Sociale

Anglishtja në klasë të parë, 1125 mësues janë në dispozicion për të zhvilluar lëndën! Janaqi: Ora mësimore do të zhvillohet me kreativitet e lojë! Zhapaj: Prindërit shpëtojnë nga kurset private

8 Shtator 2021, 16:07| Përditesimi: 9 Shtator 2021, 14:47

  • Share

Mijëra nxënës që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, këtë vit do të kenë pjesë të programit edhe gjuhën angleze. Ky projekt që implementohet për herë të parë në Shqipëri, zë fill më 27 shtator, ditë zyrtare e nisjes së vitit të ri shkollor 2021-2022. Gert Janaqi, drejtor i Agjencisë së sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, thotë për Report Tv se për zbatimin e këtij projekti janë në dispozicion 1125 mësues. Ai shpjegoi se këta mësues do të kryejnë orë shtesë për tu dhënë fëmijëve të klasës së parë orën e anglishtes.

“Janë rreth 1125 mësues të gjuhës angleze të cilët do të plotësojnë normën për të dhënë mësim në klasë të parë. Kjo tregon që numri I burimeve njerëzore është shtrirë  në të gjithë Shqipërinë dhe nuk do të ketë pengesa për të dhënë mësim në klasë të parë. Ky është një vendim që gjuha angleze është e detyruar, shteti shqiptar ofron çdo shkolle, qoftë në shtet dhe qoftë në fshat që anglishtja të ofrohet nga mësues të anglishtes. Edhe burimet njerëzore janë të disponoheshe. Anglishtja nuk do të jepet nga mësues amator por nga mësues të anglishtes. Sigurisht, pavarësisht rrethanave mjedisore, zhvillimi i gjuhës angleze do të funksionojë. Fëmijët shqiptarë në përfundim të shkollës kanë shkëlqyer edhe në universitete prestigjioze. Risia e këtij viti është që anglishtja do të zhvillohet në klasë të parë. Kemi pasur staf ekzistues, por sigurisht drejtoria e arsimit parauniversitar kanë kryer tashmë rekrutimet e reja nëpërmjet portalit mësues për Shqipërinë dhe të gjithë ato kandidatë që kanë pasur profilin e gjuhës angleze dhe kanë përmbushur të gjitha kriteret janë rekrutuar dhe janë në proces trajnimi”, tha drejtori i ASCAP.

E për të vendosur mbi tekstet më të përshtatshme për këtë moshë, Ministria e Arsimit ka zhvilluar një konkurs, duke përzgjedhur librat e shtëpive më prestigjioze botërore të hartimit të teksteve në gjuhën angleze. Si bazë për këtë proces, kanë shërbyer sistemet evropiane të arsimit.

“Ky vendim është pilotuar përpara dy vitesh në klasat parapërgatitorë, tek mosha 5 vjeç. Rezultoi i suksesshëm  në kopshte.  Gjithsesi jo vetëm në Shqipëri, pasi ka 5-6 vite që në të gjithë Evropën gjuha angleze po dominon si gjuhë e parë e detyruar  në sistemet para universitare. Ne kemi bërë një sintezë  referuar kuadrit Evropiane të gjuhëve dhe rezulton që nga 43 shtete të marra në studim dhe në 29 shtete gjuha e huaj angleze fillon që në moshën 5 vjeç. Sigurisht është prioritet që edhe Shqipëria të avancojë në futjen e anglishtes në klasë të parë për të vetmin fakt që 98% e të gjithë evropianëve në sistemet parauniversitare tentojnë që gjuhën angleze ta ofrojnë si gjuhë të parë,  për të gjitha mundësinë që krijohen, për tregun e punës, mundësitë akademike për të ardhmen. Për ti përgatitur edhe fëmijët shqiptarë që të përballen me një treg evropian, jo vetëm të kontekstit Shqiptar. Për të qenë të aftë dhe kompetitiv. Kemi bërë studime të thelluara, kemi parë të gjitha programet e gjuhës angleze që në shtete të huaj. Niveli gjuhësor sipas kuadrit evropian të niveleve gjuhësore kanë avancuar dhe tashmë nivelet gjuhësore afrohen edhe për moshat e vogla. Janë hartuar të gjitha kurrikulat dhe programet . Është zhvilluar nga Ministria e Arsimit konkursi i teksteve. Pra fëmijët do të kenë tekste nga shtëpitë botuese prestigjioze të gjuhës angleze”, tregoi drejtori.

