Ali pashë Tepelena, si e
mbyti vajzën e tij dy vjeçe

24 Prill 2013, 07:30| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Dita e librit dhe e të Drejtës së Autorit në Bibliotekën Kombëtare është kremtuar duke ekspozuar për herë të parë botime të rralla të diplomatëve, udhëtarëve apo aventurierëve mbi figurën e Ali Pashë Tepelenës.

Për të vendosur në bazën e shkencës së historiografisë figurën e Ali Pashës, drejtori i Bibliotekës Aurel Plasari ka organizuar edhe promovimin e librit “Luani i Epirit – Ali pasha dhe Suli” të akademikut grek Spiro Mela, që përshkruan figurën kontroverse të Pashait të Janinës.

Libri është përkthyer në shqip nga Kristo Pulla dhe Foto Bixhili dhe është botuar nga “Toena”. Për librin e akademikut grek Spiro Mela kanë folur dje drejtori i bibliotekës Aurel Plasari, botuesja Irena Toçi, e cila kujtoi djegien e Hormovës dhe krimet e Ali pashës dhe shkrimtari Moikom Zeqo.

Autori i librit “Luani i Epirit – Ali pasha dhe Suli” të sjell në shqip nga botimet “Toena”, Spiro Mela, është anëtar i Akademisë së Athinës. Tashmë nuk jeton më, por vepra e tij “Luani i Epirit” me historinë e Ali Pashë Tepelenës ka disa dekada që është botuar dhe qarkullon në bibliotekat akademike dhe kombëtare të Greqisë.

“Në librin e Spiro Melës ndeshim një koncept të historigrafisë së hapur nga Aleks Buda”, tha dje titullari i Bibliotekës Kombëtare, duke theksuar se historia e Ali pashës është komplekse, “ka shumë studiues pro dhe kundër figurës së tij historike”. Por megjithëse Ali pashë Tepelena është një figurë kontradiktore, studiuesi Plasari theksoi se “në fund të leximit të këtij libri nuk mund të mohohet se Ali pasha përshkruhet nga akademiku grek Spiro Mela si reformator i madh”.

Ishte një nga reformatorët e pushtetit të madh të Sulltanit theksoi Plasari, duke shpjeguar edhe reformat e tjera të Ali Pashës në kohën e tij, si reformat fetare, ku ai ekuilibroi muhamedanët në pushtet me kaurët, siç cilësoheshin ortodoksët e katolikët nga Turqia. Po ashtu Plasari theksoi se duke lexuar librin e akademikut grek Mela, Ali Pashë Tepelena del si reformator edhe në arsim, ku reformave intelektuale dhe si dijetar iu përkushtua deri në nxitjen e zbulimeve arkeologjike.

PLASARI: JA PSE KISHTE MLLEF PUKËVILI PËR ALI PASHËN

Plasari theksoi se akademiku grek Spiro Mela i është referuar arkivave pa fund në Greqi, Shqipëri dhe vende të Europës për të portretizuar Ali pashë Tepelenën. Madje Mela, sipas Plasarit ka theksuar se “e quajtën reformator edhe francezët që janë denigruesit e figurës së tij”.

“Kemi të bëjmë me një nga figurat interesant të Epirit, të Shqipërisë dhe të gjithë perandorisë osmane. Vendosja e historisë së Ali Pashës është korrekte. Ali pashë Tepelena mbart të gjitha veset dhe virtytet asaj ndërkohe”, tha titullari i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari, duke kujtuar se “veprat e shkruara për Ali Pashë Tepelenën ndahen në dy tabore, në autorë shumë kundër dhe shumë pro.

Vetë epoka e anarkisë feudale e bënë të kuptueshme figurën e tij”. “Kolegu ynë i ndjerë Ardian Klosi, -tha dje Plasari, -ka botuar një kumtesë për Ali pashë Tepelenën duke iu referuar Pukëvilit, por do të ishte e udhës të shihej me syrin kritik Pukëvili, së pari se Franca e gjykonte Ali Pashën nga drita e iluminizmit dhe nga ana tjetër Pukëvili pati mllef ndaj Ali Pashës se i zbuloi korrespodencën.

Do të ishte një fakt i mjaftueshëm për diplomatin francez”. Ndërkohë në fjalën e tij Moikom Zeqo u shpreh se “Pukëvilin s’e njeh njeri në Francë si studiues dhe historian. Ishte thjesht një diplomat që shkruante ditarin e tij”.

SPIRO MELA: ALI PASHA, EPSHOR SI MAJMUNI, KISHTE 300 FEMRA NË HAREM

Studiuesi Aurel Plasari, përveç kontributit historik që ka autori i librit “Luani i Epirit”, e vlerëson stilin e studiuesit grek Spiro Mela tërheqës dhe befasues: “Autori ka shkruar një libër për publik shumë më të gjerë. Ka synuar lexues sa më të madh dhe ndikim sa më të gjerë.

