Burgu i Spaçit dhe kampi i Tepelenës

Alibeaj dorëzon projektligjin: Burgu i Spaçit dhe Kampi i Tepelenës të shndërrohen në Muze Kombëtar

1 Korrik 2022, 11:56| Përditesimi: 1 Korrik 2022, 12:08

  • Share

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në emër të grupit ka depozituar një ditë më parë një projektligj ku kërkohet shndërrimi i Burgut të Spaçit dhe Kampit të Internimit të Tepelenës në Muze Kombëtar.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Alibeaj shkruan se ky kthimi i tyre në Muze Kombëtar është në shërbim të memories historike të Shqipërisë, si edhe në respekt ndaj mijëra qytetarëve dhe pasardhësve të tyre që vuajtën terrorin e regjimit komunist

“Memoria historike për një vend që për gati 50 vite u rrënua nga diktatura komuniste shtron si domosdoshmëri që e shkuara e hidhur jo vetëm të njihet nga brezat e rinj, por dhe të shndërrohet në kujtesë ndërgjegjësuese për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Partia Demokratike ka në gjenezën e saj atë pjesë të shoqërisë që gjatë viteve të komunizmit u vra, u syrgjynos, u burgos dhe u persekutua në burgjet e kampet më të egra të Europës. Këto 30 vite kanë qenë tregues i qartë se veç asaj që është bërë për të këtë shtresë ka ende shumë kontribute për të dhënë që nga e djeshmja e errët të nxirren mësime për të sotmen dhe të ardhmen. Këtij qëllimi i shërben dhe projektligji i depozituar dje. Si shërbim ndaj memories historike të Shqipërisë dhe si një respekt ndaj mijëra qytetarëve dhe pasardhësve të tyre që vuajtën terrorin e regjimit komunist”, shkruhet në njoftim.

Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet (gjendej) në fshatin Spaç. Në vitin 1973 në Burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist. Një rebelim i ngjashëm u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984 ku u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak.

Burgu i Spaçit është një monument i trashëgimisë kulturore i llojit "Arkitekture". I hapur në 1968-ën, ai ka funksionuar deri në vitin 1988. Sipas të dhënave në Spaç kanë vuajtur dënimin mbi 1000 të burgosur politikë, të cilët shfrytëzoheshin për të punuar në miniera.

Kampi i Internimit i Tepelenës apo Kampi i Tepelenës ka qenë një strukturë internimi pranë kalasë ku u mbajtën familjarët e të dënuarve, arratisurve dhe ushtarakëve dezertorë. Kampi qëndroi aktiv prej prillit 1949 deri në mars 1954. Kampi i Tepelenës fitoi nam të keq në arenën ndërkombëtare, madje duke zënë vend në raportin e qeverisë amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?