Fatos Tushe dhe Bujar Murati

Kronikë

Arrestimi i Fatos Tushes/ Vendimi i çuditshëm i KPP-së që i hapi rrugë tenderit abuziv: Kompanive të skualifkuara nuk ka çfarë u duhet se si shpallet fituesi

14 Korrik 2021, 17:51| Përditesimi: 14 Korrik 2021, 16:25

  • Share

Abuzimi me tenderin e kanalit të ujit, me vlerë 24 milionë lekë, nga kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe dhe biznesmeni Bujar Murati, bashkë me grupin e tyre, që të gjithë të goditur nga SPAK, nuk do të ishte i mundur pa një vendim të Komisionit të Prokurimit Publik, i cili ka rrëzuar ankesat për këtë tender, duke i hapur rrugë kështu finalizimit të aferës. Komisioni i Prokurimit Publik, që është edhe gjykata e tenderave në Shqipëri, me këtë vendim që mban datën 9 tetor 2020, me votë unanime, ka rrëzuar si të pabazuar ankesën e kompanive “Avduli” dhe “Bahas”, të cilat denonconin falsifikimin e dokumenteve nga kompania fituese e Bujar Muratit, i arrestuar edhe në vitin 2009 për tenderin e uniformave të policisë. Dy kompanitë ankuese ishin skualifikuar nga ky tender, sipas tyre në mënyrë të padrejtë, edhe pse kishin paraqitur një ofertë me vlerë 60 mijë USD më të ulët se sa kompania “Euro-Alb” e Bujar Muratit, e cila fitoi tenderin, sipas dosjes së SPAK, me dokumente false, me paracaktim dhe duke ndarë më pas një pjesë ta parave.

Ankesa e dy kompanive me pronarë Arben Avdulin dhe Bashkim Hasmuçën ka alarmuar kryebashkiakun Fatos Tushe dhe grupin e tij, shqetësim i cili reflektohet në bisedat e përgjuara nga SPAK. Tenderin ishte planifikuar për kompaninë e Bujar Muratit, me ofertë më të lartë dhe pa plotësuar kriteret. Punimet do të kryheshin nga biznesmeni Ibrahim Lami, i lidhur me Muratin dhe Tushen, ndërsa paratë do të ndaheshin sipas rolit. Pas ankesës së dy kompanive të përjashtuara, Ibrahim Lami i telefonon i shqetësuar Tushes, duke i thënë se “ai plehra kishte bërë ankesë atje ai”. Tushe i përgjigjet “Po e di unë atë plehrën, po shiko takoje atë njëherë ti thotë T…ta mbylli për punë tre katër ditësh”. Dhe ashtu ndodh. Komisioni i Prokurimit Publik e rrëzon ankesën dy kompanive sipas parashikimit të Tushes.

Në 5 tetor 2010 është paraqitur ankesa nga dy kompanitë “Avduli” dhe “Bahas”. Vetëm katër ditë më pas, në 9 tetor 2010, KPP-ja vendos të rrëzojë ankesën, duke lejuar vijimin e procedurave për t’i dhënë tenderin Bujar Muratit. Afati i vendimmarrjes përputhet me afatin që Fatos Tushe i tha Inbrahim Lamit në telefon.

Përpos të tjerave, kompanitë “Avduli” dhe “Bahas” kërkonin në ankesë skualifikmin e kompanisë Euro-Alb” të Bujar Muratit nga tenderi për kanalin e ujit në fshatin Bishqethem dhe Bitaj.

“Subjekti i vetëm i kualifikuar shoqëria EURO-ALB ka shume mangësi në dokumentacionin e paraqitur dhe duhet të ishte skualifikuar nga ana e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, por jo vetëm që nuk janë marre parasysh mangësitë që ka pasur në dokumentacion, por për të njëjtat arsye që ka nxjerrë për skualifikim për shoqërinë "Avduli" shpk, për shoqerine EURO-ALB shpk i ka kaluar pa asnjë problem. Pra, nuk ka përdorur barazi në trajtimin e kërkesave dhe të detyrimeve, që u ngarkohen operatoreve ekonomik”, thuhet në ankesë.

