Alush Shima nxjerr nga sënduku
pikturat kundër Enver Hoxhës

24 Prill 2013, 20:50| Përditesimi:

  • Share
Pesë vite krijimtari nga fillesat e karrierës së piktorit Alush Shima, do të ekspozohen me këtë titull në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ekspozita e cila hapet nesër (26 prill 2013) në ora 19.00, sjell për publikun një pjesë mjaft ngacmuese nga krijimtaria e piktorit ajo e viteve 1968-1973, me piktura ku sundon infuenca e pikturës moderniste perëndimore me autorët kryesorë të saj.
alush shima
(Foto: Vepër nga ekspozita "Territore të vogla ilire)

I lindur në vitin 1942, këto vepra piktori Alush Shima i realizoi nga mosha 26 deri në moshën 31 vjeçare. Ekspozita është realizuar në bashkëpunim me dy kuratorët dhe kritikët italianë, Profesorët Vanja Strukelj dhe Arturo Calzona, të cilët janë përqëndruar në vitet e hershme të punës së piktorit, pasi sipas tyre, këto vite janë të një rëndësie të dyfishtë. Së pari, në ato vite kultura shqiptare kaloi nëpër një periudhë të shkurtër lirie për të eksperimentuar dhe së dyti, janë vitet e formimit artistik të Shimës.

Sipas kritikëve Strukelj e Calzona, të cilët fillimisht marrin në shqyrtim formimin e shëndoshë akademik të artistit, Shima e ndërton identitetin e tij në përballje me mjeshtrat e mëdhenj të artit të së shkuarës dhe sidomos në një marrëdhënie të ngushtë me pikturën e Braque-ut dhe të Mattisse-it, vepra e të cilëve bëhet për piktorin shqiptar një terren për t’u eksploruar.

Piktura e Alush Shimës është cilësuar si një sintezë e botëkuptimit modernist me botën e tij individuale dhe familjare. I ekspozuar fare pak gjatë viteve të regjimit socialist, Shima punoi në fshehtësi duke e zhvilluar veprën e tij larg syve të të tjerëve.
Vetë Shima në një bisedë të para pak viteve e kujton kështu këtë periudhë të krijimtarisë së tij. Ndërsa e pyesja se në ç’kushte i punoi këto vepra dhe si e shmangu artin zyrtar, Shima tha:
alush shima
(Foto: Vepër nga ekspozita "Territore të vogla ilire)

“Me mbarimin e Institutit të Lartë të Arteve mu krijua bindja se ai lloj arti që shteti e përkrahte nuk ishte një lloj i veçantë arti, nuk pasqyronte atë realitet që jetonim. Ekzistonte një paragjykim tek ai art, ekzistonin privime që kishin artistët, të cilët duhet t’i përmbaheshin disa kërkesave që e ngushtonin vizionin artistik tek piktori. Në këto kushte, ishte më e udhës që artisti të tërhiqej e të punonte për vete në studion e tij se sa të punonte atë lloj pikture që sot konsiderohet shpesh si një referencë e keqe për ata artistë. Unë zgjodha të punoja në fshehtësi, të mos ekspozoja thuajse asnjëherë, dhe të mos i tregoja askujt për idetë dhe artin tim”.

Veprat në këtë ekspozitë janë të rëndësishme pasi vijnë për herë të parë para publikut duke treguar një mikrobotë të fshehur e shumë interesante që ka ekzistuar brenda botës së ngurtë kulturore të Shqipërisë socialiste.

Ekspozita “Territore të vogla lirie” do të qëndrojë e hapur në galerinë kombëtare të Arteve deri më 27 Maj 2013.

(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?