Baballarët e pikturës së re,figurativja
gjuha e parë e shkollave shqiptare

16 Dhjetor 2013, 09:30| Përditesimi:

  • Share
Urtësia e historisë së artit, është, edhe ajo, një prej karakteristikave të çmuara figurative të gjuhës së shkruar të një kombi. Historia e Artit Shqiptar nis shumë më herët se shek. XX, por në këtë shekull shfaqet arti i ri i pasqyrimit të drejtëpërdrejtë të botës së përditshme. Në të dy vendet tona gjuha figurative u shfaq si fenomenologji e shkencave sociale, me ngjashmëritë dhe pangjashmëritë ndërmjet tyre.
Në kohët e sotme është bërë e ditur se arti i ri ose modern ka më shumë se 100 vite jetë dhe koha e nisjes së tij ka ecur njëherazi me përpjekjet për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare nga patriotët e ditur të popullit shqiptar. Baballarët e pikturës së re, të fillim shek. XX, si Kolë Idromeno, Mikel Kodheli, Spiro Xega, Andrea Kushi, Simon Rrota, Vangjush Mio praktikuan artin profan dhe i tejkaluan imazhet me përmbajtje fetare në kohën pasbizantine, duke u bërë gjashtë personalitetet e para, më të rëndësishëm të arteve pamore në teritorin shqiptar.

Ata dhanë kontribut vendimtar në ndërtimin e pikturës laike në ato dhjetëvjeçarë. Fati e deshi që Kolë Idromeno të lindë, aty, thuajse, në mesin e tokës së shqiptarëvë. Ai është fillimtari ynë në pakufitë tona. Me të fillon historia e artit të epokës moderne shqiptare. Edhe pse një përcaktim i kufizuar, kurrsesi nuk e mohon veprimtarinë themeltare të fotografëve Pjetër Marubi, Kristaq Sotiri; krijimtarinë pasionante të piktorëve Theohar Gjini, Ndoc Martini, Qenan Mesarea, Çatin Saraçi dhe veprimtarinë patriotike të rilindasve artistë si Murat Toptani, Vangjel Zengo dhe Nikolla Lako. Me krijimtarinë e tyre, të përbashkët u formua kultura e fortë figurative, lindi mjedisi i ri i pikturës, që fillimisht belbëzoi me gjuhë figurative naive dhe, më pas në kohë zhvillimesh, e qartësoi dhe mori formën e një pikture figurativo-realiste, të kryer prej profesionistësh. Ata mbijetuan dhe sollën për herë të parë atmosferën europiane të artit në viset tona.

Ata patën vullnetin, për të vlerësuar individualitetin dhe trashëgimitë e kombit. U kujdesën që rrënjët e një arti të liberalizuar në formë, të demokratizuar në përmbajtje, prej atmosferës së temave nga jeta e përditshme, të rriteshin e të përkraheshin nga brezat e ardhshëm. Ata ishin ëndrrimtarë dhe pikturuan, pasqyruan ndjesitë e jetës, fizionominë e natyrës dhe plastikën e njeriut shqiptar.
 
Pas viteve '20-të, krijimtaria e tyre, edhe pse gjeneroi pikturë me fizionomi lokale, u përcaktua si veprimtari kulturore e "klasikëve" e të dy vendeve tona. Ata mirëpritën dhe ndihën formimin e artistëve tradicionalë, që u edukuan në shkolla arti si brenda rajoneve shqipfolëse ashtu dhe jashtë tyre. Piktura e klasikëve të fillim shekullit të shkuar dhe ajo, e tradicionalëve të mesit të tij, brumtoi kulturën figurative në të dy mjediset, këndej dhe andej kufirit.

