Amnistia 1946, opinionet që mblodhi
sigurimi nga të burgosurit e të liruarit 

22 Qershor 2016, 08:07| Përditesimi:

  • Share
Një amnisti e bërë në vitin 1946 prej së cilës kishin përfituar kryesisht një kategori të burgosurish për faje të lehta, ishte komentuar gjerësisht në Shqipërinë komuniste të fundviteve’40. Nga dy shkresa që analizojnë komentet e të burgosurve dhe të atyre që ishin liruar nga kjo amnisti, zbulohet se çfarë opinioni mbizotëronte mes tyre dhe se për çfarë arsyesh e kishte ndërmarrë regjimi këtë amnisti. Çfarë mund të thoshin të burgosurit që befas fituan lirinë nga amnistia? Po ata të burgosur që e dinin se s’do të dilnin kurrë nga burgjet komuniste pa u përmbysur pushteti?

Dy dokumentet që sjellim sot janë hartuar në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të informuar Komitetin Qendror të PPSH-së për këto opinione të të burgosurve dhe të ish-të burgosurve, që ishin “bekuar” nga regjimi përmes kësaj amnistie. Dokumentet janë të datave 24 dhe 26 janar 1948 dhe janë pjesë e mekanizmit me të cilin kupola e regjimit (KQ i PPSH) maste shkallën e reagimit popullor në situata të caktuara. Vitet e para të pasluftës u sunduan nga krime të tmerrshme, tortura, dhunë dhe terror, forma këto me të cilat regjimi forcoi pozitat dhe siguroi pushtetin e 45 viteve te mëvonshme.
Por një amnisti menjëherë pas zgjedhjeve ku regjimi i Hoxhës fitoi me shumicën dërrmuese të votave mund të interpretohej edhe si shirtgjerësi e pushtetit për të krijuar një iluzion lirie, por edhe për të shtuar terrenin e simpatisë për regjimin tek të gjithë familjet dhe të afërmit e të ish-burgosurve që kishin fituar lirinë falë kësaj amnistie. Komente të kësaj natyre bëjnë edhe të burgosurit në komentet e tyre që janë mbledhur nga spiunët e Sigurimit të Shtetit në janar të 1948.
  
24.I.48
PËRMBLEDHJE E BULETINIT INFORMATIV TË BURGJEVE

 
Edhe në këtë Buletin ka mjaft gjëra që janë rezultat i punës informative.
Gati në të gjitha burgjet është biseduar rreth lirimit të të burgosurve që u bë këto ditë. Fshatarët e punëtorët kudo e kanë pritur mirë dhe kanë shprehur dashuri karshi pushtetit dhe dëshirën për të punuar sa më shumë në rindërtim.
Një pjesë tjetër, megjithëse nuk u liruan, por që s’janë në një kallëp me armiqtë e popullit, i kanë quajtur të drejta këto lirime duke thënë se “pushteti i shikon gjërat mjaft mirë, ai bën lirime me vend dhe po të përmirësohesh lirohesh”.

Pjesa tjetër, armiqtë e popullit, kriminelët, tregtarët, intelektualët borgjezë për këto lirime kanë thënë:
“Po lirojnë gjithnjë të varfrit, të vobektët, fshatarët, po lirojnë të humburit dhe mbajnë në burgje njerëzit intelektualë dhe njerëzit e zotë.
Ky lirim s’është gjë, është bërë me presion nga anglo-amerikanët, - kanë thënë disa. - Qeveria po fal hajdutët dhe kriminelët dhe po mban politikanët, të pafajshmit, kurse në gjithë vendet përkrahen politikanët dhe dënohen kriminelët. Po lirohen njerëz që nuk i ka njeri në hesap. Këta, - thonë, - kapin njerëz të pafajshëm dhe pastaj i lirojnë”.
“Për ne mbaroi çdo gjë, - thonë, - këta s’na lirojnë. Ne do të çlirohemi me ndonjë ndërhyrje të anglo-amerikanëve”. Janë mjaft të egërsuar. Komentojnë mjaft situatën gati në të gjitha burgjet, flasin për forcën e imperializmit dhe se si do të pëlcasë një luftë dhe BS i cili do të mundet. Flasin se në Angli do të vijë në fuqi Çurçilli dhe do të fillojë lufta. Mbahen me gajret dhe të gjitha këto i pëshpëritin njëri me tjetrin.