Duke pasur parasysh aftësitë psiko-emocionale, mendore dhe fizike të fëmijëve, Janaqi thotë se mësimi do të shpjegohet nëpërmjet lojës dhe kreativitetit, në mënyrë që përthithja e dijeve për të vegjlit, të jetë sa më e lehtë dhe larg metodave tradicionale.

“Dhe sigurisht anglishtja zhvillohet që në moshë të hershme dhe në mënyrë graduale, duke marrë parasysh aftësitë psiko-emocionale, mendore, fizik të fëmijëve. Nëpërmjet lojës dhe kreativitetit. Pra, larg mësimit tradicionale që mësimi të jetë sa më interesante”, tregoi ai.

Vendimin e Ministrisë së Arsimit, eksperti dhe pedagogu Albano Zhapaj e sheh pozitiv, por sugjeron që orët mësimore të mos jenë të ngarkuara. Sipas tij, prioritet në klasën e parë duhet të ketë, gjuha mëmë.

“Për mendimin tim ta fusësh anglishten që në klasë të parë nuk është e gabuar, por problem është në çfarë mase. Ma do mendja që ekspertët dhe specialistët duhet ta kenë menduar që ta fusin ën një masë minorë që nuk pengon avancimin në gjuhën e mirëfillte shqipe. Sepse është abetarja dhe duhet ta mësojnë mirë shqipen që mos të krijohet konfuzion dhe mos të dinë të bëjnë dallimin mes dy gjuhëve.  Kam përshtypjen që fillimi i anglishtes për fëmijët nuk do të jetë intensive, por do të jetë gjuhë e mësuar nëpërmjet lojës. Në ketë këndvështrim nuk do të jetë një barrë, pasi do të jetë në masë të pranueshme. Tekstet që do hartohen do të jenë në formën e lojës. Gjuha fillon në lojë. Me figura, këngë, video. A është momenti I duhur apo jo meqë po punohet me orare të reduktuara për shkak të pandemisë? Këtu po ka diçka që ekspertët mund ta mendojnë dhe ri mendojnë për ta shtyre pas dy vjetësh. Nëse futet në formë loje, jo angazhimi dhe jo me detyra të detyrueshme, me ngarkesa që fëmija të sforcohet nuk do të isha dakord”, tha eksperti i arsimit, Albano Zhapaj.

Nevoja për një lëndë të huaj me detyrim, për Zhapajn ka qenë e pranishme me kohë, pasi prej shumë vitesh trendi i familjeve shqiptare për të angazhuar fëmijët në kurset e gjuhëve të huaja, është rritur ndjeshëm.

“Futja e anglishtes si gjuhë e detyruar në arsimin parauniversitar është një eksigjencë që koha e ka kërkuar këtu e para shumë vitesh. Nuk është një vendim I rënë nga qielli, apo i papritur. Problemi është pse në klasë të parë? Unë gjykoj se Ministria e Arsimit është ndjerë e detyruar për ta future anglishten që në klasë të parë, sidomos Tirana, shumë familje shqiptare i fusin fëmijët në kurse anglishte që në 4 ose 5 vjeç. Ne jemi përball faktit që fëmijët ku shkojnë në klasë të parë dinë anglisht. Unë kam fëmijë vetë, dhe kur e ka filluar anglishten që 4 vjeç dhe kur ka ardhur puna në klasë të tretë e kanë filluar nga e para të mësuarit anglisht. Një sugjerim për mësuesit është fokusimi tek nxënësit e klasës së parë sepse ato hynë në klasë, por nuk janë realisht në klasë të parë. Nuk duhet punuar vetëm me fëmijët, por edhe me mësuesit sidomos në të dhënit mësim online. Në gjykimin tim ekzekutivi duhet të heqë dorë nga procesverbalet, por të punohet me mësuesit, pasi janë ndërmjetësit në këtë periudhë”, tha eksperti.

Por sa të lehtë e kanë 6-vjeçarët mësimin e një gjuhe të huaj paralel me shqipen? Mësuesja e anglishtes, Laureta Muka thotë se fëmijëve duhet t’u lihet kohë. Ajo është pro mësimit të gjuhës së huaj që në moshë të hershme, por jo në mënyrë të detyruar.

“Fëmijët e kanë të lehtë të përthithin njohuri, por e futur me detyrim nuk jam pro sepse shkollat tek ne kanë një mësimdhënie paksa formale. Një fëmijë nëse do t’i duhet të mësojë diçka të huaj do dojë ta mësoje nëpërmjet lojës. Unë do të isha e mendimin që fëmija ta mësoje anglishten pse jo që 4 vjeç, por në një ambient pse jo pa karrige dhe tavolina, i ulur nëpërmjet shokëve në mënyrë indirekte. Jam shumë pro mësimit të gjuhës së huaj në moshë të hershme, por duhet ambienti dhe mënyra e duhur, që mendoj se nuk mund ta ofrojë shkolla”, u shpreh mësuesja e anglishtes.

