Yuri Kim dhe Adrian Çela në Shkodër

Ambasadorja e SHBA-së takim me administratorin e OSHEE-së: Shërbime më të mira për konsumatorët e mundësi investimi

12 Shtator 2020, 20:43| Përditesimi: 12 Shtator 2020, 20:48

  • Share

Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim gjatë vizitës në Shkodër ka zhvilluar një takim me administratorin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela. Ata panë nga afër rezultatet e arritura të projektit pilot që Operatori i Shpërndarjes po zbaton me asistencën e USAID për përmirësimin e performancës në zonat më problematike.

“Sot mund të duket shumë e largët por nuk duhet harruar se e morëm kompaninë e shpërndarjes në vitin 2013 me humbje vjetore të energjisë që arrinin mbi 45%. Falë punës intensive për rivendosjen e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, kemi arritur që humbjet vjetore ti reduktojmë tashmë nën 21% ndërsa arkëtimet e energjisë së faturuar rritur në 97%. Objektivi ynë është për përmirësim të mëtejshëm, e ndaj gjej rastin të falënderoj ambasadoren Kim dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën që po na japin përmes USAID dhe Tetra Tech. Jemi përqendruar në këtë projekt pilot në rajonet historikisht më problematike dhe me kënaqësi them se po arrijmë rezultate shumë të mira”, u shpreh administratori i OSHEE-së Adrian Çela.

Gjithashtu, energjia e blerë për furnizimin e këtyre zonave të posaçme, ku është zbatuar projekti pilot është reduktuar me 22%, ndërsa faturimi është rritur me 12%.

“Është kënaqësi të jem sot këtu dhe të shoh rezultatet pozitive të arritura nëpërmjet bashkëpunimit me OSHEE-ne. Puna jonë e përbashkët tregon se si ndryshime te mëdha mund te arrihen nëpërmjet zgjidhjeve me kosto të ulëta dhe me shume vendosmëri. Sot OSHEE është një kompani më e fortë, me më pak humbje dhe më shumë të ardhura, që do të thotë shërbime më të mira për konsumatorët dhe mundësi për të investuar në rrjet”, tha Kim.

Në kuadër të projektit të financuar prej USAID dhe me konsulencën e “Tetra Tech”, OSHEE ka kryer gjatë vitit 2019-2020 në rajonet e Shkodrës, Vlorës dhe Durrësit kontrolle në terren për 80 mijë konsumatorë, ndërprerje të furnizimit për 42 mijë prej tyre ndërsa janë denoncuar në organet ligj-zbatuese 460 abonentë.

Sakaq 14,500 abonentëve u është spostuar sistemi i matjes, pasi gjatë kontrolleve u konstatua se nuk ishte në përputhje me kushtet teknike të Kodit të Matjes.

Me synim forcimin e kapaciteteve njerëzore, janë zhvilluar gjithashtu testime dhe trajnime për rreth 1,000 njësi personeli për çështjet operacionale, parandalimin dhe evidentimin e rasteve të vjedhjes së energjisë. Punonjësve të fiderave u është përgatitur përshkrimi i punës dhe caktuar tregues konkret performancë individuale.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?