Balla inspekton rrugën Cërrik-Belsh-
Grekan: U shërben mijëra banorëve

27 Nëntor 2017, 16:36| Përditesimi:

  • Share
Me fonde të qeverisë shqiptare ka nisur investimi në rrugën Cerrik-Belsh-Grekan, një aks i cili u shërben mijëra banorëve të zonës së Dumresë dhe jo vetëm. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i shoqëruar nga deputeti Luan Duzha inspektuan ecurinë e punimeve duke vënë në dukje rëndësinë që ky aks ka, jo vetëm për zonën.

Deputeti Balla u shpreh se kjo rrugë e kthen Cerrikun në kryeqendrën e Shqipërisë. "Kjo është një rrugë që i jep Cerrikut një rol shumë të rëndësishëm në ndërlidhjen e të gjithë pjesëve të Shqipërisë, e lidh me Beratin, Korçën për shkak të rrugës së re të Gramshit, sigurisht dhe me Elbasanin. Në këtë mënyrë  Cerriku po bëhet kryeqenda e Shqipërisë bashkë me Belshin. Dhe është dalja më e shkurtër me 40 km e Beratit me Tiranën. Pra, Berati e ka lidhjen me Tiranën 40 km më të shkurtër përmes këtij segmenti”, - tha Balla.

"Ky është një nga tre lotet e rrugës nacionale Cerrik-Ura Vajgurore. Është një rrugë me të gjitha standardet duke parashikuar trotuare dhe ndriçim në zonat e banuara. Kjo rrugë do t'u shërbejë banorëve të asaj zone dhe bizneseve të tyre”, -theksoi Duzha. Kryetari i grupit socialist diskutoi me përfaqësuesit e firmës zbatuese edhe për punësimin e banorëve të zonës si një domosdoshmëri në zbatimin e çdo projekti. 

"Eleminoni asistencat sepse i latë njerëzit të rrinë tek dyert e bashkive. Njerëzit presin atë 5 mijë leksh dhe nuk duan punë dhe ky është problemi që ne nuk gjejmë punëtorë. Edhe pse kemi pagat jo më pak se 45 mijë lekë në muaj, përsëri nuk e duan atë pagë, preferojnë 5 mijë lekshin e ndihmës ekonomike. Është bërë shumë shumë problem për punëtorë, 200 punonjës dua unë sot dhe nuk vijnë”- u shpreh Agron Hysa.

Rruga është parashikuar të plotësojë të gjitha standardet në të gjithë gjatësinë e saj prej 16 km. Në zonat e banuara do të ketë trotuarë dhe ndriçim, ndërkohë që për zgjerimin e saj është gjetur konsensus i plotë nga banorët e zonës.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?