Por, futja e anglishtes me detyrim ka dyzuar prindërit dhe nxënësit. Disa e shohin si një mënyrë mjaft të mirë për zhvillimin e fëmijëve të tyre, ndërsa disa të tjerë si një ngarkesë.

“Deri diku po dhe deri diku jam dakord. Janë shumë të vegjël dhe kanë shumë ngarkesë psikologjike. Edhe programet janë të ngarkuar”, tha një prind.

“Bravo kush e mori iniciativën, dhe bravo mësueset. Jemi të kënaqur. Shumë do ti vlejë. Si ti çojmë në kurse e kanë në shkollë”, tregoi një tjetër.

“Një zgjidhje shumë e mirë. Besoj që mos të ketë shumë ngarkesë për fëmijët. Mendoj se duhet të jenë të kombinuar”. U shpreh një tjetër.

“Mendoj se do jetë pak ngarkesë. Duhet të futej në klasë të dytë ose të tretë”, përfundoi një tjetër.

Një këndvështrim pozitiv për këtë projekt, kanë edhe psikologët e fëmijëve. Për Lira Gjikën, futja e Anglishtes që në klasë të parë me detyrim, është një ndër gjërat më të mira që kanë ndodhur ndonjëherë në sistemin arsimor.

“Unë mendoj se është një nga gjërat më të mira që është bërë në këto vite. Unë për veten time kam rezerva për shkollën, pasi do të doja që të ishte më e butë, të ishte punuar më shumë. Është një gjë shumë e mirë. Deri në moshën 5 vjeç, të paktëm dujke parë vendet e zhvilluara, pikërisht në moshën 5 vjeç fillojnë gjuhën e dytë. Pra deri në 5 vjeç mëson gjuhën e vendit, dhe është shumë e rëndësishme pasi ndërtohet identiteti. Është një gjë shumë e mirë. Truri është organi që kërkon vështirësi për tu zhvilluar. Nëse do ta zhvillojmë nëpërmjet lojës, kjo është një gjë shumë e mirë, e hatashme. Nëse do vazhdojmë me frikrat ata. Është një hap i parë shumë i mirë dhe duhet mbështetur. Jemi me vonesë. Duhet të kishte filluar më parë. Do doja që deri në 5 vjeç të flitej vetëm shqip, dhe pastaj të futej gjuha e dytë, pasi kemi nevojë të dimë dy gjuhë. Mirë do të ishte që gjuha shqipe mos të ishte e gjuhë e dytë, por e parë. Në shkollat private fatkeqësisht gjuha shqipe është, gjuhë e dytë. Jo për patriotizëm, por ka të bëje me identitetin e njeriut”, tha psikologjia për fëmijë, Lira Gjika.

E për t’ua bërë sa më të lehtë të vegjëlve këtë risi, Gjika sugjeron sa më shumë bashkëpunim prindër-mësues, në mënyrë që përshtatja të jetë graduale. Sipas saj, shkëputjet nga shkolla kanë qenë të herëpashershme për shkak të pandemisë, gjë që kanë lënë jo pak gjurmë tek fëmijët.

“Është e vërtetuar shkencërisht. Gjithmonë është mësuar me dy gjuhë. Gjithmonë njeriu ka folur me dy gjuhë. Pedagogjia jonë ka nevojë për një rishikim në këndvështrimin e sotëm, ku nuk është frika elementi kryesor. Ne vazhdojmë të jemi me frikën, etiketimin. Frika nga nota, djalë i mirë e djalë i keq. Kjo është pedagogjia e vjetër dhe ka autorë që e quajnë pedagogjia e zezë. Duhet pasuruar pedagogjia jonë, kur fëmijët të jenë të lirë. Nuk duhet të shihet dështimi por arritja. Të ju mësojmë fëmijëve që janë të suksesshëm. Mos të tregohen të metat, por arritjet. Është bashkëpunimi familje-shkollë, prind -mësues.”, përfundoi Gjika.

Report Tv ka pyetur disa qendra të gjuhëve të huaja, ku rezulton se prindërit shpenzojnë jo pak për t’u dhënë fëmijëve të tyre dije në gjuhët e huaja. Mësohet se anglishtja është një ndër gjuhët ku kërkesa për kurse private është më e lartë, për të vijuar më pas me Gjermanishten, Frëngjishten e Italishten.

 

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?