Arratisja e madhe për në Ambasadën Greke, 17 qershor 1990! Esencë-Report Tv

29 Mars, 21:15| Përditesimi: 29 Mars, 23:08

  • Share

Esencë në Report tv intervistë me Bujar Alikon, i cili hapi lojën e hyrjes së qytetarëvë shqiptarë në ambasadat përendimore në Shqipëri rreth dy javë para 2 korrikut të vititi 1990.

Eljan Tanini: -Si jetonte një djalë i moshës 30 vjeçare në ato vite në Tiranë?

Bujar Aliko: -Kishte si unë djem që donin të visheshin bukur. Vishnim xhinse nga  Kombinati Tekstil. Kisha një palë xhinse të errëta, i blinim edhe nga shoferët e eskportit. Që na viti 1980 kur unë u lirova ushtar, e dinim se çfarë ishte kapitalizmi. Organizonim festa me orkestër nëpër fakultete, unë, Koli, Genc Dashi, Eno, Qepa. 

Eljan Tanini: -Si e mbante një të dashur një djale 30 vjeçar në ato vite?

Bujar Aliko: -Në ato vite që të kishe një të dashur duhet të ishe i pashëm, duhet të ishe i gojës dhe të lexoje. Duhet të kishe disa veti! Sjellje e mirë, dhuratë e vogël, veshje dhe shumë pak lekë. 

Eljan Tanini: -Çfarë pune bëje në vitin 1990?

Bujar Aliko: -Kam qenë shofer autobusi në vitin 1984, Kamëz, Kombinat-Bankë dhe Uzina Traktori. Rroga ishte 10 mijë L. 

Eljan Tanini: -A flisnit me shokët për arratisjen?

Bujar Aliko: -Po, vetëm me shokët e ngushtë, jo me të tjerët!

Eljan Tanini: -Si e bëtë planin e arratisjes?

Bujar Aliko: -Kanë kaluar 34 vjet, nuk e kisha jetën e sigurtë. E kishim bërë planin duke parë se çfarë ndodhte në Evropë, duke parë rënien e murit të Berlinit, Çausheskun etj… Se të shkoje në kufi të vrisnin. Gjoja të thërrisnin kthehu, por në fakt të vrisnin nga prapa. Ambasada ishte tokë e huaj dhe aty s'kishin se çfarë të të bënin.

Eljan Tanini: -E kishit ndarë mendjen se te cila ambasadë duhet të shkonit?

Bujar Aliko: -E kisha ndarë mendjen! Sepse vetëm ambasada greke të mbante, te gjermani kurrë, nuk bëhej llaf!

Eljan Tanini: -Kë pyete për të hyrë në ambasadë?