Në Vlorë nga rrjeti kanë dalë mjaft gjëra në lidhje me qëllimin e ikjes që kanë pasur të burgosurit 5-6 muaj më parë.
Tregohet familjaritet i rreshterit Ibrahim, i cili u procedua dhe ky është shkaktar edhe i ikjes së këtyre të fundit.
Nga kjo e Vlorës dhe nga të gjitha këto që flasin në burgje, tani më tepër se kurrë të burgosurit armiq populli mendojnë për ikje, për arratisje.
Çështjen e vigjilencës dhe të kontrollit po e mbajmë gjithmonë ngritur dhe shpesh i kujtojmë edhe ata poshtë. Informacioni do të shërbejë mjaft për një sigurim të mirë.
 
26.I.48
DEGA PËR ZBATIMIN E DËNIMEVE
RELACIONI MBI PËRSHTYPJET E BËRA NGA LIRIMI I TË BURGOSURVE

 
BURRELI: Lirimi i 5 të burgosurve ordinerë që ndodheshin në burgun e këtij seksioni, në shumicën e të burgosurve (në pjesën fshatare) bëri mjaft përshtypje të mirë, ata thoshin se “Pushteti Popullor mëshiron të gjithë ata persona që pendohen për të kaluarën e tyre dhe që duan të kontribuojnë në rindërtim, që duan të punojnë për interesat e tyre të siguruara në Statut”. Kurse një pjesë të burgosurish intelektualë e komentuan se “Pushteti liron ata persona që janë futur në burg pa ndonjë faj”. Në popull ka bërë mjaft efekt kjo falje, duke thënë se “Pushteti i jonë është mjaft i drejtë dhe u jep të gjitha mundësitë atyre që duan të punojnë për rindërtimin e vendit”.

ELBASAN: Lirimi i të burgosurve është pritur shumë mirë si nga vetë të burgosurit dhe nga populli. Jo vetëm nga njerëzit e atyre që u liruan por në të gjithë dëgjohet në popull se “Pushteti tregon kujdes për të burgosurit dhe nuk i mban në burg ata që bëhen të mirë dhe pendohen. Kjo tregon se pushteti ynë është i fortë”.
Nga të burgosur që janë brenda, lirimi u prit mirë në përgjithësi, me përjashtim të disave si, Qamil Xhaja, Qemal Hoxha, Ferit Dumi etj. Këta thonë se “për ne nuk ka shpresë në pushtet vetëm se në Zoti të shpresojmë se ne me ata nuk bëhemi të mirë”. Kur u bë lirimi, entuziazmi dhe kënaqësia e tyre ka qenë shumë e madhe. Nga vetë të burgosurit iu bë një telegram Komandantit.
 
KORÇA: Lirimi i të burgosurve në shtresën më të gjerë të popullit ka bërë një përshtypje të madhe ku ka thënë se “burgjet e këtij regjimi janë bërë shkolla të vërteta edukimi”. Ata që kishin njerëzit e tyre në burgje dhe u liruan thonë se “këta nuk mbajnë njerëz kot, por ata që e kanë kuptuar gabimin e tyre qoftë se janë dënuar me dënime të rënda lirohen nga burgu për të shikuar punën e tyre”. Kurse nga ana e reaksionit dhe e disave që nuk u liruan njerëzit e tyre thonë se “këta po lirojnë shtresat fshatare dhe punëtore”.
 
BERATI: Lirimi i një pjese të burgosurish, ka bërë përshtypje shumë të mira, si ndër ata që u liruan si ndër ata që s’përfituan falje, sidomos klasat e ulëta janë dëgjuar të thonë se “kjo qeveri është e jona dhe prandaj mendon për ne”. Dita e lirimit për pjesën që u liruan ka qenë me të vërtetë ditë gëzimi. Ata premtuan se jashtë do t’i përvisheshin punës, duke punuar me ndërgjegje për të mirën e popullit.
Falja e të burgosurve ka influencuar mjaft ndër të burgosurit e tjerë që këta të marrin angazhime për t’u dalluar në sjellje e punë të ndryshme që rasti ka me i sjellë që të punojnë.
Falja ka bërë një përshtypje jo vetëm ndër të burgosur, por edhe në njerëzit e atyre që u liruan dhe në gjithë popullin. Që të gjithë thonë se sot s’ka të lirohen ata që paguajnë ose që kanë miq, sot kuptohet se qeveria është e popullit dhe mendon për popullin.
 
