Anton Pashku, zbulohen tregimet
në gegërishte dhe standard

2 Maj 2013, 05:30| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Vepra e Anton Pashkut, themeluesit të modernitetit në prozën shqipe mungon në programet e shkollave. Çfarë dimensioni do të sillte në rrafshin didaktik prania e tij. Studiuesi Behar Gjoka prej 15 vjetësh kërkon dhe studion veprën e munguar.

“Nëse ne do të zhvillojmë tregimin e shkurtër dhe nuk do të përfshijmë Anton Pashkun, do të lëmë të pastudiuar në letrat shqipe një letërsi të jashtëzakonshme. Nuk kam aspak adhurim, por letërsisë shqipe i mungojnë tekstet e shkruara formën që ai pati.

Të lësh jashtë vëmendjes Pashkun, Koliqin, Kutelin është luks i tepërt për ne. Ne kemi shumë shkrimtarë, por nuk kemi shumë shkrimtarë si Pashku, si Koliqi, Kuteli, dhe ata duhen studiuar për për arsye të një kompesimi se Koliqi dhe Kuteli hodhën vërtetë themelet e prozës, por Pashku i modernizoi ato.

Bashkë me fantastiken si element letrar Anton Pashku modernizoi edhe prozën. Përmes librit “Hejzat e Pashkut” të studiuesit Gjoka, Anton Pashku vjen me një pamje krejt të panjohur në letrat shqipe.

Domosdoshmëria për të plotësuar kuadrin e themeluesve të prozës shqipe të shekullit të 20-të, Studiuesin Gjoka e ka nxitur të merret ekskluzivisht me studimin e veprës së Anton Pashkut.

Dhe duke e prekur rehst pas rreshti veprën e tij zbulon mjaft të panjohura të prozatorit magjik Anton Pashku, bashkë me zbulesat e radhës, të mahnit fakti sesi ky autor ka dhjetëra proza të tij të shkruar dhe botuara në dy variante gjuhësore, gjuhën e njësuar dhe gegnishten.

Profesor Gjoka, ju i jeni futur tashmë rrugës së studimit të autorëve që kanë hedhur themelet në letërsinë shqipe, duke nisur nga Budi, Camaj, Kadare etj. Pse në këtë moment mbërritët në studimin e figurës së shkrimtarit kosovar Anton Pashku?
-Ka qenë një ngasje e herët, për arsye se Anton Pashku është autor modern i romanit e prozës dhe ajo që më bëri përshtypje është mënyra e çuditshme e prezantimit të krijimtarisë së tij në prozë në dy versione të gjuhës së shkruar, edhe ne gegërisht edhe në gjuhën standarde. Natyrisht për ta zbuluar këtë më kanë çuar leximet dhe kërkimet e herëpashershme dhe për rastësi në Panairin e Librit 2012, në Tiranë, një botues i Prishtinës më kërkoi një lloj bashkëpunimi dhe ka kohë që unë jam ndalur me seriozet në leximin e atyre mendimeve se çfarë përfaqëson kjo dukuri e prezantimit nga më origjinalitet në letërsinë e shqipes bashkëkohore.

Pashku në letrat shqipe, është në vendin e duhur, është një i vonuar apo një shkrimtar i munguar?
-Ka dy pamje, është pamja në Kosovë, ku është totalisht pjesë konsiderimit e vlerësimit të programeve të gjithë niveleve të shkollave në hapësirat shqiptare në Maqedoni, ndërsa në Shqipëri përmendet pothuajse i munguar dhe unë kam një lloj përgjigje në këtë situatë. Pashku në 1971-shin merr pjesë në hartimin e një shkrimi që titullohej “Zëri i të dëshpëruarit në shkretëtirë” dhe i kundërvihet realizmit socialist dhe me sa duket zëri i kësaj jehone do ta shoqërojë privimin e tij nga letrat shqipe edhe për disa kohë.

