Balla i kujton Bashës 'Rrugën e
Kombit': Shpëtove me raporte

9 Nëntor 2017, 17:26| Përditesimi:

  • Share
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla iu përgjigj akuzave të Lulzim Bashës nga foltorja e Kuvendit për kanabisin dhe krimin ku sipas tij janë të përfshirë edhe qeveritarët. Balla tha se kryedemokrati është i vetmi që i është fshehur drejtësisë me raporte mjekësore për skandalin e rrugës Durrës-Kukës, ku për 64 km rrugë janë shpenzuar 1 miliardë euro, ndërsa abuzimet arritën sipas prokurorisë në 230 milionë euro. 

"Më vjen shumë keq për degradimin e Partisë Demokratike. Ai që e ka hundën nën kësulë dhe që themeluesit e PD-së e kritikojnë se po shkatërron këtë parti, tani po na qan hallin edhe të Partisë Socialiste. Basha di vetëm të gënjejë, nuk di t'u dalë problemeve përballë. Nga Holanda ke mësuar vetëm fjalën kanabis. Topalli thoshte se Basha di vetëm të gënjejë dhe sot pati mundësinë të bënte të njëjtën gjë. Si mund t’i besojnë edhe ata që e votuan këtë zotëri të bëjnë të njëjtën gjë në zgjedhjet e ardhshme. Ke ndërtuar një rrugë 62 km për 1 miliardë euro, ndërsa ne po ndërtojmë sot 94 kilometra me 70 milionë euro. Ti je njeri që i je fshehur drejtësisë për abuzime 230 milionë euro. Nga Holanda ke mësuar vetëm fjalën kanabis, nuk arrite të mësosh gjë tjetër”, u shpreh Balla.

Sa i takon akuzave për Klement Balilin, Balla iu përgjigj Bashës se ai është përfaqësues i LSI, aleatëve të sotëm të demokratëve. "Klement Balili nuk ka lidhje me PS, por është përfaësues i LSI. Nipi i Balilit është kryetbashkiaku i Delvinës i propozuar nga LSI. Apo se LSI sot është në krahun tuaj ky qenka sot i PS. Jo, nuk ka lidhje fare me PS. Dhe Lulzimi erdhi këtu e hodhi të njëjtat akuza. Mund ta pranonim përgjegjësinë kur ishim në koalicion me LSI, por jo sot. Agron Kapllanaj preket nga ligji i dekriminalizimit, nuk ka gjë që e shpëton, por e shpëtoi urdhri i Bashës përmes Klement Zgurit, 4 anëtarë të KQZ dhe për turp edhe ai i LSI-së, mbajtën në detyrë një kryebashkiak të akuzuar, arrestuar dhe dënuar për vjedhje makinash e shtëpish në Itali. S'i nuk ju vjen turp që flisni për kriminelë kur keni kriminelë në parti? Doni zgjedhje, hajdeni ta provojmë në Mallakstër, ne të vetëm, ju të gjithë bashkë". 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?