Banka Botërore 150 mln $ për
sektorin energjetik të Shqipërisë

1 Tetor 2014, 07:30| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar financimin prej 150 milionë USD nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) për Projektin e Rimëkëmbjes së Sektorit Energjetik në Shqipëri. Projekti do të mbështesë reformat e sektorit energjetik të Shqipërisë, veçanërisht ato të ndërmarra për përmirësimin e besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë financiare të sektorit.

Huaja pritet të investohet në stacionet e shpërndarjes së energjisë, në linjat e transmetimit, si dhe në blerjen e 300 mijë matësave. Mbi 80% e kredisë të sapomiratuar nga Banka Botërore do të përdoret nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë për blerjen e matësave, instalime në rrjet e dhe investime në dy stacionet e shpërndarjes, ndërsa 30 milionë euro do të destinohen për blerje emergjente energjie nga importi në dimër.

Huaja e miratuar këto ditë është pjesë e huas prej 270 milionë dollarësh që është premtuar të jepet tre vitet e ardhshme për sektorin e energjisë. Me programin e investimeve, huaja synon të shërojë plagën e rëndë të humbjeve të energjisë. Sipas zëvendësministrit huaja e marrë me terma të butë ka një periudhë grant 7 vjet, pas të cilës periudha e shlyerjes nga kompanitë e sistemit të energjisë do të jetë për 22 vjet.

Sektori energjetik po përballet me sfida të mëdha financiare dhe operacionale në Shqipëri, që manifestohet me një deficit të pafinancuar prej rreth 550 milionë USD dhe një nivel të lartë humbjesh teknike dhe tregtare prej rreth 42 përqind - më i larti në rajon - për shkak të mospagesës së faturave të energjisë elektrike nga konsumatorët si dhe nga niveli i ulët i arkëtimeve. Prodhimi i energjisë mbështetet pothuajse plotësisht tek energjia e prodhuar nga hidrocentralet, kështu që shpesh herë nevojitet importi i energji në mënyrë urgjente gjatë periudhave të thatësirave.

aprovimi i bb

"Entet kyçe të projektit janë: Kompania e Shpërndarjes, OSHEE e cila do të përftojë nga reduktimi i humbjeve, përmirësimi i faturimit dhe i nivelit të arkëtimit; KESh, kompania më e madhe prodhuese e Shqipërisë, e cila do të përfitojë nga përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare; dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST, i cili do të përfitojë nga instalimi i një qendre të përmirësuar për të dhënat e matjes për të lehtësuar ristrukturimin e treguttha Salvador Rivera, Specialist i lartë i Bankës Botërore për Energjinë dhe Drejtues i Ekipit të Projektit. “Projekti është një hap i parë i nevojshëm për të mbështetur reformat e sektorit që do të çojnë drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe besueshmërisë”. 



Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?