Alush Shima: Pse i ekspozova
pas 40 vitesh pikturat e grisura

27 Prill 2013, 05:20| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Piktori i traditës Shima çeli ekspozitën “Territore të vogla lirie 1968-1973” mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Rrëfimi për veprat kundwr Enverr Hoxhws dhe sjelljen e tij me diktaturën

“Piktura e Alush Shimës është stil, është formë përpara se të jetë përmbajtje. Kjo është një nga karakteristikat thelbësore të vetë piktorit dhe në këtë ekspozitë shfaqet më shumë se në çdo lloj krijimtarie tjetër”, tha dje për “Shqiptarja.com” studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka.

Sipas studiueses Kuka, “Shima jetoi me fatin e vendit ku punonte. Nuk ishte një artist jashtë këtij qerthulli në kohën kur pikturonte. Sot artisi mund të punojë edhe brenda studios, por në kohën e komunizmit ndihet që Alush Shima ka jetuar si një artist i ditëve të sotme, pra ka jetuar megjithatë në studion e vet”.

Duke parë ekspozitën e tij dhe duke biseduar me studiuesen Kuka, konstatohet qartë se vepra e Shimës është zhvilluar nga kokëfortësia për të qenë vetvetja. “Natyrisht ky është thelbi në këtë ekspozitë, që ai është munduar të jetë vetvetja, pavarësisht asaj që ka bërë në atë kohë si peizazhin apo personazhet.

Alush Shima ka në pikturë dinjitetin e vet. Një dinjitet që të po të punoje në atë kohë nuk është e lehtë ta kesh”, thotë studiuesja Kuka. Ekspozita e Alush Shimës, që u çel dje në Galerinë Kombëtare të Arteve, është e përmasave të mëdha, jo vetëm për sasinë e veprave, por edhe të efekteve të ngjyrës.

Kritikët anglezë e kanë cilësuar një kolorist të jashtëzakonshëm “me fuqinë e fovistëve të hershëm”. Po a i ka munguar një ekspozitë e kësaj përmase Galerisë Kombëtare, pyesin studiuesen Kuka. “Mendoj se kjo lloj ekspozite, kjo lloj periudhe i ka munguar, jo vetëm galerisë, por edhe publikut shqiptar.

Madje duhet të them se kjo ekspozitë u ka munguar edhe bashkëkohësve të Alushit të cilët janë gjallë, dhe pse jo edhe Galerisë së Arteve, për të cilën është mirë që të ketë ekspozita me këtë potencial”, tha dje për gazetën kritikja dhe studiuesja Suzana Varvarica Kuka. Ndërkohë, piktori Shima rrëfen arsyet se si i nxori në dritë pikturat kundër diktaturës.

Zoti Shima, ju keni jetuar me krijimtarinë tuaj nën presionin e metodës së realizmit socialist dhe shoh se ke pasur guxim kur ke pikturuar Heroinën Margarita Tutulani me shumë sensualitet në fytyrë dhe trup. Si u komentua atëherë kjo vepër?
-Portretin e Margarita Tutulanit e pata paraqitur në një ekspozitë dhe nuk u pranua. U quajt një punë që nuk plotësonte kriteret e artit zyrtar. Nuk e kuptoja pse nuk pranohej. Me një fjalë, ose ata që i gjykonin ishin të ndikuar nga një art tjetër, sepse realizmi socialist nuk u prodhua në Shqipëri për herë të parë, u importua nga BS. U morën shabllon parimet. Gjithsesi metoda e realizmit, ishte arti i gënjeshtërt.

Çfarë u bë shkaku i kësaj ekspozite?
-Shkaku i kësaj ekspozite u bënë dy miqtë e mi italianë, Arturo Calzona dhe Vanja Strukelj, kritike e arti bashkëkohor modern. Ata erdhën tek mua dhe panë punimet dhe u entuziazmuan dhe kërkuan që të bënim një ekspozitë, kryesisht u mendua që të hapej në Itali, por pastaj ndërruam mendim dhe menduam ta hapnim këtu. Kjo ekspozitë është rruga ime artistike për të gjetur veten time në art, si kam arritur dhe si kam punuar.

