Balla:Reforma në Drejtësi do bëhet,
kërkoni falje për çizmet e ulërimat

15 Janar 2018, 18:00| Përditesimi:

  • Share
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, e ka cilësuar një shfaqje të turpshme protestën e opozitës në seancën e fundit plenare për vitin 2017, ku u zgjodh prokurorja e përgjithshme, Arta Marku.

Balla tha në foltoren e Kuvendit, në nisje të sesionit të ri parlamentar, se çizmet, shishet dhe togjet e letrave të punës, tymueset, ulërimat histerike, nuk kanë lidhje me parlamentarizmin. Deputeti socialist i kërkoi opozitës të bashkohet për të bashkëpunuar mbi reformën në drejtësi, duke shtuar se PS nuk do të ndalet deri në zbatimin e saj, si dhe të integrimit të Shqipërisë në BE.

"Fjalimet ngjanin si një i vetëm dhe ishin të përqendruara te seanca e fundit e 2017. Bashkohem me ju në vlerësimin që seanca e fundit ishte një shfaqje e turpshme dhe që nuk duhet përsëritur. Çizmet, shishet dhe togjet e letrave të punës, tymueset, ulërimat histerike nuk kanë lidhje me parlamentarizmin. Turpi gjithmonë dhe asnjëherë nuk është kolektiv. Përgjegjësia është individuale, turpin le ta mbajë kush e ka dhe kush nuk di ta mbajë le të paguajë gjyqin e opinionit publik. Seanca e fundit ishte shfaqja më e turpshme, opozita ia la për ta paguar populli shqiptar. Ajo ofron vizion dhune, që nuk ka të përbashkët me Evropën.

Opozita u orvat të bllokonte reformën në drejtësi. Kjo ndodhi ndonëse caktimi i kryeprokurores me një mandat të përkohshëm ishte legjitim. Pse SHBA dhe BE e mbështetën procesin? Ndërsa kushdo tjetër, që njihet për arsyet që ka kundër reformës në drejtësi, e kundërshtoi. Shqipëria sot është në një udhëkryç shumë të rëndësishëm, presim hapjen e negociatave.

Bashkëpunimin nuk jemi vetëm ne që ua kërkojmë, por 99% e shqiptarëve, që kërkojnë të shtyjnë përpara procesin e integrimit. Lulzim, Monikë, je e ndëshkuar për fyerjen e rëndë. Opozita nuk vjen për të përfaqësuar këtë sallë, por atë 1% e vogël që i frikësohet drejtësisë. Për ju drejtësia do të thotë humbje e pronave. Për PS nuk ka dy standarde, dy drejtësi, dy vija sjelljeje.

Reforma në Drejtësi garanton aspiratat e qytetarëve shqiptarë, asnjë forcë politike nuk mund ta ndalë. Ne do vazhdojmë të kërkojmë dialog me ju, me bindjen se për drejtësi nuk ka të djathtë e të majtë. Askush nuk do të na ndal në rrugën që duam për Shqipërinë evropiane. Ne do ta bëjmë realitet reformën në drejtësi, me apo pa opozitën, sepse kemi shqiptarët. Ju i detyroheni shqiptarëve një ndjesë kolektive për atë që bëtë në seancën e fundit. Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë baltën, as çizmet firmato, të një opozite të mbledhur grusht nga frika e reformës në drejtësi.

Sot edhe deputeti më i padisiplinuar largohet nga foltorja sapo bie gongu, kjo tregon se në këtë Kuvend s’ka më vend për rrumpallë, sepse është institucion transparent dhe i disiplinuar. Ftesa jonë është sot që brenda janarit të miratojmë Kodin Etik, të përshtasim dhe sjellim rregulloren në të njëjtën linjë. Të punojmë të gjithë së bashku në këtë vit, që do të jetë viti i Shqipërisë evropiane", tha Balla. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?