Anisa Kadareja: Njihuni me 
nismën sociale që nxiti punësimin
Sfidë, identifikimi i trendeve të reja

17 Dhjetor 2015, 08:10| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- ‘MIA Organic’ është një koncept i ri të ushqyerit që ka si objektiv të sjellë pranë konsumatorit produktet më të mira natyrale dhe organike Shqiptare duke ruajtur standardet më të larta të cilësisë. Po si lindi kjo nismë? A është përqafuar nga fermerët dhe konsumatorët?

Pse pikërisht produkte vendi? Këto dhe shumë përgjigje të tjera na i sjell në këtë intervistë Anisa Kadareja, ideatorja dhe sipërmarrësja e cila po ofron një mënyrë alternative duke lidhur urat e bashkëpunimit mes fermerit dhe konsumatorit. Edhe pse prej vitesh Anisa ka studiuar dhe punuar në Itali, ajo na rikthen vëmendjen tek vlerat e tokës sonë dhe mundësitë që mund të ndërtohen nga “dis’avantazhet” e një vendi, si Shqipëria. Në këtë rrëfim, ajo nuk ndan me lexuesin vetëm një copëz të historisë së këtij udhëtimi i cili është vetëm në hapat e parë, por tregon plot optimizëm derën që i është hapur për një tjetër sukses të garantuar. 
 
Një biznes social shqiptar që rikthen vëmendjen tek produktet autoktone. Çfarë është “Mia Organic”?
Ju falenderoj personalisht për interesin që keni treguar në konceptin dhe familjen MIA - Made in Albania. Në fillim në fakt donim ta quanim “E bërë në Shqipëri” por
vendosëm që t’i jepnim një emër që të tërheq kur e dëgjon dhe që mbahet mend kollaj dhe me “simpatik” kur e përdor. Këto disa nga mësimet e marketingut në universitet. E bërë në Shqipëri, sepse shumë nga ne kemi patur fatin të provojmë produktet shqiptare të shëndetshme, pa përdorimin e kimikateve dhe pesticideve. Ashtu thjesht, të prodhuara të freskëta nga fusha apo në shtëpi.
 
“Mia Organic” një nismë e re në tregun shqiptarë. Si lindi ideja që një vajzë e cila ka studiuar jashtë vjen në Tiranë me ide dhe qëllime të qarta?
MIA Organic është një koncept i ri të ushqyerit që ka si objektiv të sjellë pranë konsumatorit produktet më të mira natyrale dhe organike Shqiptare duke ruajtur standartet më të larta të cilësisë nëpërmjet angazhimit tonë të palëkundur për një eko-sistem të qëndrueshëm të agrikulturës tradicionale për njeriun, kafshët, bimët dhe ambientin. Idea më ka lindur kur isha për studime në Milano, duke menduar për vlerat dhe për mundësitë që mund të ndërtohen nga “disavantazhet” e një vendi.

Shqipëria ka kaluar periudha historike shumë të vështira që kanë ndikuar në mos-zhvillimin e sektorëve të caktuar, por pikërisht në këtë disavantazh, mendova që do të ishte e udhës të shihnim anët pozitive, ajo mënyra e thjeshtë dhe genuine e agrikulturës së fermerit shqiptar, toka shqiptare akoma e pakontaminuar nga industritë e rënda dhe ajo dëshira dhe pasioni i fermerëve shqiptarë të ofrojnë mundësi të pakrahasueshme. ‘MIA Organic’ është përqendruar në praktikat e një agrikulture holistike, e jetueshme nga gjenerata në gjeneratë, që prodhon produkte të shëndetshme, të freskëta dhe të sigurta. Janë këto produkte që na bëjnë të ndjehemi krenar për iniciativën tonë, dhe bëjnë të mundur një ofertë për konsumatorin plot shije, kënaqësi e siguri.
 
Çfarë ofron “Mia organic” për klientët e saj?
Në 12 muajt e fundit, ekipi ynë ka udhëtuar në të gjithë Shqipërinë për të takuar fermerët dhe produktet më cilësore të vendit tonë. Kemi njohur personalisht 130 fermerë dhe kemi vendosur të punojmë me vetëm 30 prej tyre. Kjo për të arritur në objektivin tonë për të sjellë pranë jush produktet më të mira natyrale dhe organike Shqiptare. Janë produkte për përdorim ditor në kuzhinat shqiptare, nga perimet, frutat, mishi, erëzat, vaj ulliri, vera, bulmet etj, deri në produktet më tradicionale dhe të veçanta si trahanaja, roshnicat, narden, rehani, petkat, jufkat, rakia, etj.
 
