Kronikë

Apeli rrëzon kërkesën e Llallës për pezullimin e dënimit me 2 vite burg, ish-kryeprokurori ende në arrati

10 Nëntor 2021, 11:03| Përditesimi: 10 Nëntor 2021, 13:25

  • Share

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e datës 14 tetor të gjykatës së posaçme të shkallës së parë për ish-kryeprokurorin Adriatik Lalla. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Apeli nuk e ka pranuar kërkesën e Llallës për pezullimin e dënimit me dy vite burg.

Me anë të avokatit të tij, Llalla, i cili ndodhet në arrati, i dorëzoi një kërkesë GJKKO, duke kërkuar pezullimin e dënimit, me pretendimin se çuarja e tij në qeli mund të sillte pasoja të rënda për shëndetin e tij për shkak të një sëmundjeje që ai vuan prej kohësh. Por kjo kërkesë e Llallës u rrëzua nga GJKKO.

Kujtojmë se GJKKO vendosi dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli. Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar disa pasuri.

Ndërkohë nga 8 tetori, Llalla u shpall nga SPAK zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar, pasi Policia e Tiranës nuk e gjeti atë brenda vendit, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës. 

Më 22 shator ditën kur u dha dënimi, policia shkoi në shtëpinë  Adriatik Llallës për ta arrestuar, por ai nuk ndodhej aty dhe se familjarët thanë se "nuk e dinin se ku ndodhej". Llalla është larguar nga Shqipëria më 7 shtator nga Rinasi drejt Romës. Ndërkohë që vendndodhja e tij nuk dihet se ku është aktualisht.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?