Atleti i parë shqiptar në një gjysmëfinale Botërori, Burraj për Report TV: Dua të kualifikohem për Lojërat Olimpike

8 Mars, 13:42| Përditesimi: 8 Mars, 21:39

  • Share

Franko Burraj është i pari atlet shqiptar për meshkuj i cili arriti të përfaqësojë Shqipërinë në gjysmëfinalet e një gare botërore për sallat e mbyllura. Në Skoci 27-vjeçari, i cili garon në disiplinën e shpejtësisë 400 metra, ishte vetëm 3 sekonda larg rekordit kombëtar që mbahet po nga ai vetë, ndërsa për Report TV atleti tregoi si ishte përgatitur dhe objektivat që kishte.

“Kemi shumë muaj që stërvitemi për këtë kampionat. Na shkoj shumë mirë pasi këtë kishim objektiv për të shkuar në gjysmëfinale. Pse jo, në vitet e ardhshme me më shumë stërvitje të shkojmë në finale,”-u shpreh atleti Burraj. 

Franko është një nga atletët e perspektivës, i cili ka mundësi të rritet shumë në rezultate, ndërsa këtë e tregojnë edhe objektivat që i ka vënë vetes.

“Synimet e mia janë të arrijmë sa më shumë rekorde, pse jo dhe medalje ndërkombëtare, që janë më të rëndësishmet për mua,”-tha ai.

2024 është vit Olimpik dhe çdo sportist ka për synim të jetë në Lojërat Olimpike të Parisit, por Franko ende s’e ka arritur.

“Besoj se do gjejmë garat kryesore për të mbledhur pikët olimpike dhe pse jo për të bërë një paraqitje shumë të mirë atje,”-deklaroi 27-vjeçari.

Franko stërvitjet e tij i zhvillon në Shkodër në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” nën udhëheqjen e trajnerit Bruno Rrotani.

 

 

 

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?