Kontrolli i Lartë i Shtetit

Auditimet janar-shtator, KLSH: Dëmi ekonomik dhe shkeljet kapin vlerën 1 miliard euro

23 Nëntor 2022, 10:48| Përditesimi: 23 Nëntor 2022, 15:22

  • Share

Institucionet që kanë kaluar në “sitën” e Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën janar-shtator janë gjetur në shkelje të shumta që kanë sjellë dëm ekonomik por edhe ndikim negativ në administrim të të ardhurave ose shpenzimeve.

Në buletinin e fundit rezulton që ky dëm për të dy zërat të jetë 122 miliardë lekë (mbi 1 miliardë euro), 38% e të cilës vjen nga të ardhurat dhe shpenzimet dhe pjesa tjetër nga shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave.

Konkretisht KLSH nënvizon se në përfundim të auditimeve të kryera përgjatë periudhës janar – shtator 2022 ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare me pasojë dëm ekonomik në të ardhura dhe shpenzime në shumën totale prej 47 miliardë lekë. Në këtë dëm peshën kryesore e mbajnë tatim-taksat me 45 miliardë lekë, tek Doganat 846 milionë lekë, në fushën e shitjes-blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore 421 milionë lekë.

Ndërkohë për të njëjtën periudhë KLSH ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 74 miliardë lekë nga të cilat:

“Nga këto 21,007,564 mijë lekë në fushën e të ardhurave, ku veçojmë vlerën prej 10,182,517 mijë lekë (ose rreth 48% e totalit) e konstatuar në ALBPETROL sha, në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore; si dhe 53,089,493 mijë lekë në fushën e shpenzimeve të kryera jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve, si rezultat i shkeljeve të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keq menaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor, ku veçojmë vlerën 32,817,583 mijë lekë (ose rreth 62% e totalit), konstatuar në Ministrinë e Financave, më konkretisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit dhe Drejtorinë e Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj” thuhet në publikimin e KLSH.

Në total , për periudhën janar – shtator 2022, në përfundim të 120 auditimeve të kryera, KLSH ka dhënë opinione për 97 prej tyre , nga të cilat: 26 opinione financiare për auditimet financiare, 315 opinione përputhshmërie për auditimet e përputhshmërisë dhe 40 janë opinione financiare dhe përputhshmërie. Nga auditimet e realizuara gjatë nëntë mujorit të vitit 2022 ka përcjellë në Prokurori 1 kallëzim penal.

Konkretisht, në auditimin e kryer në DVASHK Sarandë me kallëzimin penal të përcjellë në Prokurori janë kallëzuar 6 persona të konstatuar me shkelje të rënda të cilët janë drejtues të nivelit të lartë e të mesëm (Ish-Drejtor,Drejtoria Rajonale ALUIZNI-t, (aktualisht DVASHK Sarandë); Ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, aktualisht specialist; Ish-Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit, Ish-Përgjegjës i Sektorit të Çështjeve të Pronësisë; Ish-Përgjegjës i Sektorit të Çështjeve të Pronësisë; Ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë)./Monitor

Ora 14:50
1 mld euro dëmi ekonomik, Partia Lirisë apel SPAK për hetim! Caka: KLSH vulosi vjedhjen e korrupsionin e qeverisë

 

Partia e Lirisë i bënë apel Prokurorisë dhe SPAK për të nisur hetimet për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve që shpërdoruan 1 miliardë euro taksa të shqiptarëve në periudhën janar-nëntor 2022.

Kërkesa e Partisë së Lirisë pas daljes në publik të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku sipas Silva Caka, Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun, dëmi ekonomik mbi 1 mld euro ndahet në dy zëra, 38% e të cilës vjen nga të ardhurat dhe shpenzimet dhe pjesa tjetër nga shkelje të financiare me ndikim negativ në administrimin e të ardhurave.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit i vë vulën korrupsionit dhe grabitjes së fondeve publike nga Qeveria e Edi Ramës. Shpërdorimi dhe grabitja e taksave të shqiptarëve, kalon shifrën 1 miliardë euro, vetëm për periudhën janar-nëntor 2022. Tashmë çdo gjë është provuar me dokumente dhe fakte nga KLSH-ja dhe përgjegjësia që bie mbi Qeverinë, është shumë e rëndë dhe e pakapërcyeshme. Shkaqet kryesore të këtij dëmi kaq të madh ekonomik janë:

Së pari, mosrealizimi i të ardhurave dhe shpenzimeve dhe së dyti shkelje të rënda të disiplinës financiare, në administrimin e të ardhurave. Në buletinin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton që ky dëm për të dy zërat të jetë 122 miliardë lekë (mbi 1 miliardë euro), 38% e të cilës vjen nga të ardhurat dhe shpenzimet dhe pjesa tjetër nga shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave. KLSH ka zbuluar shkelje financiare me pasojë dëm ekonomik në të ardhura dhe shpenzime në vlerën 47 miliardë lekë, ku tatim-taksat janë 45 miliardë, doganat 846 milionë dhe shit-blerje e dhënie me qira e pasurisë shtetërore 421 milionë lekë.

Ndërkohë KLSH ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 74 miliardë lekë, nga të cilat 53 miliardë lekë janë si rezultat i keqmenaxhimit të fondeve të programuara dhe realizimit të procedurave të prokurimit publik në shkelje të legjislacionit. Qeveria që grabit 1 miliardë euro vetëm për 11 muaj, nuk ka para për të mbështetur studentët dhe rrogat e pedagogëve. Një situatë e tillë imponon një veprim të shpejtë dhe shumë të rreptë nga ana e drejtësisë. SPAK dhe prokuroritë duhet të fillojnë hetimet e thelluara dhe të çojnë përpara drejtësisë shpërdoruesit e mbi 1 miliardë eurove nga taksat e shqiptarëve. Çdo ditë që Edi Rama dhe Qeveria e tij qëndrojnë në pushtet do të thotë vetëm vjedhje dhe grabitje e gjakut dhe djersës së qytetarëve”, tha Caka.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?