ARRSH aksion për mbylljen e hyrje-daljeve të rrezikshme në Maminas në aksin Tiranë-Durrës, bizneset kundërshtojnë: Të bëhet rrugë dytësore

6 Dhjetor 2021, 11:49| Përditesimi: 6 Dhjetor 2021, 14:59

  • Share

Autoriteti Rrugor Shqiptar sëbashku me IKMT ka nisur ditën e sotme në autostradën Tiranë-Durrës për bllokimin e të gjitha hyrjeve dhe daljeve të rrezikshme, të bizneseve dhe banesave private në këtë autostradë. Ky aksion, i cili ka nisur nga zona e Maminasit dhe po vijon në drejtim të Sukthit për të pasuar më tej deri në hyrje të Durrësit, konsiston në hapjen e kanaleve, që nuk lejojnë kalimin në autostradë dhe vendosjen e shiritit ndalues.

Të shumtë ishin përfaqësuesit e bizneseve që u mblodhën të pakënaqur për aksionin, por kjo gjë nuk i ndaloi autoritetet të vazhdojnë më tej. Ndërsa refuzuan të prononcoheshin për mediat,  drejtuesit e bizneseve thanë jashtë kamerave se nuk janë kundër vendimit të qeverisë për të pasur rrugë me parametrat e duhura, por kërkojnë një rrugë dytësore në të cilën të kryejnë normalisht aktivitetin e tyre si biznese dhe familjarë.

Ndërsa deklaruan se nuk kanë marrë asnjë shkresë zyrtare, që t’i paralajmëronte në njëfarë mënyre për këtë aksion, ata theksuan se gjatë paradites kanë dërguar edhe një grup përfaqësuesish në ambientet e ARRSH-së në Tiranë, për t’i paraqitur kërkesat e tyre. 

Ata thanë se dy janë kërkesat që i kanë parashtruar kësaj agjensie:

1. Të bëhet rrugë dytësore nga Vora deri tek Ura e Dajlanit
2. Të përcaktohen parametrat e hyrje-daljeve sipas standarteve rrugore dhe t’i lihet kohë për t’i rregulluar ato.

Për t’i bërë të hiqnin dorë nga rezistenca e tyre, policia operoi edhe me vënien e gjobave për automjetet e drejtuesve të biznesve, që qëllim të vetëm kishin moscënimin e aktivitetit të tyre, sidomos në prag të festave të fund-vitit.

Në aksin Tiranë Durrës janë 300 subjekte me hyrje-dalje të rrezikshme ndërsa në të gjithë vendin numërohen 1300 subjekte që kanë akses në akset nacionale në vend dhe vetëm 60 prej tyre janë të licencuara dhe kanë marrë leje për përdorimin e rrugës. Ky aksion i ARRSH ka nisur që me 27 nëntor

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?