Duke iu referuar stilit Plasari lexoi paragrafin e zgjedhur nga ky autor për figurën e Ali Pashë Tepelenës: “Me kokë të madhe, ballë të lartë, vetulla të dendura, shikim depërtues dhe dinak, gojë të gjerë, që kur buzëqeshte ngrinin në vend të gjithë sa ishin rrotull tij, sepse me këtë buzëqeshje vuloste dënimin me vdekje të ndonjë armiku ose miku të tij të rrezikshëm.

Dhe kishte çuar në vdekje kaq e kaq vetë, duke filluar që nga njerëzit e tyre të afërt, kokat e tyre mund të formonin një resht piramidash Keopsi. Fama mbresëlënëse e pasurisë së tij, fuqisë dhe lavdisë ishte e shtruar me kufoma të panumërta. Vriste për të hequr qafe një pengesë që i kishte dalë përpara që të fitonte një tribunë për t’u mbrojtur, për të trashëguar për të garantuar diçka që e kishte fituar.

Disa herë madje vetëm për t’u dëfryer. I patrembur si një luan. Dinak si një dhelpër, tinëzar si gjarpër, i shkathët si hienë, i etur për gjak si ujk, hakmarrës si deve, i durueshëm si gomar, i shpejtë dhe largpamës si shqiponjë, epshor si majmunët. Në haremin e vet kishte 300 femra.

Përparimtar si fisnikët e rinj dhe sfidues dhe paragjykues si një plakë, por edhe naiv që shpesh besonte lehtë, intrigantë pa miq dhe me dy fytyra. Ishte si një forcë natyrore e shqetësuar dhe vullkanike që tronditi nga themelet nga zotërimet europiane të qeverisë turke. Zbuloi pafuqinë e saj, pa dashje përgatiti revolucionin e grekëve dhe vetëm me aktivitetin e tij ndryshoi rrjedhën e historisë së tij në këtë rajon të botës.”

PËRKTHYESI

Befasitë në libër: Pse e mbyti vajzën e tij. Djegia e Hormovës

Pse e përktheu dhe çfarë ka ndjerë gjatë leximit të veprës “Luani i Epirit...” të akademikut grek Spiro Mela, përkthyesi Kristo Pulla? “Doja që lexuesit të kenë mundësi të dëgjojnë e të lexojnë të vërtetën për Ali Pashën nga pikëpamje të ndryshme. Mund të them se libri është një vlerësim objektiv mbi Ali Pashën.

Autori përmend se ka qenë politikan i madh, diplomat i shkëlqyer edhe njeriu me euridicion në kuptimin që njihte mirë intrigat e pushtetit dhe jetën e asaj vepre ai ka qenë njeri që derdhi gjak për këtë pushtet”. Pulla tregon se libri e thotë saktë që Aliu me veprimtarinë e vet, dashje pa dashje i takon edhe historisë së grekëve, sepse ndihmoi revolucionin grek.

Ndërsa kur e pyet se çfarë e ka befasuar më shumë, thotë se “Ka shumë, një e re që ndesha gjatë përkthimit është se ai ka mbytur vajzën e tij dy vjeçe, që e kishte me Eminenë. E mbyti, sepse nuk donte vajzë. Një tjetër, që pati dashnore gruan e Aliut, por ka edhe të tjera si ajo që kur dogji Hormovën, e poqi në hell Çaush Priftin, të dashurin e nënës së tij, Hankos.

Masakrën e gjejmë në një fragment të librit. “U çoi fjalë hormovitëve që të shkonin tek ai dhe t’i përuleshin, por ata, të krishterë krenarë, me prijës Çaush Priftin, të dashurin e nënës së Aliut, iu përgjigjën:
- As babait tuaj nuk iu përulëm, as ty tani!

Aliu u shtir sikur i admironte për trimërinë e tyre, por ai, më mirë se kushdo tjetër, e dinte se hakmarrja është gjellë që hahet e ftohtë. La të kalonte njëfarë kohe dhe pastaj do t’i ftonte të dy palët që të shkonin në një manastir, në Tërbuq, të paarmatosur, për të zgjidhur në mënyrë paqësore divergjencat e tyre dhe për t’u bërë miq.

Porositi që të mos mungonte Çaush Prifti, miku i vjetër i shtëpisë. Pesëqind hormovitë ranë në grackë. U mblodhën në Oborrin e madh të manastirit.... Dhe filloi të përdorej pushka e jatagani. Aliu kërkonte Çaush Priftin, por ai nuk gjendej, kishte humbur. Më në fund e gjetën të fshehur në njërin prej qilarëve të manastirit.
- Ta shkoni në hell! - urdhëroi me të egër i biri i Hankos.

Dhe ndihmoi që ta shkonin në hell dhe ta piqnin në zjarr të ngadaltë. Pas kësaj, bashkë me asqerin e vet, niset dhe i drejtohet Hormovës, shkon në thikë gra dhe fëmijë….”

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?