusia, dhe kjo do të rrisë çmimet," tha Malpass.

Ai u shpreh se e njëjta gjë vlen edhe për furnizimet me energji dhe është veçanërisht e dëmshme për Evropën Perëndimore, ku qeveritë kanë "neglizhuar aspekte të tjera se si të kenë mjaftueshëm energji elektrike". Rreth 39% e energjisë elektrike të BE-së vjen nga termocentralet që djegin lëndë djegëse fosile dhe Rusia është burimi më i madh i kësaj nafte dhe gazi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?