‘Autostrada’ energjetike Shqipëri-Maqedonia e Veriut! Banorët e Fierit që preken nga projekti në protestë: S’na japin dëmshpërblim për ullinjtë

21 Mars, 16:28| Përditesimi: 21 Mars, 16:50

  • Share

Fermerë të lagjes Drizë në Fier janë ngritur në protestë mëngjesin e së enjtes duke kërkuar dëmshpërblim për sipërfaqen me ullinj që do tu merret nga shteti për të ndërtuar linjën energjetike 400 KV, Shqipëria-Maqedonia e Veriut.

Ky projekt shtrihet në një sipërfaqe prej 400 mijë metër katror ku preken 21 fermerë dhe 8 prej tyre thanë se tokat i kanë të kultivuara me ullinj 20- vjeçarë. Sipas banorëve, dëmshpërblimi për rrënjë ulliri është qesharak ndërsa ka dhe matje të gabuara të sipërfaqeve të tyre.

“Shteti nuk na vlerëson për tokat. Kam 2 dynym e 700 m, ata e kanë vendosur 2 dynym e 30 metra. Për ullinjtë na kanë dhënë 5 mijë lek për rrënjë. Kjo shumë është tejet e ulët, sepse unë ullinjte i kam kujdesur si të ishin fëmijë”, tha një e moshuar. Ndërsa një tjetër banor tha se “OST kërkon t’i shkulë 130 rrënjë ullinj pa i dhënë ende shumën e kompensiomit”.

Këto toka janë ndarë me ligjin 7501 dhe pjesa më e madhe e banorëve zotërojnë aktin e marrjes në pronësi, por jo certifikatën e pronësisë, gjë që ka sjellë mungesën e dëmshpërblimit. Ndërkohë drejtori i projekteve në OST, Dorjan Sejamini ka pohuar se bashkohet me shqetësimin e banorëve, teksa ka premtuar ndihmesë në etapat e aplikimit për plotësimin e dokumentacionit të saktë.

“Banorëve të prekur nga projekti u është sqaruar se do marrin kompensimin ekstra përtej shumës së përcaktuar në VKM. Janë të lutur të paraqesin dokomentacion përkatës sipas ligjit. Ne kërkojmë të mos ketë vonesa, sepse projekti po zhvillohet me kredi dhe çdo qytetar i Shqipërisë paguan për këtë kredi”, tha Dorjan Sejamini drejtor i projekteve në OST.

Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri – Maqedoni e Veriut do të kushtojë 70.131 mln euro. Buxheti është siguruar përmes një kredie nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfË ) dhe një granti nga “Korniza e Investimeve të Ballkanit”, instrument ky i Bashkimit Evropian. Loti i parë përfshin ndërtimin e shtyllave të transmetimit Elbasan – Qafë Thanë dhe Elbasan – Fier, ndërsa loti i dytë përfshin ndërtimin e nënstacionit 400 kV Elbasan si dhe zgjerimin dhe përforcimin e nënstacionit Fier.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?