Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri flet në Report Tv: Situata mjaft e rrezikshme, duam paqe! Rusia kundër zhvillimit të NATO-s, konfliktet prej 2014

10 Shkurt 2022, 18:46| Përditesimi: 10 Shkurt 2022, 22:40

  • Share

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, i ftuar në emisionin 'Studio Live' me gazetarët Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj në Report Tv, tha se Ukraina nuk kërkon përplasje ushtarake me Rusinë, por vetëm paqe. Shukrov thekson se Ukraina është e përgatitur me forca ushtarake ndërsa gjithashtu edhe qytetarët janë në gatishmëri.

Sakaq, ai e paraqiti situatën mjaft të rrezikshme. Sa i përket qëndrimit të Shqipërisë që rreshtohet në krah të Ukrainës, Shkurov deklaroi se Shqipëria pozicionohet si partner jo vetëm kohët e fundit, por prej disa kohësh.

“Në momentin e adresimit të Shqipërisë në NATO, ka filluar mbështetjen ndaj Ukrainës. Gjatë kryesimit në OSBE të Shqipërisë, ka mbështetur Ukrainën në të gjitha çështjet. Në të gjitha organizatat ndërkombëtare që kanë ndikim, zëri i Shqipërisë ka qenë i dëgjueshëm. Integriteti territorial i Ukrainës ka pasur mbështetjen e Shqipërisë.”-deklaroi Shkurov.

I pyetur se si arriti Rusia dhe Ukraina deri në këtë pikë, ku tensionet janë të forta dhe flitet për përplasje të armatosura apo një Luftë të Tretë Botërore, ambasadori i Ukrainës në vendin tonë tha se është i shqetësuar.

“Konflikti dhe agresionet kanë ndodhur prej vitit 2014. Atëherë u bë aneksimi i Krimesë dhe pjesëve të tjera të Ukrainës. Situata aktuale është shumë e rrezikshme. Është e vështirë të shpjegoj arsyet, por situata nuk është as në të mirën e Ukrainës dhe as të Rusisë. Do duhen shumë forca që situata të rregullohet.”-tha Shkurov.

Ndërsa për deklaratën e ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, i cili ka thënë se Rusia nuk kërkon luftë, dhe nga ana tjetër ka përpjekje politike dhe diplomatike nga SHBA e BE për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, Shkurov mendon se për ta, thirrjen dhe apelet janë të mirëpritura për ta zgjidhur krizën në mënyrë paqësore.

Shkurov thekson se në sfondin e dezinformimit që ekzistojnë sa i përket dëshirave agresive të Ukrainës, për ambasadorin kjo e fundit nuk kërkon gjë tjetër veçse paqe.

“Nëse Rusia dhe Amerika flasin për zgjidhje të konfliktit, Ukraina është pro. Duhet të them që ka filluar takimi i formatit për çështjen e Ukrainës. Shpresojmë se në takim do ketë dakordësime, ku Franca, Gjermania e të tjera të bien dakord.”-u shpreh Shkurov.

Ambasadori u shpreh se e përgëzon deklaratën e Ramës se me mbështetjen e Amerikës do marrin pjesë në zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë.

“Kemi marrëdhënie të hershme në Amerikë, Nju Jork, etj. Shqipëria nuk është shtet në vëllim të madh, por zëri i saj është shumë i rëndësishëm për Ukrainën.”-deklaroi Shkurov.

Se sa real është kërcënimi apo një rrezik i mundshëm ushtarak në Ukrainë dhe se si mund të ndikojë në aspektin social, ambasadori tha se edhe pse pala ruse thotë se nuk paraqesin agresion, shpresojnë që asgjë të mos ndodhë.

“Nga ana e Ukrainës po grumbullohen trupa ushtarake. Nëse shtojmë edhe komponetët e aviacionit, numri i trupave shkon në 130 mijë. Sot kanë filluar stërvitjet mes Bjellorusisë. Marrin pjesë mbi 30 mijë ushtarë nga Rusia, armatime të fuqishme, pajisje antiraketore, avionë ushtarakë. Edhe Forcat e Armatosura të Ukrainës janë në gatishmëri. Rreziku mbetet.”-tha Shkurov.

Anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO, Shukrov tha se Rusia është kundra zhvillimit të NATO-s.

“Rusia gjithmonë ka preferuar që trupat ushtarake në Europë të kthehen në nivelin e viteve 97. Do doja të thoja se Ukraina si Shqipëria do të donin të vendosnin për fatin e vet. Në rast se Ukraina mendon se anëtarësimi në NATO i garanton siguri, ka të drejtë të mendojë kështu. Nuk flasim vetëm sot për këtë çështje, ka kohë që NATO me Ukrainën bashkëpunojnë për të rritur standardet. Nëse anëtarësimi do jetë fundi i problemeve, besoj se po. Dritarja besoj mbetet e hapur. Shikojmë aktivizimin diplomatik në të gjitha nivelet.”-tha Shkurov.

Ndër të tjera, Shkurov deklaroi se nëse do ketë një aksion ushtarak, Ukraina, Rusia, Europa, do ketë shumë probleme.

“Kuptojmë se shkatërron infrastrukturën. Do jenë valë të vazhdueshme emigrimi, pa folur për viktimat, në të gjitha rastet, nëse infrastruktura rindërtohet, jeta njerëzore nuk kthehet. Po diskutojmë për çështje që të jenë të vendosur nga ata persona që marrin vendime. Ushtria e Ukrainës është e mirëpërgatitur, e motivuar, dhe populli është vendosur për të mbrojtur tokën e vet. Ne në ambasadë marrim thirrje nga shqiptarët që shprehin dëshirën për të mbrojtur Ukrainën. Për mua është mundësia të falënderoj të gjithë miqtë shqiptarë.”-tha Shkurov.

Se çfarë pritet për raportet mes Shqipërisë dhe Ukrainës, ambasadori Shkurov deklaroi se marrëdhënie do të ketë në shumë aspekte ndërsa shtoi se dëshirojnë të bëjnë shkëmbim vizitash në nivele të larta.

“Po përgatisim një mbledhje për çështje ekonomike. Ukraina jep çdo vit bursa për studentët shqiptarë. Do dëshironim që shqiptarët të mësojnë në Ukrainë dhe të kthehen këtu sërish, të konsiderohemi miq me njëri-tjetrin. Për turizmin, ata ukrainas në Shqipëri po shtohen çdo ditë. Në 2021, të gjithë çarterat ishin plot. Çdo vit Shqipëria po bëhet më e njohur për Ukrainën. Përveç programeve arsimore, kemi potencial për diplomacinë kulturore. Shpresojmë se do arrijmë të bëjmë diçka, të mendojmë më pak për luftën, por për partneritetin mes nesh.”-tha Shkurov.

Kujtojmë se më 1 shtator 2020 , Volodymyr Shukrov i ka dërguar letrat kredenciale presidentit Ilir Meta, ndërsa theksoi se ambasada ka filluar të punojë në Shqipëri më 1 shkurt 2020.

“Kemi filluar të punojmë jo vetëm si ambasadë, por edhe si konsullatë. Kemi edhe mundësinë të japi pasaporta dhe viza për popullin e Kosovës. Kemi 5 diplomatë që punojnë në ambasadën tonë, edhe personel.”-tha Shkurov.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?