Projekti 8 mln € për ujitjen në Konispol! Ujë me presion në 2500 ha tokë në Xarrë, Vrinë dhe Mursi

14 Gusht 2023, 15:39| Përditesimi: 14 Gusht 2023, 15:57

  • Share

Tetë milionë euro do të kushtojë projekti për vaditjen përmes një teknologjie të re, në ndihmë të fermerëve në Xarrë, Vrinë dhe Mursi të Sarandës. Projekti, investim i Ministrisë së Bujqësisë së bashku me Bankën Botërore, do të mundësojë vaditje me presion në një sipërfaqe rreth 2500 hektarë tokë.

“Kemi miratuar së bashku me Bankën Botërore një projekt të ri me një financim prej 8 Milionë Euro, i cili do të mundësojë krijimin e një stacioni të ri pompimi në Bashkinë e Konispolit, i cili do të pajiset edhe me panele diellore për të ulur kostot e energjisë, në mënyrë që stacioni i pompimit të vihet në funksion të vaditjes. Më tej, e gjithë pjesa e kanaleve dytësore, do të riparohet, një skemë e re ujitje do të vihet në funksion në mënyrë që ujitja të vijë deri në parcelë me ujitje me presion. Është një teknologji e pa vendosur në funksion më parë askund tjetër në Shqipëri. Do ta pilotojmë këtu (në Mursi) edhe në një sipërfaqe prej rreth 500 hektarë në Divjakë. Më pas, kur të shohim benefitet reale të kësaj teknologjie të re, do të mund ta implementojmë edhe në zona të tjera bujqësore të Shqipërisë”.

Zv.Ministri i Bujqësisë Dhimitër Kote, garantoi se fermerët nuk do të kenë më probleme me mosfunksionimin e pompave.

Ky projekt pritet të japë rezultate pozitive në furnizimin me ujë në parcelat e mbjella nga fermerët në zonën e Konispolit, ku do të shërbejë si fazë pilotimi për t’u shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?