Majlin Alija

Artisti kosovar që jeton në Amerikë shërohet nga COVID-i, Alija: Dy ditët e para më të këqijat

13 Maj 2020, 20:12| Përditesimi: 13 Maj 2020, 20:28

  • Share

Tashmë e ka fituar betejën me Covid-19. 28-vjeçari nga Kosova që jeton në Amerikë, Majlin Alija rrëfen dy ditët e para kur mendoi se do të bëhej më zi për të. Ai rrëfen për emision ‘Pa gjurmë’ në Report TV se në New Jork ku ai jeton, frika është e madhe dhe se simptoma më e zakonshme nga të prekurit atje është dhembja e barkut. Majlindi në një lidhje skype nuk di të thotë me siguri se ku e mori virusin, por se ishte në punë kur nuk u ndje mirë.

Pasi rezultoi pozitiv u karantinua për 14 ditë, ndërsa u kthye në punë duke u përballur me frikën që kishin kolegët. Në Astoria Qëeens, ku ai jeton perceptimi i njerëzve është se nuk besojnë se COVID është pranë tyre, madje nuk mbajnë as maskat. Karantina i shërbeu për diçka të mirë 28-vjeçarit, i cili merret me muzikë dhe përfundoi këngën me titull "Cold".

Sa vite keni në Amerikë ?

Jam lindur në Prishtinë dhe kur kam qenë dy vjeç kemi ardhur në Amerikë. Kam 26 vite këtu. Aktualisht jam 28 vjeç.

Si mësuat që ishit me Covid ?

Unë e kam mësuar kur kam shkuar në një vend, që nuk është spital por këtu në Neë Jork i themi Emergency Care. Për persona që nuk kanë ndonjë gjë serioze. Kam qenë në punë dhe kam parë që nuk isha 100 përqind mirë. Kam menduar se jam helmuar, se kam ngrënë pica të mbetura në frigorifer. Simptomat i kam pasur si në rastin e Covid. Kam bërë një test dhe më futën diçka në hundë, testi më doli shumë keq. Më thanë duhej të prisja 1 javë. Ndoshta e kam marrë në ndonjë Sunway,  pasi këtu jetojnë 8 milion persona. Kam qenë  në një Subëay, dikush mund të ketë prekur hundën ose gojën dhe më pas kam hapur derën. Nuk e di si e kam marrë. Por këtu ka diçka, që shumë mund të jenë me Covid por nuk i kanë simptomat. Unë nuk kam pasur flamë, as temperaturë, vetëm hunda më nisi të rridhte sekrecione, fillimisht kam menduar se kam alergji. Nuk më është dukur se kam koronavirus. Kam menduar se jam me alergji pasi tani jemi në stinën e pranverës. Dhembje barku kam ndier. Kur kam shkuar, nga mjekët kam mësuar se një nga simptomat më të shpeshta ka qenë dhembja e barkut. Për këtë arsye më kanë bërë testin.

Ju shkuat menjëherë?

Kam qenë në punë, rreth orës 8 të mëngjesit dhe veç pak më ka nisur barku dhe mendova se diçka nuk është normale. Ndaj shkova një ditë më pas.

Kishit takuar persona të tjerë gjatë kësaj kohe?

Sigurisht që jeta këtu është e tillë. Për të shkuar në dyqan duhet të kaloj dy blloqe.

Kishit frikë?

Sigurisht, se unë nuk jam tip që bëj ushtrime. Vetëm se jam i kujdesshëm ndaj ushqimit, ushqehem mirë. Kur e kam pas koronavirusin kam menduar se do të bëhet më zi. Sa kam dëgjuar që kur e ke, niset e niset pak nga pak. Dhe për mua dita e parë nuk ka qenë keq. Kam menduar se mos bëhet më zi nesër, por nuk u bë më zi. Veç dy ditët e para kanë qenë dy ditët më të këqija. Në spital më thanë se mund ta kisha, më morën testin dhe më pas më thanë të qëndroja një javë deri në përgjigjen e testit. Nuk kam qëndruar asnjë ditë në spital. Kam qëndruar në shtëpi, nuk kam pasur kontakte me familjarët.

