Baçe përgënjeshtron UNESCO-n: Berati
dhe Gjirokastra nuk janë në listën e zezë

18 Prill 2013, 04:40| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Në mjediset e Institutit të Monumenteve të Kulturës u mbajt dje një konferencë shtypi nga Drejtori i IMK-së, Prof. Apollon Baçe dhe Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në MTKRS, z. Arbër Kadia. Në fillim u paraqitën rezultatet e arritura nga ekspozita “Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare” në Romë dhe Torino.

“Pati një vizitueshmëri prej 97.000 mijë persona dhe një sërë personalitetesh politike italiane, ndër ta Presidenti i Italisë Napoletano”, tha Baçe. Në konferencën për shtyp dje u trajtua dhe raporti i fundit 51 faqesh i ICOMOS-it, i ngarkuar me mision monitorimi nga ana e UNESCO-s, i dorëzuar këtë javë në IMK dhe MTKRS.

Konferenca e mbajtur dje sipas Apolon Baçes është “në përgjigje të disa artikujve mediatikë të ditëve të fundit, ku spekulohet me mundësinë e futjes së Gjirokastrës dhe Beratit, të shpallur nga UNESCO pasuri botërore e Njerëzimit, në listat e siteve më në rrezik”. Baçe citoi nga raporti pjesën ku thuhet se “Misioni ve në dukje se Shteti ka për vullnet dhe qëllim plotësimin e angazhimeve dhe kërkesave të Konventës së Trashëgimisë Botërore dhe direktivave operative.

Institucionet e tija kryesore janë partnerë të gatshëm për mbrojtjen dhe menaxhimin e vlerave universale të kësaj trashëgimie. Si i tillë rreziku për të kaluar në listat e siteve të rrezikuara nuk mund të merret në konsideratë për momentin”. Ndërkohë Baçe u tha gazetarëve se raporti është përkthyer keq dhe Gjirokastra dhe Berati nuk janë në listën e zezë.

“Në të kundërt, duke u nisur nga spekulimet raporti e “kryqëzon IMK-në” me personel të papërgatitur”, tha Baçe. Sipas drejtorit të IMK-së, “raporti vlerëson gamën e gjerë të aktiviteteve të institucionit dhe arrin në përfundimin se ai ka “specialistë me standarde të larta profesionalë që dinë të ndjekin prioritetet”.

Në fjalën e tij Apollon Baçe theksoi se jep një sërë rekomandimesh kryesisht të aspektit struktural dhe legjislativ dhe këshillon përmbushjen e tyre deri në fund të vitit 2014. Pyetjes së gazetës “Shqiptarja.com” se me cfarë fondesh konkrete do të operohet që të konfirmojë se qytetet nuk janë në listën e zezë”, Baçe iu përgjigj se në 2012-n janë lëvruar gjashtë herë më shumë fonde se në 2008-n.

Gjithashtu nga ana e Drejtorit të Trashëgimisë u përmend edhe lista e aktiviteteve që do të mbahen nesër me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve ku fokus i veçantë do t’i kushtohet pjesës edukative në lidhje me trashëgiminë kulturore dhe materiale.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?