Balla: PD duhet të japë llogari
sipas ligjeve shqiptare

25 Nëntor 2017, 16:07| Përditesimi:

  • Share
Pas deklaratës së Partisë Demokratike në lidhje me akuzat që i bëheshin për 825 mijë $  e përdorura për lobim në SHBA, deputeti i PS Taulant Balla ka reagur duke thënë se jemi para një skandali të rëndë ku gjendet e përfshirë vula dhe emri i PD.

Balla shkruan se rezultonë pagesa prej1 milion dollarë që PD i ka nisur vetëm tek kompania e lobingut në SHBA dhe mosdeklarimi i tyre përbën vepër penale mbi të cilat ngrihen akuza dhe për të cilat Lulzim Basha duhet të përgjigjet personalisht.

Deputeti Taulant Balla ngre disa pikëpyetje "se nga vijnë ato para? Kush i dha? Pse nuk i deklaroi PD?".

"Partia Demokratike nuk e mohoi që i ka paguar 1 milion dollarë një kompanie të huaj për lobing. Madje, sot konfirmuan që 1 milion dollarë janë paguar, të kontrolluara sipas ligjeve të shtetit ku funksionon ajo kompani e huaj", shkruhet në deklaratën e Ballës.

Deklarata për shtyp e Taulant Ballës

Deklarata e shkruar nga avokatët e Lulzim Bashës tregon qartë se jemi para një skandali të rëndë, ku gjendet e përfshirë vula dhe emri i Partisë Demokratike.

Partia Demokratike nuk e mohoi që i ka paguar 1 milion dollarë një kompanie të huaj për lobing. Madje, sot konfirmuan që 1 milion dollarë janë paguar, të kontrolluara sipas ligjeve të shtetit ku funksionon ajo kompani e huaj.

Tani pyetja është: Partia Demokratike ku e zhvillon aktivitetin!? Dhe, se në përgjigje të kësaj pyetjeje, çdo subjekt apo organizatë politike duhet të respektojë, të kontrollohet dhe të auditohet nga institucionet e Shqipërisë. Me “alibinë” e dalë boje 10 vite më parë po nga Lulzim Basha, që nuk kemi respektuar ligjin shqiptar por atë të një vendi tjetër, jemi para disa veprave të rënda penale.

Në vijim të nevojës që publiku dhe anëtarët e thjeshtë të Partisë Demokratike presin transparencë, PD duhet të sqarojë përse paratë e lobimit nuk janë deklaruar.

Nga vijnë ato para?

Përse nuk janë paguar nga PD, por nga kompani guackë të regjistruara jashtë Shqipërisë?

Cila është lidhja e kësaj kompanie guackë me PD dhe Lulzim Bashën?

Dhe për transparencë të publikut: shpenzimet e PD për fushatën zgjedhore të 25 qershorit raportohen vetëm 500 mijë dollarë, dy herë më pak sesa shpenzimet e kryera për këto pagesa për kompani lobingu.

E thënë më qartë, transfertat e konsulencës së PD-së për "Muzin Capitol Partners" dhe kompaninë tjetër lobuese “Barnes and Thornburg LLP” tejkalojnë të ardhurat e saj totale, të deklaruara në KQZ-së prej 88 milionë lekësh.

Me këto para pretendon se ka paguar të gjitha shpenzimet e fushatës së verës së kaluar.

Por në fakt, tani na rezulton se 1 milion dollarë PD i ka nisur vetëm tek kompania e lobingut në SHBA.

Nga erdhën këto para? Kush i dha? Pse nuk i deklaroi PD?

Këto nuk janë shashka, por vepra të rënda penale mbi të cilat ngrihen akuza dhe për të cilat Lulzim Basha duhet të përgjigjet personalisht.

Ndërkohë, një ditë më parë Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet për kontratën e Partisë Demokratike për disa kompani lobimi në SHBA, të cilave u janë paguar nga selia blu 1 milion dollarë për të siguruar mbështetje politike nga Uashingtoni. Burime pranë akuzës së Tiranës thanë ekskluzivisht për Shqiptarja.com se objekt i hetimit do jetë verifikimi i burimeve të financimit të kësaj shume, e cila nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?