Ishte e vështirë kjo për ty ?

Për disa gjëra ishte vështirë për disa jo. Pasi unë merrem me muzikë dhe kam qëndruar vetëm. Askush s’ka mundur të më pengojë. Kam pasur një pushim të vogël duke u marrë me gjënë që dua.

Me kë jetoni atje ?

Unë këtu jetoj me vëllanë. Para se të infektohesha mendova të shkoja në shtëpi, të jetoj me prindërit dhe gjyshen. Pasi unë dhe vëllai kemi një studio muzikore dhe punojmë atje, kemi banesë dhe  vegla muzikore. Para se me u nis kjo situatë kam menduar që, ndoshta po shkoj në shtëpi, të jetoj me familjen, me gjyshen, se po bëhet më zi, nuk dua të jem vetëm.

Keni shqiptarë miq atje?

Shqiptarët këtu janë në një rrezik të madh, por ata nuk besojnë se COVID është këtu tani, nuk mbajnë maska, asgjë. Mendoj se dy nga miqtë tanë janë gjithashtu të infektuar. Besoj se janë, por teste nuk kanë bërë.

Mungojnë teste atje?

Janë shumë që kanë kërkuar të bëjnë test, por nuk kanë mundur pasi nuk ka pasur në zonën ku ata jetojnë. Këtu ku unë jetoj në Astoria Qëeens, New Jork kemi pasur shqyqyr. Unë  kam marrë testin diku nga data 29 mars. Sa ditë më shumë kalojnë janë shtuar testet.

Sa ditë ju zgjati e gjitha kjo?

Për mua diku tek dy tre ditë. Në karantinë kam qëndruar 14 ditë, se kështu më kanë rekomanduar mjekët. Nuk u bë më keq për mua.

Pasi u rikthyet në punë kishit probleme me kompaninë ku punoni?

Jo, jo. Krejt më kanë kuptuar. Ndoshta janë frikësuar pak, por unë kam vënë maskat dhe dorezat dhe asgjë nuk ndodhi. Por shumë e kuptojnë, kur je në punë, ka kaluar çdo gjë dhe nuk ka qenë më zi për mua.

Kolegët e punës kishin frikë?

Dy prej tyre kur e morën vesh, më kanë thënë që duhet të qëndroj në shtëpi, por unë i kam thënë se tashmë më duhet edhe unë të punoj, kam nevojë për para. Nuk punoj me qëndru në shtëpi.

Ju ku punoni atje, me çfarë merreni ?

Është një kompani me ndërtesa rezidenciale dhe komerciale, unë jam menaxher atje.

Personat që kishit kontakt në punë, patën nga ata që u izoluan?

Jo nuk janë izoluar, thjesht kanë vënë maskat. Pasi me punën që bëjmë ne duhet të jemi prezent.

Si është situata tani ?

Këtu në New Jork është frikë e madhe. Shumë në Amerikë besojnë se Covid-19 është ekzagjeruar. Unë mjek nuk jam, s’di çfarë të them, por mendoj se është ekzagjeruar pak. Shumë nga kjo situatë në spital thonë se njerëzit po vdesin dhe është një gjendje e vështirë, por disa besojnë që është dhe disa besojnë të kundërtën.

Cili është mesazhi juaj ?

Kushdo që e di se është i prekur duhet të qëndrojë në shtëpi, të ushqehet mirë. Vetëm duhet të mbani veten mirë. Nëse e mban veten mirë asgjë nuk të gjen.

Ju merreni me muzikë ?

Po kam disa projekte bashkë me vëllanë atje. Këtu me thonë Mazh Alija. Kam publikuar këngën "Cold" që e nisa para se të mësoja se isha i infektuar dhe gjatë kohës që kam qenë në karanatinë munda të përfundoja. Shëndet ju uroj dhe faleminderit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?