Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci

Politikë

Ambasadori i Italisë takon Celibashin: Dënojmë aktet e dhunës së ditëve të fundit, s’përkon me demokracinë! Shtatë deputetë dhe senatorë italianë vëzhgues më 25 prill

23 Prill 2021, 20:37| Përditesimi: 23 Prill 2021, 20:41

  • Share

Dy ditë para zgjedhjeve parlamentare, Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, zhvilloi sot një takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Bucci tha se zgjedhjet duhet të zhvillohen në një klimë të qetë, ndërsa dënoi aktet e dhunës të ditëve të fundit, pas ngjarjes së rëndë që u regjistrua në Elbasan, ku u vra Pjerin Xhuvani, mbështetës i PS-së.  

“Zgjedhjet duhet të zhvillohen në një klimë të qetë, pa përdorimin e dhunës. Në demokraci dita në të cilën votohet duhet të jetë një festë. Është çasti më i rëndësishëm dhe më i shenjtë pasi përfaqëson momentin në të cilin populli shpreh dhe vendos se prej cilit dëshiron të qeveriset. Për këtë arsye dënojmë me vendosmëri aktet e dhunës të ditëve të fundit. Dhuna nuk përkon me demokracinë. Nuk është kjo ajo që duan dhe që kërkojnë shtetasit shqiptarë”, tha ai.

Duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për integrimin e Shqipërisë në BE, Bucci u bëri thirrje forcave politike që të tregojnë përgjegjshmëri, vetëpërmbajtje dhe pjekuri. Po ashtu ai thekson se në përbërje të grupeve ndërkombëtare të vëzhgimit do të jenë edhe shtatë deputetë dhe senatorë italianë.

“Këto zgjedhje do të jenë tejet të rëndësishme. Sytë e Evropës dhe gjithë botës do të përqendrohen tek Shqipëria. U bëhet thirrje të gjitha forcave politike dhe të gjitha institucioneve shqiptare të tregojnë përgjegjshmëri, vetëpërmbajtje e pjekuri në një vit në të cilin do të çelen, të paktën ky është urimi dhe shpresa e Italisë, negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në konfirmim të mbështetjes së plotë për zgjedhje të rregullta, të lira e, mbi të gjitha, të qeta, Ambasada e Italisë do të vëzhgojë zhvillimin e zgjedhjeve me disa grupe vëzhguesish që do të vendosen në disa zona të Vendit. Në kuadër të Asambleve Parlamentare të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, në përbërje të grupeve ndërkombëtare të vëzhgimit do të jenë edhe shtatë deputetë dhe senatorë italianë. Italia i ndjek zgjedhjet në Shqipëri me të gjithë afërsinë, gjithë vëmendjen dhe gjithë ngrohtësinë më të cilën ndjek gjithmonë një Vend të veçantë, mik e vëlla. Jemi besimplotë se në një çast kaq të rëndësishëm zgjedhësit shqiptarë, partitë politike dhe Institucionet do të dinë të tregojnë se janë në lartësinë e duhur të këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor”, përfundon Bucci.

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?