Serie A fillon të premte me raundin e 33-të. Juventusi udhëton drejt Sardegnas ku në 20:45 e pret Cagliari i Ranierit. Të dorëzuar për titullin kampion, bardhezinjtë do duhet të kapen fort pas vendit të tretë në Serie A dhe për ta bërë këtë duhen pikët e plota.
Kundër Cagliarit trajneri Allegri pritet të hedhë në fushë "artilerinë e rëndë", me numrin një të pankinës që e ka cilësuar si ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.
“Ndaj Cagliarit është një ndeshje shumë e rëndësishme pasi në këtë pikë të sezonit, fitoret vlejnë dyfish. Ata janë të fortë në fushën e tyre dhe shënojnë shumë në 15 minutat e fundit, sidomos me zëvendësuesit", tha ai.
Më pas trajneri foli edhe për nervozizmin e Chiesas, me sulmuesin anësor që kërkohet nga disa klube dhe mund të jetë largimi i bujshëm i "Zonjës" në verë.
"Polemikat e Chiesas? Ashtu ishte momenti, ka pasur episode edhe më të rënda se aq. Federico ka pasur probleme pas dëmtimit, por unë jam i lumtur me atë që ai po bën. Ka ende për të mësuar dhe të kuptojë më shumë veten. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, ashtu si edhe Vlahovic", vijoi Allegri.
Përpara mediave trajneri analizoi sezonin, duke thënë se janë brenda objektivave.
S.DH/ReportTv.al"Objektivi ynë ishte që në mars apo në prill të ishim në garë për objektivat tanë dhe ashtu është. Jemi në Kupën e Italisë dhe afër kualifikimit në Champions, tani vjen pjesa më e bukur e sezonit, luajmë për gjithçka në këto 60 ditë. Të mendojmë vetëm për këtë sezon, më pas klubi do të na thotë se çfarë mendon për të ardhmen”, u shpreh Allegri.