Në ankesë thuhet se punonjësve të kompanisë fituese të Bujar Muratit, konkretisht E. Muça, D. Murati, D. Gjana, A. Veliko, A. Murati, Z. Nikolli, S. Gordoni dhe N. Nikolla u mungon certifikata e kualifikimit për profesionet që pretendohet se ushtrojnë në dokumente. Gjithashtu, në ankesë thuhet se asnjë nga punonjësit me profesion manovrator dhe shofer nuk kanë dëshminë e sigurimit teknik sipas dokumenteve standarte të tenderit. Në dokumentet e tenderit kërkohej që fituesi të kishte dy saldatorë, por EURO-ALB kishte vetëm një. Sa i takon kriterit për tre inxhinierë, EURO-ALB e Bujar Muratit, sipas ankesës, ka paraqitur emra inxhinierësh të angazhuar në realizimin e punimeve të tjera. Mes kritereve ishin edhe tre kamioncina vetëshkarkuese 2,5-5 ton, ndërsa kompania fituese ka paraqitur vetëm dy. Janë kërkuar gjithashtu dy fadroma me goma, por EURO-ALB kishte dokumentacion vetëm për një fadromë të tillë etj. 

Po cili është arsyetimi i Komisionit të Prokurimit Publik? Sipas KPP-së, ankuesit nuk ka çfarë i duhet nëse fituesi ka paraqitur apo jo dokumente false, përderisa është përjashtuar nga kjo procedurë. Sipas KPP-së, edhe nëse do të pranohej ankesa e kompanive “Avduli” dhe “Bahas” për skualifkimin e kompanisë EURO-ALB, sërish dy kompanitë ankuese nuk do të ishin fituese të këtij tenderi. Në rrjedhë të këtij arsyetimi, KPP ka rrëzuar ankesën.

“Komisioni i Prokurimit Publik gjykon se një person fizik apo juridik, kur dorëzon një ankim, duhet të argumentojë se të drejtat e tij të mbrojtura nga legjislacioni janë dëmtuar si rezultat i një vendimi, mase apo të ndonjë veprimi tjetër zyrtar nga ana e një autoriteti kontraktor. Nëse ai dështon në sa më sipër, atëherë ankimi në KPP nuk mund të pranohet. Neni 63, pika 1 kërkon shprehimisht që operatori ekonomik ankimues, jo vetëm që duhet të ketë interes, por edhe të jetë dëmtuar realisht apo të rrezikohet të dëmtohet nga vendimi që ka marrë autoriteti kontraktor. Në ato raste kur, operatori ekonomik ankimues edhe pas ankimit në KPP rezulton i skualifikuar nga procedura e prokurimit, atëherë ai qartësisht nuk mund ta fitojë kontratën. Edhe në hipotezën se, pretendimet e parashtruara në ankimin e tij në lidhje me operatorët e tjerë pjesëmarrës në procedurën e prokurimit, do të pranohen nga KPP, ankimuesi sërish nuk do të ishte fitues i kontratës. Rrjedhimisht, në rast se operatori ekonomik që ka paraqitur ankimin vijon të mbetet i skualifikuar apo skualifikohet gjatë shqyrtimit në KPP, në kuptim të ligjit, interesi i tij i ligjshëm i drejtpërdrejtë nuk ka sesi të dëmtohet nga suksesi apo dështimi i operatorëve të tjerë në atë procedurë prokurimi. Për këtë arsye, këto pretendime nuk do të merren në shqyrtim”, thuhet në vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik.

Vendimi i KPP për tenderin e kanalit të ujit në Lushnje

Komento

Komente

  • Nfnffjckkckck: 14/07/2021 17:45

    2020* analfabetë. Ca është kjo 2010?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?