At Zef Pllumi, këshilla Genc Pollos
për reformën në arsim

8 Dhjetor 2013, 07:29| Përditesimi:

  • Share
Kjo letër  e 18 dhjetorit  2005 me shkrimin karakteristik dhe firmën e at Zef Pllumit në fund , drejtuar ish-ministrit të arsimit Genc Pollo, tregon angazhimin e palodhur të atit francceskan në fusën e dijes, arsimimit e përparimit të popullit shqiptar.  Ai bën thirrje se ka ardhur koha për reforma të thella ku veçon profilimin e shkollave të mesme, programet mësimore dhe tekstet. Letra botohet me lejen e kryeredaktorit të “Hyllit të Dritës”  Ardian Ndreca.
 
Letër e Át Zef Pllumit drejtue G. Pollos mbi nevojat e arsimit në Shqipní
Shum i nderuemi Z. Genc Pollo
Ministër i Arsimit dhe Shkencës
Tiranë
Gjatë këtyne pesëmdhetë vjetve të këtij tranzicjoni, që nuk po din kurr me mbarue, kam vrejtë me kureshtje tekstet shkollore shqiptare. Shkolla që nga fillorja e deri në Maturë paraqet shqiptarët e ardhëshëm, që na sot kërkojmë me hy në Europë. Mjerisht të gjitha programet e tekstet shkollore janë KOMUNISTE, por që kan hjekë vetëm emnin e Enver Hoxhës, për t’u dukë demokratike. Sot në Shqipni nuk gjindet asnji njeri që zotnon gjuhët klasike greqishten antike e latinishten përveç ne tetëdhetëvjeçarve: a nuk âsht turp për arsimin shqiptar? Zotni i nderuem a e shef se në provimet e maturës nuk figuron HISTORIA, të cilën bota e ka quejtë “mësuesja e jetës”? Zotni, kqyr programet e kohës së fundit të Ahmet Zogut 1937, nxierri nga sirtarët e pluhnosur dhe kqyri me vemendje se si në shkollën e mesme jepej Historia e Artit dhe Ekonomia politike, landë të doemosdoshme për formimin kulturor të çdo njeriut.

Un personalisht, përmes bamirsave të mij personalë, kam dërgue jashtë shtetit ma shum se njiqind studenta e studente, ndër të gjitha landët, në të gjith Europën : Itali, Francë, Austri, Belgjikë, por kam vu oroe se shkolla e jonë e mesme nuk i pregatitë nxansat ndër të gjitha landët përveç matematikës e co, ndërsa për landët humanistike duhet të fillojnë atje jashtë nga e para. Mendoj se Reforma shkollore duhet vu në vend të parë, në kjoftë se duem me dalë nga terri që kemi sot.
Mendoj se reforma duhet të jetë e gjithanëshme tue i a fillue që nga profilizimi i shkollave të mesme dhe të universiteteve e tue vazhdue me ndrrimin e programeve dhe teksteve.

Profilizimi sot âsht vetëm për shkollat e gjuhëve të hueja dhe ato të artit. Mendoj se duhen shtue ndër tri-katër qytete të Shqipnisë dhe Shkollat Humanistike, ose shkollat klasike. Po bie shembullin: Në Shkodër me reformën arsimore të 1937, ishin katër shkolla të mesme: 1) Gjimnazi I Shtetit-realist 2) Gjimnazi Illyricum (i Fretënve) klasik, Gjimnazi Saverian; tregtar, ndërsa murgeshat françeskane kishin gjimnazin e vajzave.

Po ashtu siç ishin profilizue shkollat e mesme mendoj se duhen profilizue Universitetet; për shembull : Tirana in omnia, Shkodra në Humanistikë, Elbasani në Psikologji etj. – Vjen puna te tekstet e programet shkollore. Mendoj se si programet ashtu edhe tekstet ma të mira të botës janë ato të Austrisë. Të bashkpunohet me atë shtet tepër të kulturuem, dhe të përpiqemi me i ndjekë si në programme ashtu edhe tekste shkollore. Zotni ministër i nderuem, kët letër ta shkrova jo vetëm si mik personal, por edhe si miku i mikut tonë të përbashktë që rrin atje në kryesinë e Europës së bashkueme. Besoj se kjo letër ka me gjetë mirkuptim nga ana e Juej.
Me Nderime Át Zef Pllumi
Shkodër, 18. XII. 2005
 
 Shkrimi u publikua sot (08.12.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?