Ku konsiston siguria e produkteve natyrale, si funksionon procesi zinxhir i furnizimit nga vendi i origjinës tek klienti?
Këtë ne e quajmë procesin e cilësisë. Bota MIA është e përbërë nga fermerë të përzgjedhur që çdo ditë punojnë me standardet Mia për të sjellë në treg produktet më të mira. Puna jonë dhe objektivat që kemi ndërmarrë orientohen përreth normave ambicioze dhe kërkesave më të larta etike.

Për këtë arsye kemi vendosur të operojmë duke ndjekur këto vlera: E SHËNDETSHME - Produktet i nënshtrohen një procesi rigoroz certifikimi që siguron përzgjedhjen e produkteve dhe fermerëve më cilësor në të gjithë Shqipërinë. Procesi përmban disa hapa nga përcaktimi i standardit, përzgjedhja e fermerëve në bazë të këtij standardi dhe kontrolli i mëtejshëm i fermerëve. E FRESKËT-Produktet MIA Organic transportohen drejtpërdrejt nga fermat tek konsumatori nëpërmjet mjeteve të frigoriferuara dhe ekskluzivisht nga transportuesit tanë. E SIGURT - Produktet që përzgjidhen nga ne i nënshtrohen analizave specifike Mikrobiologjike dhe Kimike.
 
Edhe pse në hapat e parë, nisma juaj tashmë ka marrë rrugën e duhur. Jeni e kënaqur për këtë arritje?
Jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Edhe pse të jesh sipërmarrës femër në Shqipëri nuk është e thjeshtë, por forca dhe dëshira për të përcjellë tek konsumatorët vlerën që ka konsumimi i produkteve lokale shqiptare bën që çdo vështirësi të kthehet në sfidë për tu fituar.
 
“Mia Organic” operon në treg me një koncept të ri të ushqyerit...Si është përqafuar kjo nismë. Keni patur reagime pozitive?
Është e vërtetë. Disa institucione private dhe publike kanë filluar të jenë me sensibël ndaj çështjeve të certifikimit dhe sigurisë së cilësisë së produkteve. Kjo ndihmon në sensibilizimin dhe edukimin në lidhje me cilësinë e produkteve. Nga ana tjetër është e vështirë të sensibilizosh nga një anë fermerin dhe nga tjetër konsumatorin kur tregu është në hapat e para. Por, siç thashë, pa sfida nuk ka përfitim. Reagimet kanë qenë shumë pozitive dhe mendoj, duke parë dhe ecurinë e Mia-s, kam bindjen që jemi në rrugë të mbarë.
 
Tregu shqiptar është mbipopulluar nga produktet e huaja. Mendoni se nisma të tilla dhe prodhime vendase duhet të kenë më tepër avantazh nga bizneset shqiptare?
Sigurisht që po, prodhimet vendase janë avantazh i pa-diskutueshëm i vendit tonë dhe duhet ta mbrojmë me fanatizëm praktikat tradicionale të prodhimit. Megjithatë, për tu përgjigjur pyetjes suaj më duhet të analizoj shumë shkurt aktorët e tregut, fermerët, klientët, bizneset dhe institucionet publike.

Që të kemi rritje të këtij sektori dhe përqasje më të madhe ndaj prodhimeve vendase, duhet që klientët të ndërgjegjësohen për avantazhet e këtyre produkteve dhe të kërkojnë përdorimin e këtyre produkteve. Nga ana tjetër, institucionet publike duhet të ndërtojnë iniciativa të qarta dhe të prekshme për fermerët, dhe sigurisht që pastaj bizneset si aktori më racional në këtë eko-sistem do të përqafojnë produktet shqiptare.
 
Cilët janë projektet në vazhdimësi për të gjithë klientët besnik që keni?
Projektet në vazhdimësi janë shumë. Në 6-mujorin e ardhshëm po rezervojmë një surprizë interesante për të gjithë klientët besnik. Duke qenë se më pëlqejnë surprizat, po e lë kështu edhe këtë përgjigje. Ju faleminderit për intervistën dhe ju mirëpres pranë MIA-s për të ndarë me ju historiza të këtij udhëtimi dhe të shijojmë së bashku produktet e veçanta dhe të shëndetshme që prodhon toka jonë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?