Bujar Aliko: -Unë pyeta një kamariere vajzë te Dajti që kishte muhabet me Leonidhën e Ambasadës Greke. Ai ishte sekretar i Ambasadës, dinte shqip mirë. Vajza e pyeti Leonidhën 24 orë përpara, në mënyrë që unë të kisha kohë të përgatitesha. Ai i tha se do i mbajmë, nuk i dorëzojmë, por nuk dihet sa do të rrinë këtu. Si fillim disa ditë më parë pashë vendin, vajta nga Ish Mihal Duri. I hipëm autobuzit dhe nga 21 Dhjetori eca me një shpejtësi të madhe deri tek muri i ambasadës greke. E kisha llogaritur që kapaku i autobuzit lart i binte fiks me murin. Edhe sot e kësaj dite e kujtoj tmerrin e asaj dite, frikën apo ato që më kalonin nëpër mend për ato 2 km. Muret e ambasades greke ishin jo ato që janë sot. Sot janë shumë të larta. Shokët u tërhoqën, erdhi vetëm Edmond  Vokshi. Kam çuar si fillim gratë e xhenios në punë, planin e veprova pas tyre. Në autobus shikoja prej dy ditësh një person të dyshimtë. Kthehem nga Rruga e Dibrës, ndaloj te Pallati i Kulturës, mbyll dyert me dërrasa e dryn, hoqa kapakun nga sipër. Njeri nga shokët u hutua. E futa autobusin në atë mënyrë që 3 ditë nuk e hiqnin dot. Dal nga kapaku i autobusit dhe sapo hidhem nga muri me Vokshin na del përpara bahçevani i Ambasadës Greke, e shtyjmë dhe futemi brenda. Kur na dolën përpara Jani dhe Leonidha, u kërkuam direkt strehm politik. Askush nuk e dinte që brenda isha futur unë, nuk i kisha thënë as prindërve. Sigurimi u fut brenda në Ambasadën Greke për të marrë disa të dhëna, u thashë që jam më mirë këtu se në burgun e Burrelit. Lajmi tashmë kishte dalë nëpër Tiranë për në të dy, një orë pas nesh hynë edhe dy çuna. Na kanë trajuar shumë mirë në Ambasadën Greke, nisi të flinte aty edhe stafi. Shokët e mi që punonin te pishinat nisën komunikime me grekët, më pas hynë edhe të tjerë nëpër ambasada. 15 ditë kemi qendruar vetëm, pa të tjerë. Motrën time në mëngjesin e asaj dite e hoqën nga puna, sigurimi në ato vite ishte ende i fuqishëm. Unë dhe Mand Vokshi jemi të parët që hymë në ambasadë pas Familjes Popa. Ditën kur ikëm na mblodhën nëpër autobusa, ndaluam në Vorë, nisi frika e madhe. Në Ambasadën Greke qendruam disa ditë. Na çuan në Portin e Durrësit, atje kishte terror, në ambasadën greke u bëmë 28 veta, kishte edhe nga ata me origjinë greke. Mand Vokshi mori edhe familjen pas pak ditësh, e ndihmoi Leonidha, më pas greku e mbylli hyrjen. Leonidha ishte me origjinë shqiptare

Eljan Tanini: -Si vajtën të 28-29 vetët në Greqi?

Bujar Aliko: -Ne të Greqisë ishim të fundit. Kur hipëm në vapor, na çuan si fillim në Brindisi më pas me avion për Athinë. Jam zhgënjyer kur zbrita në Glifadha, pyesja veten: Çfarë kanë këta më shumë se ne?! Ne ikëm vetëm prej sistemit, për ato gabime që kishte. Me familjen nuk u përshëndetëm fare. Kisha një 500 lekshe, ia dhashë kuzhinieres së ambasadës që t’ia jepte mamasë. 250 lekë i hodha nga autobusi. Në Greqi na strehuan në një si spital si azil pleqsh, ishte në rregull situate.

Eljan Tanini: -Sa kohë qendruat në Greqi?

Bujar Aliko: -Ushqimi ishte shumë i mirë, na e sillnin nga Olimpiku. Kam bërë intervistë me Samarasin. Atje vinin e na takonin të gjithë. Na dhanë një dokument që thuajse çdo gjë e kishim pa para, televizioni flste përditë për ne. Unë si Bujar kam ndenjur në Greqi gati 8 muaj. Në fillim nisa punën në kuzhinë, kisha nevojë të mblidhja para. Më pas dola në banak, nisa të merrja makinën, bëja furnizimet, edhe çelësat e restorantit i mbaja unë. Punën e gjeta vetë me atë anglishten time, kisha të drejtë pune, edhe shteti grek na mbante me dhrahmi. Shqiptarët e tjerë ndenjën dhe u përhapën atje, greku do të na bënte dokumentat. Më pas filluan ardhjet e shqiptarëve dhe nisi nami jonë i keq. Kam punuar në një fabrikë druri, bënim mobilje, atje pashë që gjysma e fabrikës fliste shqip. Vëllai vajti në Gjermani, unë në Greqi.

Eljan Tanini: -Në Gjermani si vajte?

Bujar Aliko: -Kisha provuar nja dy herë me një pasaportë të një djali, por e vështirë. Kur punoja në piceri, gjeta nja dy të huaj. Pas ca kohësh njërit prej tyre i kërkova pasaportën dhe e pyeta: -A mund të lëviz unë me pasaportën tënde? Më tha po, shkon. Merre, se unë mund ta shpall të humbur. Lashë edhe mustaqe që të ngjaja me njeriun e pasaportës. Hipa në avion, polici me tha se nuk ngjaj unë në pasaportë. I thashë që nuk jam unë, por dua të iki në Gjermani, më lane. Vajta në Gjermani, mora azil. Kam qendruar 12 vjet atje. Jam kthyer për arsyet e jetës sime, edhe jam zhgënjyer.

