Ambasadori Minxhozi: Tensionet në veri të Kosovës duhet të zgjidhen me dialog! Kjo çështje i përket të gjithë klasës politike

8 Nëntor 2022, 19:33| Përditesimi: 8 Nëntor 2022, 20:34

  • Share

Pas tensioneve në Veri të Kosovës, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi thotë se zgjidhja vjen vetëm me dialog. Në një intervistë për ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj u shpreh se çështja e Kosovës është e gjithë klasës politike, jo vetëm e qeverisë, ndaj të gjithë duhet të jenë të matur për kapërcimin e krizës.  

“Ka filluar një frymë dialogu për çështje që kalojnë përtej padive, përtej interesave të grupeve të ndryshme por kanë një shqetësim që palët duhet t'i zgjidhin këto probleme se çështja e Kosovës është e gjithë klasës politike që duhet të jetë më e matur se kurdoherë tjetër për kapërcimin e kësaj krize. Për herë të parë, nga vendet e Europës ka caktuar emisarë të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi. Domethënë ka bashkëpunim të madh për të zgjidhur këtë çështje me rëndësi të madhe”, tha Minxhozi.

Ndër të tjera u shpreh se në Prishtinë nuk është situata aq e tensionuar sa pasqyrohet në media. Minxhozi tha se autoritetet e Kosovës vijojnë takimet dhe bisedat me zyrtarë të huaj në mënyrë që të gjendet sa më shpejt zgjidhje për largimin e Listës Serbe nga institucionet pas vendimit për targat.

“Autoritetet e Kosovës kanë herë pas here takime me zyrtarë të NATO-s. Kanë biseda telefonike e konferenca me administratën e Biden. Herë pas here vijnë emisarë të ndryshëm. Ka një vlerë të shtuar, ka një kujdes më të madh se në të kaluarën dhe një shqetësim. I gjithi është se situata në Ukrainë të mos jetë një burim i një të keqeje që kjo situatë të kaplojë dhe Ballkanin. Problemet e sigurisë duhen zgjidhur me maturi dhe bashkëpunim të faktorëve politik”, tha Minxhozi.

Situata në veri është përshkallëzuar pasi Qeveria e Kosovës nisi të zbatojë planin në tri faza për ri regjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS. Qortimet për targat, si edhe pezullimi i drejtorit të Policisë së Kosovës për veri, Nenad Gjuriç, i cili refuzoi të qortojë shoferët me targa serbe kanë sjellë largimin e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës. Kjo situatë e krijuar ka sjellë edhe regaimin e SHBA dhe BE që i kërkojnë Kosovës që të shtyjë vendimin për reciprocitetin e targave dhe çështja të zgjidhet përmes dialogut. 

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?