Kryeministri, Edi Rama

Anëtarësimet në PS, Rama në njësitë 7 dhe 11: Nuk ka qendër votimi në Shqipëri ku s’fitojmë dot! Na takon të garantojmë përparimin e vendit

5 Mars, 22:00| Përditesimi: 5 Mars, 22:53

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në njësitë 7 dhe 11 të PS në Tiranë në kuadër të anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste. Rama u shpreh se PS duhet të garantojë përparimin e vendit në ekonomi, drejtësi dhe në pozicionimin ndërkombëtar.

Ai theksoi se me fluksin e madh të turistëve të shënuar edhe në 2 muajt e parë të këtij viti, vendit i është hapur një portë e re e ekonomisë që duhet shfrytëzuar për rritjen e ekonomisë.

"Partia Socialiste duhet të jetë në gjendje ta garantojë progresin në ekonomi, drejtësi dhe atë në pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë, duke e bërë të pakthyeshëm. Shqipërisë i është hapur një portë e re sot, ajo që ndodh me prurjet e vizitorëve në Shqipëri, është vetëm një shembull i prekshëm i këtij fakti. Që ne në janar dhe shkurt të kemi një rritje si kjo që kemi pasur, është shumë domethënëse, për faktin që i është hapur një portë e re. Dhe ky moment lidhet shumë me ne përsa kohë ne e kemi mundësinë ta udhëheqim këtë vend”-u shpreh Rama.

Më tej sa i takon përgatitjeve që kanë nisur për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, kryesocialisti u shpreh i bindur se nuk ka asnjë qendër votimi në Shqipëri ku PS nuk mund të fitojë, duke theksuar se anëtarësimet e reja janë të nevojshme për rritjen e kapitalit njerëzor brenda partisë.

“Nuk ka asnjë qendër votimi në Shqipëri ku PS nuk fiton dot. Anëtarësimet e reja do të thonë që ne të rrisim kapitalin njerëzor në PS që të reflektojë hapjen dhe të vlerësohen njerëzit e duhur”- shtoi kryeministri.

Më herët gjatë ditës së sotme Rama publikoi kartat e reja të anëtarësimit në PS dhe kërkoi rienergjizim të të gjithë strukturave të partisë dhe procesit qeverisës në të gjithë vendin. Në periudhën 15 mars-15 prill, pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarët e degëve të PS.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?