Ngjyrat që përdor janë më tepër ngjyra fantazie. Nga kanë ardhur ato në fantazinë tuaj?
-Ngjyrat janë një ndjesi e brendshme e individit dhe gjithkush shprehet nëpërmjet asaj ndjesie që atij i duket më e bukur.

Ju nxirrni sot në skenë pikturat e krijuara kundër diktaturës. Kam dëgjuar ndonjë që është skeptik që t’i përkasin asaj kohe. Si është historia e tyre?
-Unë nuk doja të merresha me këta. Historia është e tillë që unë kam qenë kundër atij sistemi që kur isha student. Dhe atë sistem nuk e kam duruar asnjëherë.

Cila ishte zanafilla e rebelimit dhe protestës tënde të brendshme ndaj sistemit?
-Zanafilla ishte se ishte një sistem i gënjeshtërt. Një gënjeshtër e madhe dhe disa e besonin, disa nuk besonin, disa bënin sikur e besonin. Kishte dhe nga ata që ishin plotësisht dakord, por unë e shikoj si një sistem që liria e shprehjes së individit ishte e dhunuar dhe kjo është arsyeja kryesore që ndjehesha kundër. Kam idenë se kjo gjë ka filluar me mbarimin e institutit të arteve në vitin 1965. Madje unë edhe gjatë periudhës së shkollës kam pasur shumë keqkuptime edhe me pedagogët e mi, sepse unë kam qenë një njeri i vështirë. Gjithmonë kundërshtoja, gjithmonë kam qenë kundër disa gjërave. Zihesha me profesorët që më thoshin bëhet ashtu, unë thosha nuk bëhet ashtu.

KURATORI ITALIAN

Calzona rrëfen si i zbuloi veprat e prera të Shimës

Tablotë kanë qenë për piktorin territore lirie në periudhën e diktaturës. Ndaj ekspozita e piktorit Alush Shima, e çelur dje në Galerinë Kombëtare, titullohet “Territore të vogla lirie 1968-1973”. Veprat u krijuan për të mbetur të mbyllura për 40 vjet, për shkak të dënimit të kolegëve pas Ekspozitës së Pranverës.

Veprat me ciklin për diktatorin, Alush Shima i bashkon dhe i risjell në këtë ekspozitë, falë dy kuratorëve italianë, profesor Arturo Calzona dhe Vanja Strukelj. Dje në konferencën për shtyp kuratori Arturo Calzona u shpreh se ka vizituar shtëpinë e Alush Shimës në Petrelë dhe ka parë veprat e tij.

“Cikli i bashkuar iu jep këtyre punëve një rëndësie të dyfishtë, sepse, së pari, në ato vite kultura shqiptare kaloi nëpër një periudhë të shkurtër lirie për të eksperimentuar dhe së dyti, janë vitet e formimit artistik të Shimës”, tha Arturo Calzona duke u shprehur se “Shima e ndërton identitetin e tij në përballje me mjeshtrit e mëdhenj të artit të së shkuarës dhe sidomos në një marrëdhënie të ngushtë me pikturën e Braque-ut dhe të Mattisse-it”.

Sipas kuratorit italian, veprat në këtë ekspozitë janë të rëndësishme pasi vijnë për herë të parë para publikut, duke treguar një mikrobotë të fshehur e shumë interesante që ka ekzistuar brenda botës së ngurtë kulturore të Shqipërisë socialiste.

“Këto janë piktura që si në telajo, në vaj dhe ne letër në tempera janë një kompleks mediumesh që ai përdorte. Janë të gjitha vepra që kanë qenë të prera dhe për herë të parë ai i ribashkoi copëzat për të treguar punimet që ia ka bërë në ato vite”, tha kuratori italian duke pohuar se Shima ishte një piktor që ecte në të kundërt të realizmit socialist, “pavarësisht nga ankthi që ka pasur ose mënyra që ai dëshironte t’i ruante”.

Calcona, duke rrëfyer për audiencën se gjatë vizitës në shtëpinë e tij në Petrelë, njohu një Alush Shima ndryshe, tha se ka vënë re sesi pjesët e prera janë bashkuar me njëra-tjetrën dhe si kanë qenë të prera në mes më dysh.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?