Ankaraja-BE-së: Turqia të trajtohet si Ballkani Perëndimor në politikat e zgjerimit të bllokut

5 Shkurt 2020, 15:53| Përditesimi: 5 Shkurt 2020, 15:55

  • Share

Ankaraja i kërkon Bashkimit Europian që të heqë ‘ndarjen artificiale’ midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në politikat e zgjerimit të bllokut.

Thirrja drejtuar Unionit është bërë përmes një letre që ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, i ka adresuar shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Letra është e datës 22 janar dhe nënvizon pikëpamjen e Turqisë ndaj politikës së zgjerimit të BE-së. Ajo është shkruar para se Komisioni Europian të publikonte metodologjinë e re të procesit të zgjerimit. Kjo metodologji u publikua sot dhe u referohet vetëm vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE.

Cavusoglu ka shkruar në letër se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të trajtohen ndryshe nga Turqia.

"Të gjitha vendet duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Shpresojmë të shohim disa hapa pozitivë që do t'i jepnin fund ndarjes artificiale midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë gjatë mandatit tuaj", ka shkruar Cavusoglu.

"Përveç faktit se Turqia është një vend i Ballkanit për shkak të historisë, kulturës dhe gjeografisë së saj, çdo vend kandidat duhet të gjykohet sipas meritave të tij dhe në rrethana të barabarta", ka shkruar Cavusoglu.

Turqia ka aplikuar për t'iu bashkuar Komunitetit Ekonomik Europian - institucionit paraardhës të BE-së - në vitin 1987, ndërsa ka nisur negociatat për anëtarësim në BE më 2005.

Këto negociata kanë ngecur viteve të fundit, për shkak të kritikave të BE-së ndaj situatës së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Turqi.

Aktualisht, 14 nga 33 kapitujt e bisedimeve që Ankaraja duhet t'i mbyllë në mënyrë që të bëhet anëtare e BE-së, janë të ngrirë.

Për dallim, Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar më shumë se Turqia në bisedime, edhe pse i kanë nisur ato vetëm në dekadën e kaluar.

Cavusoglu ka shkruar në letrën e tij se "populli turk sot beson shumë në projektin e BE-së, por shumica nuk i beson BE-së për shkak të standardeve të dyfishta dhe diskriminimit kundër Turqisë".

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?