Cila është ajo tezë që Pashku i kundërvihet konkretisht metodës?
-Në atë kohë kanë qenë një grup personalitetesh letrare në atë si Gani Bobi, Ali Podrimja, Rexhep Smajli Mensir Rafi dhe Anton Pashku dhe i kundërviheshin gjithë frymës së realizmit socialist të Shqipërisë, të cilët e kishin futur letërsinë shqipe totalisht në kthesat kështjellës ideologjike. Dhe ka qenë akti i parë publik i kryer për të realizuar distancimin nga letërsia e modelit të realizmit socialist dhe për ta futur realizmin në shtjellat e modernitetit, jo me shkak, por sërish unë mendoj se Pashku e bëri pa menduar fare se çfarë metode do t’i përshtatej.

Ai bëri letërsi të mirëfilltë që nga viti ‘71 dhe gjatë gjithë kohës, Anton Pashku punoi në lëmin gjuhësor dhe realizoi përshtatjen vetëm në kuptimin letrar, ai nuk e realizoi përshtatjen ideologjike, se ishte “i paaftë” të bënte letërsi ideologjike. Ai mbeti i përshtatur në gjuhën shqipe dhe realizoi klithma të modeleve të mirëfillta letrare si romani “Oh”, dhe prozat e tij me fjalë krejt të veçanta, që vihen re në përshkrimet që ka bërë gjatë krijimtarisë me tregime fantastike. Pikërisht me këto tregime ai ka çelur mjaft debate mes studiuesve se çfarë ka dashur të thotë, çfarë ka dashur të shprehë, çfarë ka dashur të mbulojë dhe çfarë ka dashur të realizojë në ligjërimin e vetë si prozë e tillë.

Si ke mundur ta njohësh Anton Pashkun në libra dhe në jetë?
-Unë kam diku te 15 vjet që jam marrë me veprat e Pashkut. Kam pasur bindjen se të merresh me të, do të përjetoja një kënaqësi maksimale. Kam pasur kënaqësi se me leximin e parë gjen një botë fantastike, në leximin e dytë gjen një botë edhe më fantastike sesa e para dhe të merresh me të është sikur zbulon sa herë që ndodhesh në tekste e tij gjendje letra të mirëfilltë. Lexon magji rrëfimi, lexon magji shprehësie dhe natyrisht në për vite me radhë herë pas here unë kam ndërtuar ndonjë tekst në median shqiptare në lidhje me romanin “Oh” dhe në lidhje me dramaturgjinë e tij siç është “Sinkopa”.

Por prej dy vitesh kjo magji më mbajti, sepse me sa duket i erdhi radha Pashkut një mjeshtri që vështirësia është e pranishme për shkak të densitetit të figurshmërisë, mendimit, presionit, që do të thotë se nuk mjafton dekodimi klasik i veprës, nuk mjafton dekodimi sociologjik, nuk mjafton dekodimi monografik. Pashku duhet marrë tekst pas teksti dhe në këto përjetime që duhet të provosh ne secilin prej tyre, ka gjasa të mos e përjetosh si duhet.

Ka gjasa të prekësh tek e fundit nga një situatë, që për shkak të ritmit të rimarrjes së fjalës, të rimarrjes së situatave, sepse Pashku ka një ritën të veçantë dhe prej tij rrekja të japësh përgjigje është e ngjashme me stërmundim e Sizifit. Pra nuk është e lehtë të merresh me Pashkun. P.sh. “Kulla” është kështjella më e madhe letrare që i është ngritur qenies shqiptare, por nuk ka aspekte moralizimi, është folur për universin e qenies në atë mjedis, ku ka mbijetuar etj, pa i bërë lëvdime, ngjyrosje të panevojshme, estetikisht. Pashku ka dalë përtej misioneve ideologjike, që ka bërë letërsi.

Kur ka vdekur Anton Pashku, si është trajtuar në gjallje në mjedisin e letërsisë shqipe?
Vdiq në ‘95-n. Mendo ka qenë një kohë që kemi pasur mundësi të dialogonim me vetë autorin. Vetëm në 2006-ën u mbajt një seminar në Akademinë e Shkencave për të me Floresha Dadon, Mehmet Krajën, Kristaq Jorgon, etj. Krijimtaria e tij ishte në fokus për herë të parë zyrtarisht në mjediset shqiptare, në Tiranë.