Eljan Tanini: -A është arritje e madhe në jetë të ikësh nga Shqipëria përmes kalimit të një muri ambasade?

Bujar Aliko: -U kam treguar rrugën të tjerëve si iket nga Shqipëria. Kam hedhur edhe trakte në Kavajë, i kam çuar me autobus, me autobusin që çonim fëmijët në kamp. Më thirrën dikur në polici e më thanë: Bën stërvitje natën, mëson anglisht dhe kërcen muzikë të huaj. Tani është koha e Tik-Tokut, nuk të kupton njeri. Sot punoj në një institucion shtetëror. Ka njerëz që abuzojnë me hyrjen në ambasada, pas familjes Popa kam hyrë unë. Greku Leonidha i ambasadës më tha se nëse del prej këtu je i mbaruar. 

E.T//ReportTv.al
Komento

Komente

  • sapa: 31/03/2024 11:06

    Kush nuk e ka perjetuar ate kohe e ka te veshtire ta kuptoje sot se si funksjononte atehere.

    Përgjigju
  • Agroni: 30/03/2024 09:45

    Brez pa pike ambicje dhe pa pike vizioni kane qene keta. Enderronin te pinin koka-kola dhe iu shkoi jeta me viza fallco neper xhepa dhe me rrecka neper valixhe. Fatkeqesisht, ishte ky mentalitet shoferesh, shitesash e magazinieresh qe e zbrazi vendin nga rinia dhe e shiti industrine shqiptare per skrap. Tani japin intervista sikur kane cliruar token e shenjte. Bravo Leonidha greku se e paske kryer mire detyren per te mbjelle faren e shkaterrimit ne Shqiperi.

    Përgjigju
    • Deri te Banka: 31/03/2024 10:01

      Ke shume te drejte Agron.Por ne ate kohe rinia Tirones kerkonte dicka te re .Ishte regjim qe nuk te shkonte mendja ne jete qe mund te permbysej.Secili kerkonte te bente me te miren per vete.Dhe kjo kerkonte sakrifice me jete.Ajo qe ndodhi mbrapa me anijet etj ishte shkaterruse per vendin. Dhe per ate qe ndodhi nuk jane keta djem fajtore. Mbas vdekjes se E.H.Politika nuk jetoi me kohen. Aq me teper ata qe i thane vetes demokrate.

    • Juli: 30/03/2024 17:46

      I ke rene ne koke. Me drejte nuk behet. Te tille mentalitet e mori ne qafe vendin. Sidomos ai i brezit me te lig te trashegimise komuniste me plehra si Edi Rama qe hanin buken e regjimit dhe pshtynin kinse enverin-e sot shplahen ne gjirizin e peshtymes komuniste. Bravo Agron.

  • Paçi uratën!: 29/03/2024 23:08

    Këta Djem Trima e Luana nuk i bën më Nëna! Janë më origjinë nga Bolena Fisnike!.. pasardhës të Lapite"ve apo Labët në Mitologjinë greke!

    Përgjigju
    • Ilir: 30/03/2024 07:16

      Isha ushtar ne Himare gjithe 1990.Ne qershor me derguar ne shkolle e Vlore per infermier.Aty u njoha me vellain e Mand Vokshit nga Tirona,qe sa u kthye nga leja morì vesh per te vellain dhe nuk e mante veni, sepse nji dite para kishin qene bashke. Ardi me tha hajde te ikim. Donte te kthehej prape ne Tirone e te hynte ne ambasade. Na shperndane neper reparte dhe une u riktheva ne Himare. Nuk di si shkoi puna me Ard Vokshin, ndoshta arriti te ike! Ne Himare ishte situata akoma e qete, por tensioni te njerezit kuptohej.Beja praktiken e infermierise te spitali dhe kisha kontakte me himarjotet. Nje Ard tjeter,futbollist ushtar durrsak, erdhi nga Sazani trasferim. Ajo vere ka qene tension, deri sa plasi ne dhjetor qe filluan ikjet masive drejt Sarandes edhe te fshatrave komplet, si Piluri. Si perfundim, ika vetem ne 6 mars per Itali nga Durresi... histori me vete...

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?