Banka Botërore: Shqipëria fiton 
40 pozicione në klimën e biznesit

30 Tetor 2014, 07:20| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Shqipëria kryen një “kërcim” të jashtëzakonshëm këtë vit në drejtim të klimës së biznesit, duke lëvizur pozitivisht 40 pozicione ndër 189 ekonomi të botës, të vlerësuara nga Banka Botërore. Raport i ri i Grupit të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2015” konstaton se Shqipëria ka bërë progres në reformat rregullatore të biznesit, duke u ngjitur në vendin e 68, 40 vende më lart krahasuar me një vit më parë.

Sipas raportit, Shqipëria ka kryer përmirësime në tri fusha të reformës rregullatore: hapja e biznesit, procedura e lejeve të ndërtimit dhe regjistrimi i pronave. Hapja e biznesit është bërë më të lehtë përmes uljes së tarifave të regjistrimit. Ka lehtësuar procedurën e lejeve të ndërtimit, përmes rifillimit të lëshimit të lejeve të ndërtimit dhe përmes konsolidimit të lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit në një leje të vetme zhvillimore ndërtimi.
Gjithashtu, Shqipëria e ka bërë më të lehtë kalimin e pronës, përmes vendosjes së afateve të efektshme dhe kompjuterizimit të kartelave të pasurive të paluajtshme.

Ndërkohë, Shqipëria e ka dobësuar sistemin e transaksioneve të mbuluara me garanci, përmes një ndryshimi të Ligjit për Barrët Siguruese, i cili nuk lejon vendosjen e barrës siguruese mbi aktivet e patrupëzuara. Gjithashtu Shqipëria e ka bërë më të kushtueshëm pagimin e tatim-taksave nga shoqëritë tregtare, përmes rritjes së shkallës së tatimit mbi fitimin.

Largësia nga vlerësimi me pikë kufi në “Të bësh biznes 2015” është 66,1 duke shënuar përmirësim me 6,3 pikë krahasuar me 59,8 në “Të bësh biznes 2014”.
Vitin e kaluar, fillimisht Shqipëria ndodhej në vendin e 90, por një ndryshim i kritereve të vlerësimit e çoi atë në pozicionin 108.
 
Raporti
Raporti i BB mat lehtësinë e të bërit biznes në 189 ekonomi, në bazë të 11 rregullave të biznesit lidhur me këtë, duke përfshirë edhe fillimin e biznesit, marrjen e kredisë, lidhjen e energjisë elektrike dhe tregtine përtej kufijve. Raporti nuk përfshin gjerësinë e plotë të shqetësimeve të biznesit, të tilla si siguria, stabiliteti makroekonomik, ose korrupsionit.

Raporti i këtij viti, “Të bësh biznes 2015: Shkuarja Përtej Efiçiencës”, përdor të dhënat dhe metodologjinë e reja në tri fusha: zgjidhjen e paaftësisë paguese, mbrojtjen e investitorëve të pakicave dhe marrjen e kredisë.
Raporti “Të Bësh Biznes 2015” konstaton se Singapori kryeson renditjen globale në lehtësimin e të bërit biznes. Pas atij, në listën e 10 ekonomive me shumicën e pikëve mbi kushtet rregullatore të biznesit, janë Zelanda e Re, Kina, Danimarka, Republika e Koresë së Jugut, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda dhe Australia.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?