Baladat arbëreshe kthehen në grafika nga nxënësit e Liceut Artistik

19 Dhjetor 2022, 15:48| Përditesimi: 19 Dhjetor 2022, 22:50

  • Share

U hap sot ekspozita “Përrallat e baladat arbëreshe përmes artit grafik”, me punimet e nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja”.  Kjo ekspozitë shënoi kurorëzimin final të projektit “Përrallat e baladat arbëreshe përmes artit grafik”, realizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me Liceun Artistik “Jordan Misja”. Pas disa takimeve konsultative dhe leksioneve të hapura për njohjen e baladave arbëreshe, në fazën përfundimtare erdhi konkretizimi me punime artistike nga ana e nxënësve, të cilat u ekspozuan në mjediset e QSPA.

Ceremoninë e hapjes e përshëndeti fillimisht drejtoresha ekzekutive e QSPA-së, prof. Diana Kastrati, e cila falënderoi të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite, ku të rinjtë shpalosin fantazinë e tyre për baladat arbëreshe. Më tej, fjalën e mori ideatorja e këtij projekti, dr. Dorina Arapi, studiuese pranë QSPA-së, e cila vlerësoi impenjimin e madh të nxënësve, që arritën të përftojnë produkte shumë cilësore brenda një kohë të shkurtër.

Të pranishëm në ceremoninë hapëse ishin edhe pedagogët e artit pamor, Holta Roçi (udhëheqësja e këtij projekti), Ahilino Palushi dhe Jozita Shkreli, të cilët u ndalën në shpjegimin e proceseve të punës nga ana e nxënësve, si dhe në teknikat e përdorura për realizimin e punimeve.

Idetë e shpalosura dhe mënyrat e realizimit të punimeve u theksuan nga secili prej të rinjve gjatë prezantimit të punimeve të tyre. Ata treguan edhe detajet që ju kishin bërë më tepër përshtypje në baladat “Kostandini dhe Doruntina” dhe “Kostandini i vogëlith”, balada të cilat ishin edhe busulla orientuese për interpretim pamor.

Në fund të ceremonisë, QSPA shpërndau certifikata pjesëmarrjeje për të artistët e rinj.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?