KUKËSI: Lirimi i të burgosurve u prit shumë mirë jo vetëm nga ata që u liruan, por edhe shumë nga të gjerët të cilët thoshin se “jemi shumë të kënaqur kur shohim se lirohen elementë që kanë pasur mjaft përmirësime, që janë treguar mjaft punëtorë dhe që janë penduar për gabimin që kanë pas bërë. Gëzohemi kur shohim që pushteti i sotshëm kujdesohet si për edukimin dhe për përmirësimin që bëjmë; neve do ta ndjekim rrugën e shokëve që po lirohen sot dhe se kemi shpresë se nuk do të ngelim deri sa të mbushet afati i dënimit, por do të lirohemi më shpejt me faljen që bën Pushteti Popullor”.
 
SHKODRA: Lirimi i të burgosurve është pritur shumë mirë, nga të gjithë të burgosurit, të cilët thërrisnin “Rroftë Pushteti Popullor”, “Rroftë Komandanti, Partia Komuniste, Fronti Demokratik” etj.
Në momentin kur ishte përfunduar fjalimi i mbajtur, me rastin e përvjetorit të Shpalljes së Republikës, nga Shoku Kolonel Nesti Karenxhia, të burgosurit e të dy burgjeve, para se të shpërndahej populli kanë mbërritur me turmë duke thirrur “Rroftë Pushteti Popullor, Komandanti, Partia Komuniste” etj. Këto parulla janë pasuar nga populli që ishte i mbledhur, kjo gjë ka bërë një bujë të mirë në masë.

Pjesa fshatare dhe punëtore si dhe masa e popullit e kanë pritur shumë mirë lirimin e të burgosurve. Kjo gjë është bërë dhe si objekt bisede dhe në muhabete individuale nëpër masë, të cilët thonë se “pushteti i sotshëm është me të vërtetë pushtet popullor, ky ka mëshirë edhe për njerëzit e gabuar, njerëzit nuk burgosen kot, veçse nuk burgosen kot, por edhe ata që kanë gabuar i fal, sot ka falur 1.000 e ca të burgosur. Burgjet e sotme nuk janë si burgjet e kohërave të para që kush rrinte në burg 3-4 vjet nuk vlente gjë më, kurse ata që u liruan ishin të shëndoshë” etj.
Prej të burgosurve që janë liruar janë dëgjuar të thonë:

“burgu i sotshëm është si një shkollë, atje kujdesoheshin për të na mësuar shkrim dhe këndim; sjellja e rojeve nuk ishte brutale, por e mirë, na janë zhvilluar konferenca, kemi kuptuar gabimin që kemi bërë dhe jemi ata që nuk kemi me i përsërit më” etj.
Pjesa reaksionare thotë: “Pushteti po liron njerëz pse janë mbush burgjet dhe nuk kanë ku i çojnë; lirimet që bëhen tani janë se këta e shohin situatën se po kërcet luftë, këta lirojnë disa njerëz punëtorë e fshatarë me qëllim që t’i lidhin me vete si këta ashtu dhe familjet e tyre. Pushteti liron të gjithë njerëzit e lënur dhe nuk liron njerëz intelektualë, ata që duhen”.
 
DURRËSI: Falja u prit shumë mirë nga të burgosurit, sidomos në atë të armiqve të popullit, ku përveç brohoritjeve për Republikën, Partinë Komuniste, Komandantin, një i burgosur nga ata që liroheshin premtoi në emër të shokëve se do të përpiqen të punojnë sa më shumë në të mirën e popullit dhe të Pushtetit të tij. Edhe në popull kjo falje ka lënë përshtypje shumë të mirë, dhe thonë se “burgjet e sotëm nuk janë për hakmarrje por shkolla e të gjithë keqbërësve të popullit për të cilët kur Pushteti konstaton se janë penduar i mëshiron dhe iu fal dënimin e merituar”, tregtarët e tatuar kanë thënë se “falja nuk është bërë për ndonjë send tjetër, vetëm me qëllim politik që të kuptojë bota e jashtme se këtu përveç të tjerash, po falen dhe të burgosurit; mbasi ky pushtet nuk e ka të gjatë”.
GJIROKASTRA: Lirimi i të burgosurve nga populli u prit shumë mirë, me përjashtim të të quajturit Petro Miço, nga qyteti, i cili është nga tregtarët e tatuar dhe tani pijeshitës. Ky bashkë me disa persona që pinin në pijetore tha: “Pushteti nuk bëri mirë që i liroi të burgosurit mbasi ata kishin pirë gjakun e popullit, por t’i linte të vdisnin nëpër burgje”.

faksimile dosier


Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?