Arratisja e 2 kuksianëve ditën që vdiq Enver Hoxha, të rinjtë u dënuan edhe pse dëgjonin Sabri Fejzullahun

1 Mars, 21:20| Përditesimi: 1 Mars, 22:11

  • Share

Kjo rrugë do të na çojë në ditën e kur ndërroi jetë Enver Hoxha. Atë kohë është shkruar edhe historia e dy të rinjve kuksianë që nuk mundën të realizonin ëndrrën e tyre për të kapërcyer kufirin drejt ish-Jugosllavisë.

Ishte vitit 1985.

Kukësi përjetoi dimër të ashpër. Lartësia e dëborës arriti nga 168cm deri në tri metra në zonat e thella. Më 22 shkurt 1985 u shënua rekordi -22 gradë celcius. Ngriu edhe liqeni i Fierzës. Një tragjedi të vërtetë shkaktuan dy ortekët e dëborës që ranë më 11 janar në Shtiqën dhe 12 janar në Vilë të Bushtricës. Ortekët e shembën 30 shtëpi, vranë 24 vetë, si dhe plagosën 27 të tjerë. Ortekë me përmasa të tilla nuk kishin ndodhur kurrë më parë. Kuksianët e vjetër e mbajnë mend mirë atë vit. Në marsin e 1985,  kur nisën ndërtimet e shtëpive, shkollave  dhe objekteve të tjera të dëmtuara, dy të rinj kuksianë vendosën të realizojnë ëndrrën e tyre, të arratisen nga Shqipëria drejt ish-Republikës së Jugosllavisë e më pas të arrinin në SHBA.

39 vjet më parë, dy të rinj kuksianë  në datën 9 prill të vitit 1985, Arsim Beqiri atë kohë 18 vjeç dhe Nuhi Kastrati 17 vjeç u nisën për t'u arratisur nga Shqipëria, por mbas 34 orësh në 11 prill, ditën kur vdiq diktatori Enver Hoxha  u arrestuan dhe përfunduan në qelitë e burgut të Kukësit.

Të rritur jetimë, pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare nuk kishin marrë ndonjë profesion, ata kishin kohë që mendonin ikjen drejt ish-Jugosllavisë. Kësaj ikjeje i parapriu arratisja spektakolare e bashkëmoshatarit te tyre, Agim Myftar Madani, i cili u arratis në fillimin e tetorit 1984, nëpërmjet kufirit tokësor në Vlahën të Hasit.

Arsimi dhe Nuhiu u rritën në ambientin e lagjes numër 1 të qytetit.

Lagja e parë e Kukësit të ri që po ngrihej, me tipa dhe karaktere që kanë lënë gjurmë të thella në jetën e qytetit. Kjo ndikoi shumë në formimin e tyre. Siç na tregoi Nuhiu morën rrugën për të ikur prej parajsës, në botën kapitaliste, aty ku pretendohej njerëzit vdisnin çdo ditë për bukën e gojës.

Fati i keq i tyre i kapën në gjumë te shkolla 8-vjeçare e fshatit kufitar Pogaj-Has, disa dhjetëra metra para se të kalonin klonin dhe pastaj vijën kufitare. Por në fakt ishin raportuar më parë.

Në momentin e kapjes në shkollë u rrahën në mënyrë shtazarake nga nënoficeri dhe ushtarët e postës së kufirit Pogaj-Has.

Mbas arrestimit fillon kalvari i vuajtjes për dy 18-vjeçaret. Gjyqi i tyre model nga realizimi. Akuzat agjitacion e propagande (ndjekin muzike te Radio Televizioni të Prishtinës) dhe tentativë arratisjeje.

Qëndrimi i Arsim Beqirit dhe Nuhi Kastratit në gjyq ishte dinjitoz, megjithëse adoleshentë. Gjatë periudhës së hetimit u thirrën në hetuesinë e Kukësit krejt bashkëmoshatarët e lagjes. Shumica tyre u rrahën e u terrorizuan në dhomat e hetuesisë së Kukësit.

Për dy djelmoshat u dhanë dënime shumë të rënda për kohën. Bashkë me ta u dënua (për moskallëzim krimi) edhe Mirbi Ismaili, shoku dhe bashkëmoshatari i tyre.

Nuhiu e kreu dënimin në burgun të Spaçit, dhe u lirua para kohe nga faljet.

Arsimi e kreu burgun në Spaç dhe Burrel, u lirua në vitin 1990, gjysmak, i sakatuar në burgun e Burrelit. Sot Nuhi Kastrati jeton në Kukës si zog i lirë siç kishte ëndërruar në rininë e hershme, ndërsa Arsimi jeton në qytetin e lindjes bashkë me vëllain e tij më të vogël.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?