Ankimimi, karrigia e Erion Veliajt
  “peng” i partisë konservatore

15 Korrik 2015, 11:40| Përditesimi:

  • Share
TIRANË - Gjykata e Tiranës ka verifikuar vlefshmërinë e mandatit të Erion Veliajt, i zgjedhur fitues në Bashkinë e Tiranës në siglën e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 21 qershorit. Gjykatësi Neritan Cena pasi shqyrtoi edhe provat dhe kërkesën, ka dhënë vendimin duke njohur vlefshmërinë e mandatit, në këtë mënyrë i hapet rrugë edhe futjes së Veliajt në zyrën e kryebashkiakut të Tiranës. 

Por pavarësisht kësaj pritet që betimi i Veliajt si kryetar i ri i bashksië, të mos ndodhë brenda kësaj jave. Shkak është bërë bllokimi me procedura nga partia konservatore e cila edhe pse ka marrë 903 vota në këshillin bashkiak, pretendon se ka pasur manipulime. Por kjo sjell vonesë në betimin e Veliajt, që nuk mund të kryejë procedurën ligjore, pa u konstituuar më parë i plotë gjithë këshilli bashkiak. 

Konservatorët kanë kontestuar rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë, me arsyetimin se ka pasur tjetërsim vote. Kërkesa ankimore do të shqyrtohet ditën e enjte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe nëse komisioni e rrëzon atëherë do të ketë ankimim në Kolegjin Zgjedhor, ankimim që mund të sjellë vonesa të tjera në betimin.
 
E ndërsa pret konservatorët, Veliaj duket i “paduruar” për të nisur punën dhe në Facebook thotë se ka përveshur mëngët. Punët e para të Veliajt si kryebashkiak duket se do të përqendrohen në ndërhyrjet urgjente që ka nevojë Tirana. Për këtë, Veliaj ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të shprehur atë që sipas tyre përbën nevojën më urgjente për ndryshimin e kryeqytetit.
 
Edhe pak ditë përveshim mëngët për të nisur ndryshimin e shumëkërkuar në qytetin tonë. Tirana ka nevojë për shumë punë, punë, punë! Na tregoni cilat janë 3 gjërat që sipas jush, kanë nevojë për ndërhyrje urgjente në Tiranë?”, - shkruan Veliaj në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
 
Me hashtagun Tirana ne pune, Veliaj i ka bashkangjitur statusit te tij kete foto. 

veliaj bashkiatirane punetore

Në reportazhin e parë televiziv si i zgjedhuri për drejtimin e Bashkisë së Tiranës pas zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit, Erion Veliaj tha për gazetarin Carlo Bollino se do të ishte pikërisht mesi i korrikut kur do të merrte detyrën.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?