Artan Shabani: Ja ku janë
zhdukur veprat e artit

14 Dhjetor 2013, 07:30| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Në vitet 1980-‘90 rreth 120 vepra arti kanë dalë nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve për zbukurimin e institucioneve shtetërore. Procesverbalet dhe dokumentacionet e tyre janë ruajtur të paprekura në Galerinë Kombëtare. Drejtori Artan Shabani, menjëherë pas marrjes së detyrës, ka nisur kërkimin për të mësuar vendndodhjen e veprave. Hapi i parë hidhet me kërkesat drejtuar institucioneve shtetërore që t’i kthejnë këto vepra në fondin e GKA-së. Procesi ka nisur për kthimin e 10 veprave. Nga këto, 5 veprat që i kishte Kuvendi i Shqipërisë i janë kthyer fondit të GKA-së, sipas drejtorit Shabani, ndërkohë që për dy vepra po bëhen procedurat e kthimit, ndërsa pritet të mësohet edhe vendndodhja e tri të tjerave, për të cilat pritet ende një përgjigje nga institucionet që i kanë tërhequr. Pasi të mbarojë procedura e parë e kthimit, “kërkimi do të shtrihet në gjithë institucionet shtetërore të Shqipërinë, por nuk mund të thuhet nëse veprat janë zhdukur ose mund të cilësohen të humbura”, shprehet përgjegjësja e fondit të galerisë Malva Tasho.

Ndërsa drejtori Artan Shabani thotë se “Pas mbarimit të kontrollit në gjithë Shqipërinë do të dal me një relacion përfundimtar, ku do të deklarojë veprat që mund të kenë humbur, ndërsa pikturat e kthyera të fondit do të prezantohen në një ekspozitë. Ndërsa institucionet kryesore si kuvendi dhe kryeministria po i kthejnë veprat në GKA, drejtori Shabani në intervistën për “Shqiptarja.com”, duke rrëfyer qëllimet e kthimit të veprave, shpreh shqetësimin se ku mund të kenë përfunduar veprat që kanë qenë në Shkollën e Partisë dhe vilat e udhëheqësve të asaj kohe...  
 

Zoti Shabani, nga ju erdhi ideja e kthimit të veprave në Galerinë Kombëtare?
-Kemi nisur një procedurë që është normale, sepse një nga pikat që kam në program është mbledhja e veprave të artit që konsiderohen dhe janë pasuri kombëtare e galerisë së kombit shqiptar dhe duhet të sillen në arkivin e saj, të bashkohen në këtë database veprash dhe t’i bashkohen pjesës tjetër që janë rreth 500 mijë vepra.

Ne do të bëjmë një vlerësim total të çdo lloj pikture dhe do të nxjerrin shifrën totale çfarë vlere kemi në Galerinë Kombëtare të Arteve. Iu kemi dërguar letra të protokolluara institucioneve përkatëse që kanë ende veprat e fundit të Galerisë Kombëtare të Arteve, të cilat janë dhënë që nga viti 1980. Kryesisht këto vepra i përkasin artit të realizmit socialist, sepse kemi edhe autorë si Vangjush Mio ose autorë të tjerë që nuk janë pjesë e tij.

Galeria Kombëtare ka shumë probleme ndërkohë që duhen zgjidhur, pse preferuat t’ia nisni nga mbledhja e veprave?
-Sepse më duket korrekte nga ana e institucionit që ta ketë fondin përfundimisht këtu, të jetë një arkiv kombëtar, të dixhitalizohet. Ne kemi gati 90 për qind të dixhitalizuar, me këto bëhet 100 për qind dhe mes tyre kemi vepra të cilat kanë nevojë për restaurim të plotë. Këto pasi të restaurohen duhet t’i kthehen publikut shqiptar nëpërmjet ekspozitave, por jo vetëm atij shqiptar.

