Ish-drejtori i ALUIZNI-t hotel pa leje në Sarandë, 8 zyrtarë në pranga, 3 në kërkim! Iu vendos dy herë tritol

14 Mars, 11:07| Përditesimi: 14 Mars, 15:27

  • Share

SARANDE-  Hoteli “Yacht” në lagjen nr. 4 të Sarandës u ndërtua pa leje dhe më pas u legalizua  e hipotekua në shkelje të ligjit. Është pikërisht ky hotel që çoi pas hekurave zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Legalizimeve, Kadastrës. Pas një hetimi disa mujor Prokuroria e Sarandës firmosi 11 urdhër-arreste, 8 janë arrestuar dhe tre në kërkim.

Në kërkim është shpallur Mariel Murati, pronar i hotelit e njëkohësisht ish-Drejtor i Legalizimeve në Sarandë, aktualisht drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Po kështu në kërkim janë dy ish-drejtorët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë Kozeta Statha dhe Andri Dhima.

Burime nga grupi hetimor thanë për Report TV se Mariel Murati në vitin 2020 kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues, por e kishte rrënuar të gjithin duke ndërtuar pa leje nga fillimi një hotel me 7 kate. Ish-drejtori ka arritur ta legalizojë hotelin dhe e ka vënë në funksion në vitin 2022. Të gjitha këto veprime janë kryer pasi Murati e kishte lënë detyrën e drejtuesit të ALUIZNI-IT Sarandë dhe kishte marrë drejtimin e Fondit të Sigurimit të Shëndetësor. Ky hotel ka qenë dy herë objekt i vendosjes së sasive të eksplozivit, përkatësisht në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022, ngjarje ende të pazbardhura.

Për ndërtimin pa leje, Prokuroria e Sarandës ka kërkuar arrestimin e 11 zyrtarëve për veprat penale “shpërdorim i detyrës” dhe “ndërtim i paligjshem”. Policia ka ekzekutuar deri më tani 8 urdhër-arreste, duke çuar në burg  2 inxhinierët e Kadastrës, Ermen Stroka, Erald Lika. Inspektorët Vendorë të Mbrojtjes së Territorit, (IMVT) Viktor Qesari, Tonin Simoni dhe Oltion Durmishi si dhe ish-inspektori i IKMT-së në Vlorë Denis Balili. Ndërsa inspektoret Ina Papa Manushaqe Saliko janë lënë në arrest shtëpie, pasi janë nëna me fëmijë të mitur.

Arrest me burg
1- Ermen Stroka, inxhinier i Kadastrës
2-Erald Lika, inxhinier i Kadastrës
3-Viktor Qesari, inspektor i IVMT
4-Tonin Simoni, ish-inspektor i IVMT
5- Oltion Durmishi, inspektor i IVMT
6- Denis Balili, ish-inspektor IKMT
Arrest shtëpie
7- Ina Papa, specialiste e Kadastrës
8- Manushaqe Saliko, ish-inspektore IKMT

Në kërkim 
1- Mariel Murati, drejtor i FSDKSH
2- Kozeta Statha, ish-drejtore e ASHK
3- Andri Dhima, ish-drejtor i ASHK

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?