A ka pasur Anton Pashku persekucione dhe privime politike?
-Me aq sa njoh unë jo, drejtpërdrejt nuk ka pasur, për një arsye të thjeshtë se Pashku me krijimtarinë e tij i drejtohej qenies njerëzore në përgjithësi me artin e tij i drejtohej universit njerëzor, që vjen mes simboleve. Ai i drejtohet lexuesit në përgjithshëm, jo një lexuesi brenda kufijve të caktuar. “Sinkopa”, p.sh., është teatër absurd i mirëfilltë,duke përcaktuar artin e tij. Nuk di të ketë pasur privime direkte, por tani që jemi në një heshtje kjo më shqetëson, mjeshtrit e letërsisë po rrallohen, dhe po mbeten të ndriçuar vetëm llafollogët.


Libri juaj titullohet “Hejzat e Pashkut”. Pse, çfarë zbuluat në veprën e tij?
-Hejzat e përdor shpesh Pashku. Pyeta dhe fjalën nuk e gjeta, pashë fjalorin e ’54-s dhe aty e gjeta: një kurriz mali që ndan dy lumenj. Për mua Pashku është kufiri ndarës dhe bashkues i letërsisë që është zhvilluar jashtë kufijve tanë. E letërsisë tej kufijve. Pashku është mbi, është shenjë e parabashkimit, sepse ai i ka njohur Kutelin dhe Koliqin dhe i ka përthithur. Pashku nuk duhet trajtuar më jashtë kufijve dhe jashtë realizimit socialist, duhet trajtuar si një letërsi.

Kam vënë re diçka të njëkohshme në letrat shqipe. Romani “Oh” ka në qendër Ilirinë, “Karpa” i Martin Camaj ka në qendër Ilirinë, romani “Në një cep të Ilirisë së poshtme” i Mitrush Kutelit ka në qendër Ilirinë. Pra shpirti, gjuha, hejëza i bashkon ata që duhet të bashkohen. Limfa gjuhësore dhe letrare nuk di të ketë realizuar ndarje. Ndarjet vijnë prej mjedisesh të tjera. Jemi apo s’jemi në të njëjtën gjuhë.

Nëse djallëzisht mendohet se nuk jemi në të njëjtën gjuhë, se nuk jemi i njëjti komb me ata matanë kufijve, Pashkun do ta lamë jashtë studimeve letrare. Ai duhet marrë shumë seriozisht, duke shtruar pyetjen pse tragjeditë i quajti “tragjedi moderne”, pse tregimet e shkurtra i quajti “tregime fantastike”, pse shkroi në dy versione të gjuhës. Shumicën e tregimeve të tij i ka shkruar edhe në gjuhën gegnisht edhe në gjuhën e njësuar.

Pashku shfaqet në vite ‘50 si prozator dhe në vitet ‘50 nuk kishte ndodhur ai unifikim i madh që përjashtonte gegnishten dhe arbërishten dhe ndërtonte atë gjuhën e cila në të vërtetë ka realizuar unitetin e kombit, por ka harruar një element në diversitetin gjuhësor e kulturor. Pra, me Pashkun ka ndodhur ajo që e lakmonte më herët Çabej, unitet dhe diversitet. Sot kemi unitet, por s’kemi diversitet. Kemi humbur pak nga larmia gjuhësore.

VARIANTET GJUHËSORE

“Në stuhi”

Varianti I-gegnisht

N’çast ndjeu nji plogshti të madhe që ia përshkoi tan trupin. Çdo gja i dukej e çuditshme, madje edhe vetvehtja. Kurr nuk e kishte tradhtue fuqija si kësaj radhe. Nji lodhje e madhe e kaploi, tue fillue prej qepallave të syve e deri te gishtat e dorës, që i dridhesin bashkë me gotën. Ndjeu nevojën me u çue dhe me ikë prej atij vendi, por mendimi se kur t’eci do të duket qesharak, e pengoi, krenarija e tij nuk e la. Ajo e bani me u ulë edhe nji herë në karrike. Ndezi nji cigare dhe filloi me shikue i lodhun fjollat e tymit.