Në Shqipëri, shkolla e Vizatimit, çelur në Tiranë, e lindur në vitin 1931, e themeluar nga Andrea Kushi, Mario Ridola, Odhise Paskali, përgatiti artistët e brezit të parë të tradicionalëve, që u edukuan si profesionistë në akademitë dhe shkollat e larta të artit të Romës, Firences, Athinës, Bukureshtit, Beogradit dhe Parisit në fund të gjysmës së parë të shek. XX. Piktorët si Abdurrahim Buza, Zef Kolombi, Androniqi Zengo Antoniu, Nexhmedin Zaimi, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Sofia Zengo Papadhimitri, Vladimir Jani, Hasan Reçi, Vangjush Tushi u bënë elita e brezit të dytë të arteve figurative. Krijimtaria, idetë, imazhet e tyre ishin aktive deri në fund të viteve `50 dhe ishin ekzistente deri në fund të viteve '90. Ata kishin njohuri dhe aftësi pasqyruese përkundrejt modelit dhe atmosferës natyrore në jetën reale. Ata u gjendën disa herë në mesin e interpretimeve akademike, realiste dhe impresioniste, disa herë të tjera i'u përshtatën krijimit të veprave me impakt ideologjik dhe, me dashje apo pa dashje, u bënë profesorët e një brezi tjetër piktorësh, që nisi të jetojë në kohët e mjera komuniste.

Në Kosovë, shkolla e Artit të Pejës, e lindur në vitin 1949, u duk pothuaj njëzet vite më vonë se ajo e Tiranës. Ajo u themelua me kontributin e pamohueshëm të piktorëve më të parë Vllada Radoviq, Shahin Kryeziu dhe Svetozar Kamenoviq. Nga programet e kësaj shkolle u përgatitën si fillestarë e pasionantë të pikturës, piktorët themeltarë e modern të Kosovës, të cilët pasi studiuan dhe u formuan në shkollat e Beogradit, Zagrebit, Lubjanës, u kthyen si piktorë me vizione figurative moderne, gjërësisht europiane. Nuk mund të mos kujtojmë një fakt sa i thjeshtë aq dhe historik që lidhet me Shahin Kryeziun, i cili u edukua me pikturën dhe vizatimin në Shkollën e Vizatimit në Tiranë gjatë viteve `30 dhe më pas nga 1940-1944 në Akademinë e Arteve në Torino.

Ky fakt domethënien e vet e ka tek ideja se Shkolla e Pejës ka dy struktura burimore në lindjen e saj. Një burim vinte nga Shkolla e Vizatimit dhe ajo e Italisë, të cilën dukshëm e ka përfaqësuar Shahin Kryeziu dhe burimi tjetër vinte nga Radoviq dhe Kamenoviq, të cilët sollën strukturën moderne të shkollave të Europës përtej Alpeve.  Kjo përmendje të dhënash historike tregon se të dy shkollat në trojet tona pothuajse kanë bazamente të njëjta prurjesh dhe dëshirash për të figuruar artin e pikturës dhe të vizatimit.
 
Piktorët si Ëngjëll Berisha, Nustret Salihamixhiqi,  Agush Beqiri, Hilmija Qatoviq, Gjelosh Gjokaj, Muslim Mulliqi, Xhevdet Xhafa, Rrexhep Ferri, Tahir Emra, Kadrush Rama, e artistë më të rinj, krijuan sëbashku, bazamentin e një shkolle të re figurative, e cila prodhoi pikturë unike, që nuk kishte lidhje të ngushta me shkollën realiste të pikturës në Shqipëri, e cila po shtyhej drejt përzierjes së saj me metodën e realizmit socialist. Themeltarët e artit të Kosovës nuk kishin lidhje të forta me programet e akademive rigoroze realiste europiane, kryesisht ato italiane, ku studjuan më së shumti piktorët e lartëpërmendur të Shqipërisë.

Themeli i kreativitetit të shkollës së piktorëve shqiptarë të Kosovës u hap prej pasionit për pikturën dhe prej studimeve të kujdeshme mbi estetikën e eksperiencave të shumta të kohës moderne të Europës lindore dhe perëndimore nga Franca e lart saj. Piktorët e saj u frymëzuan prej preferencave dhe ndikimive të hapura ndaj artit të mjeshtrave modern botëror, të cilët sollën të gjitha drejtimet dhe lëvizjet e artit, të shfaqura  nga mesi i shek. XIX e deri në mesin e atij XX. Kjo epokë imazhesh, idesh dhe teorish, mbi pikturën, ndikoi mbi formimin e koncepteve piktorike në mjedisin e arteve pamore të ish Jugosllavisë, ku bënte pjesë organikisht mjedisi i piktorëve shqiptarë të Kosovës, të cilët për fatin e tyre të mirë, në një formë apo në një tjetër, nuk arritën të ndikoheshin nga një art i politizuar dhe i ideologjizuar i sistemit socialist, por i'u kushtuan më së shumti opsioneve të shprehive figurative abstrakte, minimale dhe ekspresive. Ata krijuan shkollën e Prishtinës dhe e transmetuan vullnetin e tyre vizual te brezat e piktorëve në vijim.
 
