Ardit Hyska: Suksesin nuk ma
dha  diploma por zanati si berbe

4 Shkurt 2016, 11:38| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - 26-vjeçari Ardit Hyka ushtron prej katër vitesh profesionin e berberit dhe shprehet shumë i kënaqur me punën e tij. Fillimisht, ai ka bërë një kurs profesional, ndërsa tani ka një sallon për meshkuj në kryeqytet dhe një staf të tijin, që siç tregon dhe vetë ai, përkushtohen “për t’i ofruar klientëve shërbimin më të mirë të mundshëm”.
 
Preja dhe stilimi i flokëve ka qenë një pasion i hershëm i të riut, i cili ka arritur që ta kthejë atë në një biznes fitimprurës. Nëse të nevojitet një prerje flokësh, para se të shkosh te Arditi, duhet më parë të fiksosh një takim, pasi 26-vjeçari është thuajse gjithmonë i zënë.  
 
Berberi i ri në moshë, por ‘i vjetër’ në aftësitë e tij, i sugjeron arsimin profesional të rinjve që kërkojnë një punë që sjell të ardhura. Madje, ai mendon se nëse pasioni juaj është një profesion, atëherë ky është një “bonus”.
 
Arditi tregon se do të vijojë për shumë gjatë të presë e stilojë flokë dhe shpreson të zgjerojë stafin e tij. 26-vjeçari flet për trendet e fundit të stilimit dhe jep këshilla për produktet që duhet të përdorni për të pasur flokë e lëkurë të shëndetshme.     
        
Z Hyka përse e zgjodhët këtë profesion?
Këtë profesion e zgjodha, sepse e kam pasur pasion. Fillimisht, vendosa që të bëj një kurs.
 
Këtu në Shqipëri?
Po, këtu në Shqipëri. Gjatë kursit kuptova se isha i aftë për të bërë këtë profesion që ushtroj sot. Më pas, vendosa të hap një berberanë timen. Fillimisht, dyqani ishte i vogël dhe klientët nuk ishin të shumtë. Por, ata që vinin mbeteshin të kënaqur dhe më përgëzonin për iniciativën e marrë. Pas disa vitesh, duke punuar dhe duke iu përkushtuar këtij profesioni, duke ndjekur edhe trendet e reja të modeleve të të rinjve, klientela u rrit. Madje kam krijuar edhe një staf të vogël prej tre personash. Unë dhe dy punonjës të tjerë, që përkushtohemi për t’i ofruar klientëve tanë shërbimin më të mirë të mundshëm. Madje së fundi, kam stiluar këngëtarët meshkujt në festivalin muzikor “Kënga Magjike 2015”.
 
Pse nuk zgjodhët të vazhdonit një arsim të lartë, por të hapnit një berberanë?
Realisht unë kam mbaruar një arsim të lartë për menaxhim biznesi. Pasi u diplomova, kërkoja punë në profilin ku kisha kryer edhe studimet, por pagat që ofroheshin ishin shumë të ulëta dhe për t’u punësuar kërkohej eksperiencë. Më pas, vendosa të bëj një kurs profesional dhe tani kam hapur një sallon për meshkuj.
Çfarë do t’i këshillonit të rinjve meqë ju keni ndjekur një arsim të lartë dhe tani zotëroni një profesion, pra i keni provuar të dyja. Do t’i këshillonit të ndjekin dhe ata një arsim të lartë, apo do t’i këshillonit të mësojnë një profesion?
Më shumë se një këshillë, unë besoj se çdo i ri duhet të zbulojë se çfarë ka pasion dhe të përpiqet të kuptojë sa është i aftë ta bëj atë që dëshiron. Më pas, duhet të bëj një zgjedhje.
 
Po këshilla juaj cila është, arsimi i lartë apo ai profesional?
Mendoj se profesioni është ai me të cilin ecën gjatë në jetë, është i pashtershëm, sikurse edhe arsimi i lartë, pa dashur që t’i zbeh meritat. Për ata zgjedhin të ndjekin arsimin e lartë, por që kanë pasion një profesion, unë do t’i këshilloja që të zgjidhnin profesionin, pasi nëse një profesioni arrin ta bësh vërtetë me pasion, atëherë merr më shumë kënaqësi dhe fiton më shumë ardhura.
 
Ju të ardhmen tuaj e shihni në këtë profesion, apo mendoni të bëni diçka tjetër?
Realisht, unë gjej veten në atë ç’ka bëj dhe mendoj se do vazhdosh me këtë profesion, pasi pasioni për të bërë këtë punë është gjithmonë më i fortë se ç’do abicje tjetër. Dhe në një të ardhme, mendoj se të krijoj një staf disi më të madh se ky që kam aktualisht, do ishte ideale.
 
Ja përmendët më parë që kryesisht klientët tuaj janë të rinj. Më tregoni cili është modeli më trend i momentit?
Trendi ndryshon me kohën, por edhe të rinjtë ecin me hapin e kohës. Aktualisht janë në modë modelet me flokë të gjatë në pjesën e sipërme të kokës duke krijuar edhe një harmoni me pjesën e mjekrës, pra me një mjekër të gjatë le të themi dhe pjesët anësore kryesisht të shkurtra dhe të sfumuar me stil. Pse jo edhe ndonjë tatuazh në flokë. Kjo është pamja e një mashkulli modern sot.
 
Marketingun e biznesit tuaj e bëni kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale. Sa efektive ka qenë kjo strategji marketingu?
Ka qenë shumë e suksesshme për aq kohë sa unë i përkushtohem marketingut në rrjetet sociale. Unë merrem me rrjetet sociale çdo moment që gjej kohë të lirë, pasi thuajse gjatë gjithë ditës më duhet të punoj. Nëpërmjet rrjeteve sociale, faqes time në Instragram “sallonarditi” dhe Facebook “Sallon Arditi Arditi”, më kanë kontaktuar shumë klientë rinj, të cilët kanë ardhur në sallonin tonë dhe kanë ngelur të kënaqur. Madje, këta klientë ia kanë rekomanduar edhe miqve apo afërmve të tyre të përfitojnë nga shërbimet tona, për një prerje të flokëve ashtu siç duhet.
 
Gjatë viteve që ju keni punuar si berber, mund të më tregoni si ka evoluar edhe kujdesi i të rinjve për flokët?
(Qesh) Kujdesi ka ardhur duke u rritur. Aktualisht, të rinjtë kujdesen shumë për veten, si për mirëmbajtjen e flokëve ashtu edhe për mirëmbjatjen e lëkurës. Ata përdorin maska për fytyrën që ne i ofrojmë edhe në sallonin tonë. Gjithashtu, ata kërkojnë shampo apo kremra të shëndetshëm për flokët, për të cilat edhe ne i ndihmojmë me sugjerime. Pasi çdo lloj floku kërkon një shampo, apo krem të posaçëm.

Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?