Arrestimi i polices së Rinasit, efektivja hyri me llogari tjetër në TIMS për t’i hequr ‘alertin’ makinës, dyshohet se mori ryshfet nga biznesmeni Leonard Karruka

27 Shtator 2023, 20:31| Përditesimi: 27 Shtator 2023, 20:37

  • Share

Punonjësja e policisë Sulltane Kuka, 29 vjeçe, e cila u arrestua të martën (26 shtator) nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën akuzën e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike, dyshohet se ndërhyrjen për hequr alertin e një automjeti e ka bërë kohë më parë, kur punonte në Policinë Rrugore në Lezhë. Burimet bëjnë me dije se aksesin në TIMS efektivja nuk e ka pasur me emrin e vetë, por procedura është bërë nga një tjetër llogari.

Për të kryer këtë veprimtari të paligjshme dyshohet se Kuka ka marrë ryshfet nga biznesmeni Leonard Karruka, por hetuesit nuk e kanë të qartë shumën që ka përfituar. Dyshimet janë se Sulltane Kuka, ka hyrë në sistem dhe herë të tjera, por kjo po verifikohet nga hetimet, të cilat do të zbardhin të plotë nëse veprimtarinë e ka kryer gjithmonë kundrejt pagesës, apo edhe të miqësive.

Aktualisht ajo ushtronte detyrën e ruajtjes së objektit në Rinas dhe nuk ka pasur asnjë akses në sistemet e policisë. Pas arrestimit të efektives, me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku u bë përjashtimi i menjëhershëm i saj nga radhët e bluve. Zakonisht, makinat e shpallura “alert”, i përkasin asaj kategorie që janë konstatuar me shkelje nga shërbimet e policisë ose makinat inteligjente. Përgjithësisht alerti në raste të ngjashme qëndron në sistem për 6 muaj, dhe pas kësaj periudhe rezulton në sistem, por me status pasiv.

Pronari i automjetit, Leonard Karruka, i cili u ndihmua nga policja ka në pronësi një kompani me makina me qira në zonën e Rinasit, “Rinas CAR RENTAL”, e cila sipas ekstraktit të QKB-së merret edhe me dhënie import, eksport dhe tregti me pakicë te automjeteve te përdorura. Report Tv mëson se më herët e njëjta kompani i ka pasur disa prej automjeteve të bllokuara nga banka, të cilat janë ekzekutuar edhe nga përmbarimi.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?