“Ha, ha, ha, ...”përçau heshtjen nji e qeshun së brendshmi. “shihe nj herë ti... he, he, he...shihe, shihe nji herë...”
Veshët i fishkllojnë, dora me cigare lëshohet me pritesë mbi tavolinë. “Tingër...”
E theu nji gotë. Copat e qelqit u derdhën gjithkah. Ky filloi me i mbledhë si yjtë nëpër qiell. “Ooo”! briti në heshtje. “qe ku jam. Më jep nji akullore...të ftoftë, si bora në mal. Ej!”

Muer gotën tjetër dhe e piu deri në fund. Mandej paloi kryet mes duerve.
“Kërrr...” iu duk se rrëklloi trau mbi derë. I frigsuem, u struk në lëkurën e vet.
“Brum...bram..!” rraplloi dera me të madhe.
“zhzhbërsht, zhbërsht..” i rrëshqitën kambët nëpër baltë.
“fiuuuu..” fiukati era e tërbueme.

Ulet në prehën të mendimeve, i përqafuem prej krahëve të kangës së magjupëve:
“Kush ka për t’ja la fëmijt?”
Shiu ka për t’ia la!”
“Kush ka me i luhatë për Shën Gjergj fëmijt e tu?”
“Era ka me i luhatë”.

“Po djalit tand kush ka i dhanë gji?”
“Dhija e egër ku kalon atypari.”
Bulza djersësh rrëshqasin nëpër ballin e tij. Çliron kravatën, çon gotën në buzë e pin deri në fund dhe shikon në fundin e saj.
“SOS...SOS...Anija “Titanik” në rrezik...SOS...”

Klithi me dëshprim. Përrreth tij shpërthen gazi. Njerëzit qeshin me të.
Ku me ditjtë se çfarë mbretnije lumnish ka andrrue! I tha njeni shokut afër tavolinës së tij.
Ky nuk u vuni vesh talljeve, as që i ndiente. Ishte thellue n’Unin e tij të turbullt. Plotsisht. Ndiente vetëm vërshëllimën e stuhis së marrë. Ajo në mbrendsin e tij, shkonte tue cue valë të mëdha, stërkalat e të cilave e shpijshin si thumba. E ndiente dhimbjen e tyne t’madhe, të stërmadhe; por fija e arsyes së tij ishte e ngjyeme në langun e bardhë; ishte e dehun, e përputhun me rrafshin rrethak të gotës së zbrazun...

Prill, 1957

Në stuhi

Varianti II-Standardi

Në atë çast ndjeu njw plogështi të jashtëzakonshme. Ajo ia përshkoi tërë trupin. Dhe ajo gjë iu duk e çuditshme, madje edhe vetvetja. Kurrë s’e kishte lënë fuqia, si kësaj here. Një lodhje e madhe e kishte kapluar, duke filluar prej qepallave deri te gishtat e dorës që i dridheshin.
Desh të çohej për të ikur prej këtij vendi, por mendimi se, kur të çohej, do të dukej qesharak, e ndali. Edhe trari mbi derë – rrënkëlloi. Rrënkëllima e tij – e frikësoi. I frikësuar, hyri e u struk edhe më brenda, në lëkurën e vet.

Rrinte duke dëgjuar vërshëllimën e stuhisë. Dhe kratjen e trarit….(kështu vijon deri në fund-red)


Prill, 1957

Djathtas shkrimtari Anton Pashku majtas faksimile e tregimeve të autorit me logo
(Në foto djathtas shkrimtari Anton Pashku majtas faksimile e tregimeve të Anton Pashkut botuar në të dyja variantet gjuhësore gegënisht dhe standard)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?