Në ekspozitën e përbashkët "Imazhi gjuhësor i piktorëve të hershëm tradicionalë në viset tona" ekspozohen 24 piktura të piktorëve tanë të talentuar tradicionalë. Ato u pikturuan kohë më parë prej tyre dhe sot janë sëbashku në konceptin për njohje gjuhësore, kaq e rëndësishme për njohjen në thellësi të arteve tona, që deri dje u zhvilluan në kahe të ndara. Secili imazh është shprehje treguese e preokupimit profesional e vetjak. Ne, sot, zbulojmë përmes nostalgjisë dhe admirimit për të shkuarën tonë të përbashkët, nervin dhe gjallërinë e shpirtit krijues, kapriçiot dhe mënyrën e të pikturuarit të secilit piktor. Veprat e tyre, sjellim në memorjen tonë epokën, njeriun dhe mjedisin e dikurshëm, zbulojnë interesat artistike të secilit piktor dhe dallojmë elemente të së përbashktës estetike.

Me vullnet kam përjashtuar mendimin mbi ndryshueshmëritë e thella të stilit të çdo grupi dhe mbi ndryshueshmëritë vetjake të gjtihësecilit piktor, pasi janë evidente. Me pozitivitet kam zgjedhur portretin, si një gjini e afërt e piktorëve  dhe  kam  vëzhguar me kujdes identitetin tonë, temperamentin dhe psikologjinë e personazhit shqiptar, llojin dhe elementet përbërës të statusit social. Kam gjetur gjestin e piktorit, i cili na orienton rreth aftësive, forcës së ndjeshmërisë dhe mënyrës së menduarit gjatë procesit krijues, kam zbuluar lidhjet e piktorit me veten, pra me shoqerinë shqiptare.

Kam zbuluar se nëse preokupimi i artistëve shqiptarë të Shqipërisë ka qenë pasqyrimi i drejtëpërdrejtë i modeleve të afërta e familjarë, në arsye të përkryerjes së elementeve figurativ të pikturës; në krijimtarinë e piktorëve shqiptar të Kosovës kam gjetur një element më shumë, preokupimin, për të pasqyruar gjendjen emocionale të vet piktorit dhe të njeriut shqiptar në trojet e Kosovës, përmes shumëllojshmërive të elementeve formës artistike.
Të gjithë portretet e ekspozuara kanë imazhin e dukjes, që e gjejmë te forma e jashtme e personazhit, te përshkrimi i temës dhe te leximi i elementeve të kohës dhe historisë figurative. Të gjithë portretet kanë një ndjesi të brendshme të një kohe të shkuar, por që mbetet përherë në të tashmet e pambaruara.

Ndjesinë e tyre e gjejmë te raporti i së brendshmes sonë me çastin imagjinar të së brendshmes së modelit të pikturuar; e meditojmë përmes komunikimit tonë me forcën shpirtërore të pasqyrimit të piktorit; e ndeshim te koncepti ynë mbi formulimin që i japim mënyrës së pikturimit te secili piktor. Ekspozita shprehet për anësitë lokale e rajonale, që janë rrënjët e energjisë sonë të përbashkët. Ajo shprehet për anësi ekzistenciale të pikturës së artistëve shqiptarë, që janë rrënjët e dinjitetet artistik të individualiteteve tona krijuese.

Ekspozita e tentoi ta arrij misionin e vet përmes pasqyrimit të veprave si një pjesë e thesarit të çmuar figutativ, që ruhen në bankën e imazheve figurative të Galerive Kombëtare, në Prishtinë dhe në Tiranë, si pronë e trashëgimisë figurative kombëtare shqiptare.  
 
Studjuese Arti
Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë


Shkrimi u publikua sot (15.12.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?