Banorët kërkuan uljen e fuqisë së shpërthimeve, a u kontrollua sasia e tritolit në guroren e Rrajave? Ministria e Brendshme dhe e Energjetikës japin lejet për lëndët plasëse

9 Korrik 2023, 18:45| Përditesimi: 9 Korrik 2023, 22:57

  • Share

Ngjarja e rëndë e datës 6 korrik 2023 ku anëtarët e fisit Rraja dhunuan në një lokal Biblil e Jashar Majën, u bë shkak për një situatë të paprecedent në Policinë e Shtetit ku komisariati i qytetit të Krujës, është nxjerrë jashtë funksionit. Kompetencat e tij i ka marrë prej datës 8 korrik, drejtori i policisë së Tiranës Tonin Vocaj.

Për shkak të mosveprimit pas denoncimeve të banorëve të zonës së Borizanës, dhe reagimit të pamjaftueshëm e të vonuar ndaj akteve të dhunës, Shefi i komisariatit, Shefi i rendit, Shefi i Krimeve, inspektorët e krimeve dhe Inspektoret e rendit në komisariatin e Krujës, janë pezulluar derisa të zëvendësohen me të rinj. Banorët e zonës, kanë folur për të paktën 40 ankesa që kanë bërë për shpërthimet në guroren e cila sipas komunikatës së policisë, është në distancë 300 metër nga fshati.

Kompania që disponon lejen minerare për guroren, 'Doku P', në pronësi të Përparim Rrajës, e ka trashëguar nga pronari i mëhershëm, edhe objektin e aktivitetit për përdorimin civil të lëndëve plasëse. Më 11 dhjetor 2002, subjekti ka bërë shtimin e objektit të veprimtarise së shoqerisë me përdorim të lëndëve plasëse dhe shpërthyese gjatë prodhimit të materialeve të ndërtimit. Më pas, sipas ligjeve në fuqi, institucionet që kanë dhënë lejet për përdorimin e lëndëve plasëse, kanë qenë Ministria e Brendshme dhe ajo e Energjitikës. Konkretisht, sipas pikës 2, të nenit 7 të ligjit për “PER PERDORIMIN CIVIL TE LENDEVE PLASESE NE REPUBLIKEN E SHQIPERISE”, lëndët plasëse për përdorim civil transferohen, magazinohen dhe asgjësohen vetëm me leje nga Ministria e Brendshme. Pika tre e atij neni, përcakton se lendet plasëse për përdorim civil përdoren vetëm me leje nga Ministria e Industrisë dhe e Energjetikës.

Ndërkohë, intenstiteti i shpërthimeve, dhe dëmet e shkaktuara në ndërtesa, duhej të shërbenin si këmbanë alarmi për policinë, si organ varësie i Ministrisë së Brendshme, duhej të bënte rritjen e kontrollit dhe të vëmendjes ndaj ngjarjes, sa i përket sasisë së lëndës plasëse dhe intensitetit të përdorimit të saj. Në rast shqetësimesh, dëmesh apo shkelje të lejes, qoftë për sasinë e lëndës plasesë të përdorur, qoftë edhe për fuqinë e saj, sipas ligjit, kompetencën për të pezulluar ose hequr lejen në fjalë e ka Ministria e Energjitikës. Ajo që dihet është se shpërthimet kanë vazhduar deri në fillim të korrikut në zonë dhe se banorët, përfshirë edhe të dhunuarit, Bilbil e Jashar Maja, kishin kërkuar takim me inxhinierët e gurores për t'i thënë që të ulte fuqinë e shpërthimeve.

Është e paqartë nëse policia dhe ministria e Energjitikës kanë kryer kontrolle dhe kanë marrë masa lidhur me sasinë e lëndës plasëse të përdorur nga kompania e Përparim Rrajës. Pavarësisht se kompania e kishte në objekt të punës përdorimin e lëndëve plasëse para se të blihej nga kushëriri i deputetit të PS, ai duket se ka marrë dhe ka përdorur një leje të re, pasi në ligjin përkatës, pika 5 e nenit 9, përcakton se “leja e dhënë nuk i transferohet personave te tjerë”. Në ligjin për lejet minerare në Shqipëri, theksohet se “Për dëmtimet e shkaktuara ndaj të tretëve, nga zotëruesi i lejes minerare, përgjegjës është ky i fundit”. Zotëruesi i lejes ngarkohet me ligj që të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dëmtimin e mjedisit, peizazhit ose pasurive të tjera.

A.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?