Artisti Agim Sulaj, 18 vepra origjinale në galerinë e artit: Një mural dhe ekspozitë në Paris për Felinin

25 Shkurt 2022, 21:52| Përditesimi: 25 Shkurt 2022, 22:00

  • Share

Lufta, paqja, globalizimi e deri tek censura e shtypit, 18 vepra të artistit Agim Sulaj ekspozohen në Galerinë e Artit Tiranë. Janë punime origjinale, të punuara me laps, akuarel e akrilik. Ndërsa temat filozofike preferon t’i trajtojë kryesisht tablo vaji. Ekspozita e tij, e kuruar nga artisti Abaz Hado, vjen në kohëra trazirash, ku lufta është kryefjalë e çdo bisede, por siç thotë, veçanërisht në këto ditë njerëzit kanë nevojë për art. Edhe për karikaturën e tij, që shkon përtej satirës, e përsiatet në temat sociale.

“Trajtoj probleme sociale për të sensibilizuar njerëzit. Për të mbrojtur mjedisin, paqen e jetën”, thotë piktori e karikaturisti Sulaj.

Valixhja e emigrantit, ndonëse është një temë universale, nuk mund të mungonte në Shqipërinë e vogël, që ndrydhet çdo ditë e më tepër. Ajo, që artisti vlonjat pikas në këto ditë të rikthimit të tij është boshllëku intelektual, e hapësira mbizotëruese politike.

“E shikoj që Shqipëria sot ka shumë nevojë për intelektualë të vërtetë, për njerëz të vërtetë që të thyejnë sadopak ritmin e politikës”

Thuajse çdo vepër e ekspozuar ka marrë çmime me peshë ndërkombëtare. Gjithsej numëron 204 vlerësime, por asnjëri prej tyre nuk është dhënë nga Shqipëria. E megjithatë, për të ka rëndësi që arti i tij të shkoj tek publiku. Projekti i fundit e lidh me Felinin. I ftuar si një nga figurat e njohura të artit, në  qytetin felinian  të Riminit, ka pikturuar një mural me 16 personazhe të filmit “Amarcord” në “San Guliano”. Me to ka realizuar në studion e tij 55 punime të cilat do t’i ekspozojë në 15 e 16 prill në Paris.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?