Yuri Kim kujton 1-vjetorin e betimit si ambasadore e SHBA në Tiranë. Ambasadorja e SHBA ka publkuar fotot nga marrja e detyrës si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
“ 1 vit më parë – në prani të miqve & familjes, me dorën mbi një Bibël të nënshkruar nga nëna ime – u betova se “do të mbështes & mbroj Kushtetutën e SHBA kundër të gjithë armiqve të huaj & të brendshëm”. Për nëpunësit publikë të SHBA, Betimi ynë i Shërbimit është i shenjtë”, shkruan Yuri Kim.
Kim u emërua si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri nga Presidenti Donald Trump në qershor të 2019.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori. Ajo është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.