AMP nis hetimet për një grup kriminal të shpërndarjes së drogave në Tiranë! Pjesë e tij një sirian dhe efektivi i antidrogës në Shkodër (EMRI)

18 Janar, 10:16| Përditesimi: 18 Janar, 20:17

  • Share

Tirane- Një sirian me shtetësi shqiptare, i cili u kap me një sasi të vogël lënde narkotike duke lëvizur me makinën e një efektivi policie në Tiranë, alarmoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, duke nisur hetimet e menjëhershme për një grup të trafikut të narkotikëve në kryeqytet.

Wasim Hajjazi, 27 vjeç, u konstatua nga shërbimet e Komisariatit nr. 1 në Tiranë të hënën e 15 janarit rreth orës 19:30 dhe gjatë kontrollit iu gjet lënda narkotike kokainë dhe u provua se po lëvizte me makinën e një agjenti të antidrogës së Policisë së Shkodrës.

Polici, i cili supozohet të gjurmoj shitjen dhe shpërndarjen e drogës, kësaj here mund të jetë bërë mburojë dhe garant për daljen e saj në treg.

Siriani Hajjazi u arrestua në flagrancë, ndërsa polici është vënë në hetim të menjëhershëm nga AMP, për të parë në mënyrë të detajuar rolin e tij në trafikim apo shpërndarje droge.

Dyshimet e mbikëqyrjes policore janë se mjeti është përdorur për 2 qëllime, lehtësim të lëvizjes së sirianit, i cili rezulton me precedent të theksuar kriminal të mëparshëm, sidomos në trafikun e drogës dhe lëvizjen apo transportimin e narkotikëve me këtë makinë.

Hetuesit pritet të fusin në filtër të gjitha komunikimet që polici i antidrogës ka pasur me sirianin, për të kuptuar rolin e tij në këtë marrëdhënie kaq “miqësore” dhe mundësinë e përfshirjes në një grup kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.

Ora 12:35
Hetimet e AMP: Siriani lëvizte me makinën e efektivit të antidrogës! Me vete i gjejnë kokainë

1705480864_arrestimnaten.jpg

Foto ilustruese

Agjencia e Mbikqyrjes Policore jep detaje lidhur me hetimet për grupin kriminal që merret me shpërndarjen e drogave në Tiranë.

Mësohet se është arrestuar në flagracë shtetasin W.H., 27 vjeç ndërsa po heton në gjëndje të lirë punonjësin e policisë N/Komisar  me detyrë Specialist në Seksionin kundër Narkotikëve në DVP Shkodër.

"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagracë shtetasin W.H., 27 vjeç, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, si edhe ka proceduar në gjendje të lirë punonjësin e policisë N/Komisar H.P., me detyrë Specialist në Seksionin kundër Narkotikëve në DVP Shkodër.

Procedimi penal në ngarkim të tyre ka nisur pasi në datë 15 janar, rreth orës 19:30, shtetasi W.H., me kombësi siriane e shtetësi shqiptare, me precedentë të mëparshëm kriminal, është konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë duke qarkulluar me automjetin në pronësi të punonjësit të policisë H.P., e gjatë kontrollit personal iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë" informoi sot AMP.

 

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?