Andrija Kaçiq-Mioshiq, një tjetër
vepër kushtuar Skënderbeut

28 Prill 2013, 05:50| Përditesimi:

  • Share
Dorëshkrimi që analizuam i Át Mate Zoriçiqi rezulton të jetë edhe më i vjetër se libri i Andrija Kaçiq-Mioshiqit për Skënderbeun. Meqenëse as vepra e át Andrija Kaçiq-Mioshiqit, nuk është shumë e njohur për studiuesin dhe lexuesin shqiptar, sepse ajo është përkthyer vetëm fragmentarisht (siç do shohim më poshtë) po sjellim disa nga të dhënat kryesore edhe për të.

Është e njohur se vepra e botuar e át Andrija Kaçiq-Mioshiqit , e cila i takon zhanrit të përmbledhjeve të studimeve, është e punuar nga këngë epike dhe shënime në formë kronikash. Lëndën për këtë vepër át Kaçiq-Mioshiqi filloi ta mblidhte aty nga viti 1730 nga burime të shkruara dhe ato tregimtare gojore popullore, me qëllimin kryesor që të ndihmonte ndërgjegjësimin etnik dhe politik të popullit kroat.

Për herë të parë vepra e át Andrija Kaçiq-Mioshiqit “Razgovor ugodni naroda slovinskoga” [Biseda të këndshme të popullit sllav] është botuar në Venedik në vitin 1756 duke u pasuar nga një botim i dytë në vitin 1759, i plotësuar dhe i ripërpunuar. Botimi i dytë deri me sot është botuar më shumë se shtatëdhjetë herë në gjuhë të ndryshme të botës.

Disa nga këngët e át Andrija Kaçiq-Mioshiqit janë botuar të përkthyera edhe në gjuhën shqipe. Për herë të parë këngën e parë për Gjergj Kastriotin Skënderbeun “Skenderbegovi mejdani” [Dyluftimet e Skënderbeut] e ka përkthyer shqip át Pashk Bardhi duke e botuar në gazetën “Shqipëria” të Bukureshtit, në vitin 1897, nr. 18, f. 4. I njëjti përkthyes, boton këngën e parë dhe gjashtë këngë të tjera të përkthyera në shqip në revistën e Faik Konicës “Albania” në vitet 1899 – 1901. Pas Luftës së Dytë Botërore poeti kosovar Esat Mekuli (Sat Nokshiqi) boton tre këngët e para të përkthyera shqip në revistën e Prishtinës “Jeta e re”, 1967, nr. 6, f. 1181-1196 dhe 1968, nr. 1, f. 21-24.

Nuk është rastësi që për Gjergj Kastriotin Skënderbeun shkruajnë dy françeskanë kroatë, mendimtarë dhe ideatorë të Rilindjes kroate ose të njohur në historiografi si “Hrvastki ilirizam” [Ilirizmi kroat], sepse jo vetëm këta të dy, por edhe kleri tjetër kroat, kishte një bashkëpunim shumë të ngushtë me klerikët shqiptar. Kjo gjë mund të dokumentohet që nga shekulli XIV e këndej, [kur në Dubrovnik, shërbenin 28 priftërinj vetëm nga Drishti (shek. XIV)], sepse përveç afërsisë territoriale ekzistonte edhe faktori tjetër ai i shkollimit të përbashkët të klerikëve të rinj shqiptarë e kroatë dhe studimit të përbashkët të tyre në kolegje të ndryshme në Itali, Romë e gjetiu.

Këto lidhje, duhet të shikohen edhe nga aspekti kohor-historik. Nëse kemi parasysh (sipas legjendës) se françeskanët për herë të parë në Shqipëri i gjejmë që në fillim të Urdhrit të tyre, përkatësisht që në kohën e vetë Shën Françeskut, i cili duke u kthyer nga Siria në vitin 1220, ndalet në Lezhë, dhe vë themelet e Urdhrit të tij në Shqipëri, te Kuvendi i Zojës Shën Mëri. Por, nëse nuk duam të bazohemi në legjendën e sipërpërmendur, po në burime dokumentare, atëherë mund të themi që françeskanët e filluan veprimtarinë e tyre në Shqipëri të paktën në fillimin e vitit 1236.

Këtë e vërteton bula e papës Gregori IX (1227-1241) e lëshuar më 22 maj 1236 (viti i dhjetë i pontifikatit të tij), në të cilën shkruhet se atje ka “disa rregulltarë të cilët tani vonë kanë shkuar në atë krahinë, me dëshirën e tyre”. Megjithatë, të gjithë studiuesit dhe historianët që merren me historinë e këtij Urdhri janë të një qëndrimi se, së paku që nga viti 1240 Urdhri i Françeskanëve ishte aktiv dhe vepronte në territoret shqiptare. Pra, siç vërehet lidhjet e françeskanëve shqiptarë dhe kroatë kanë ekzistuar që nga themelimi i këtij Urdhri, për të vazhduar deri në ditët e sotme.

Duke e konsideruar si heroin më popullor të popujve të Ballkanit, i cili luftoi jo vetëm për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit dhe Evropës së krishterë në përgjithësi, pjesa më e madhe e rilindasve kroatë, ndër të tjera edhe át Mate Zoriçiqi e át Andrija Kaçiq-Mioshiqi, do ta lartësojnë figurën e Skënderbeut dhe luftën e tij, në veprat e tyre letrare, por edhe në tekste historike, studime të veçanta, artikuj të shumtë gazetash, etj, sepse në të, ata shohin rebelimin, qëndresën, luftën e drejtë dhe të pakompromis kundër zgjerimit Osman në Ballkan si mënyrën të vetme të kundërvënies së këtij pushtuesi, për një bashkim kombëtar, për një qëllim të përbashkët, lirinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar kroat, për të cilin ata luftuan me shekuj të tërë duke e pasqyruar atë në shumicën e veprave të tyre!

Mund të pohojmë, se figura e Skënderbeut, ka luajtur një rol shumë pozitiv, në rrjedhat historike romantike, të zgjimit të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit kombëtar të popullit kroat, posaçërisht në kohën e rilindjes kroate, sepse nga kjo kohë pos ribotimit të veprës së Marin Barletit “Histori e Skënderbeut” në latinisht në Zagreb më 1743, kemi edhe botime të shumta krijime origjinale të autorëve të tjerë kroatë.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?