Të krijohet mundësia që këto vepra të prekshme vizualisht në mënyrë pamore, publiku t’i shikojë për çfarë bëhet fjalë. Në rastin që ne kemi përfunduar rikthimin e veprave nga institucionet, ne do të shikojmë a ka  mungesa dhe sa janë këto mungesa. Pra, po shihet numri ekzakt i veprave, dimensionet e çdo vepre, teknika, titulli dhe imazhi origjinal i saj. Veprat të cilat do të rezultojnë të humbura do t’ua kalojmë për ndjekje organeve të shtetit shqiptar.

Ka rezultuar deri tani ndonjë e humbur?
-Deri tani kanë rezultuar vepra që enden nuk gjenden, siç jemi në pritje dhe me shpresën e mirë që vijnë tre vepra nga Kuvendi Popullor që për momentin i mungojnë kësaj liste. Në shifrën totale të 10 veprave që kemi kërkuar, në Galerinë Kombëtare janë kthyer pesë vepra, e fundit ishte “Gryka e Mezhgoranit” me lartësi afër 5 metra, e realizuar në vitin 1969 nga piktori Guri Madhi.

Pra, ishin kundrejt 10 veprave që duhet të ktheheshin, ju thoni se janë kthyer 5 dhe mungojnë 5?
-Nga 10 vepra janë kthyer pesë vepra fizikisht në Galerinë Kombëtare që kanë nevojë sigurisht për pastrim. Disa kanë nevojë për restaurim, disa janë në gjendje të mirë. Dy vepra ekzistojnë akoma që ne i kemi fotografuar, i kemi parë dhe është punë orësh ose punë ditësh sa zgjasin proceduarat që ne të presim rikthimin e tyre në Galerinë Kombëtare dhe siç e sheh kalojmë në numrin shtatë, ndërsa janë duke u kërkuar edhe tre vepra, për të cilat nuk kemi asnjë informacion nëse janë.

Për këto vepra kemi komunikuar me Kuvendin Popullor dhe na është thënë se këto vepra do t’i kthehen Galerisë Kombëtare nga ku edhe kanë dalë. Këto vepra, ngaqë ka kohë të gjatë, kanë nevojë për t’u pastruar, restauruar, dhe për të qenë në një gjendje të denjë për t’u ekspozuar. Kemi vepra në Kryeministri, në Ministrinë e Jashtme dhe të gjitha institucionet do të kthejnë veprat e tyre. Do të kthehen veprat që kanë qenë nëpër vilat e udhëheqjes, sepse flasim  për vitet ’80 kur ishin shtetërore.

Por ajo që mua nuk më duket problem i vogël është të kërkohen veprat që kanë pasur institucione të tilla si Shkolla e Partisë, sepse veprat atje nuk ekzistojnë më, siç Shkolla e Partisë nuk ekziston më. Por, këto institucione kanë pasur vepra dhe nuk dimë si mund t’i rikuperojmë. Këto do t’i bashkohen listës së veprave të humbura dhe do t’i shpallim në kërkim. Ato mund të jenë nëpër koleksione, t’i kenë njerëz që nuk e njohin historinë e veprës e që i marrin, që i mbajnë në murin e shtëpisë së tyre, mund t’i kenë blerë në një treg çfarëdo, ose në situata nga më të ndryshmet, por në momente që do të nxjerrim imazhet e tyre edhe në internet, atëherë njerëzit do të shikojnë se çfarë mungojnë.

Atëherë nëse i shohin, ata mund të denoncojnë, por unë mendoj dhe kjo është iniciativa personale që t’i propozojë Prokurorisë së Shqipërisë që dy muajt e parë të jap amnisti për të gjitha këto vepra, që t‘iu lëmë njerëzve dy muaj kohë që të kenë mundësi të testojnë dhe verifikojnë, por edhe të denoncojnë se ku i kanë parë, që t’i kthejnë këto vepra dhe mbas kësaj ligji të hyj në fuqi, por ky është vetëm opinion imi në dobi të kthimit. Kuptohet, gjërat do të bëhen komform ligjit. Le ta zbatojmë të gjithë.


Shkrimi u publikua sot (14.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?